Sadik Bejko: Hije apo kufomë
Vullneti për të kundërshtuar të kthehet mbrapsht.
Me dorën tënde ti merr e merr veten në shenjë.
Të paktën, për kaq gjë duart i ke të lira,
të paktën, për veten duart s’t’i kanë zënë.
Vullneti për të kundërshtuar të mohohet,
kjo do të thotë se s’të takuaka më as vetja,
do të thotë, edhe atë ta kanë marrë,
s’të ka mbetur as hija nga jeta, nga vdekja.
Vullneti për të kundërshtuar të shtypet.
Pra, je askushi, një zero që merr frymë,
brenda rrethit të hiçit vërtitu, vërtitu,
plas, po s’mjaftoi, nxirr ahe dhe shkumë.
Vullneti për të kundërshtuar s’pranon iluzione
dhe kufomat kurrë nuk i pranojnë në altar,
fantazmat, shajnitë s’i qas kush as te pragu,
kockë a shpinë nuk kanë për barrë, për samar.
Vullneti për të kundërshtuar – zjarri i fareve –
e flak tej ishullarin, të dëbuarin e mjerë,
dhe ai fajësoi veten, u bë shuk, u bë pluhur,
hije luhatëse me mish e kocka nëpër erë.
Mëshirë për cilindo që merr veten në shenjë,
edhe kur shenjën që merr, nuk e arrin dot:
Ja, na ish një hije, që s’u kthye dot në kufomë…
si gjithfarë kufomash që na sillen në botë.
Në mos e faltë shekulli, le ta falë njeriu.
Ish një hije e mirë, herë-herë ish dhe njeri,
veten kjo hije s’e shiti, nuk i shiti as të tjerët…
e përcjelltë mëshira, ju mos pësofshi si ai.
Prill 1990.
Please follow and like us: