Bashkim Saliasi: MALI I TOMORIT, QENDËR E BESIMIT BEKTASHIAN
Në orët e vona të datës 2.09.2021 një zile telefoni më tërhoqi vemendjen nga filmi, që po e ndiqja në televizor. Ishte nipi im, Meçani, që më bëri me dije se të nesërmen do të udhëtonte për në vendlindje, Dobrushë.
-Nëse ke dëshirë hajde, me mua nesër në Dobrushë. Pa e zgjatur i thashë: – Unë po, do të vij, më trego orën se kur do të nisemi.
-Mos lëviz nga shtëpia, se vij të marrë unë, -më thotë Meçani.
-Ti je me rrufë, ku do të shkosh në Skrapar në këtë gjendje, – ndërhyri ime shoqe.
-Kur shkon në vendlindje shërohesh dhe rrufa largohet, -i them.
Mora masat e nevojshme dhe me ankth prisja të gdhihej dita e re, për të udhëtuar për në vendlindje. Kishin kaluar disa vjet dhe nuk më ishte krijuar mundësia për të shkuar në Dobrushë.
…Në mëngjes më doli gjumi shpejt.
Ora shënonte katër. Pasi bëra tualetin, përgatita mëngjesin dhe qëndrova në pritje të telefonatës së Meçanit. Në orën pesë pa një çerek i telefonova Meçanit, por ai, si duket, nuk ishte çuar akoma nga gjumi. E mbylla telefonin pa marrë përgjigje.
Kishte kaluar pak kohë dhe Meçani më tha të mos lëvizja nga shtëpia, se do të vinte të më merrte ai me Gisildon me makinë. Nuk vonoi shumë dhe në orën gjashtë u nisëm për rrugë. Pas përshëndetjes Meçani më tregoi se i vëllai, Fatmiri, nuk kishte dëgjuar të vinte. Në bisedë më tregon se më doli nga mendja t’i thosha xhaxhi Izetit, ose ty, të merrje Linën.
-Mirë do kishe bërë, po të kishe thënë që mbrëmë, se në rast se nuk vinte Izeti merrja Angjelinën. Ajo që u bë nuk zhbëhet më, por do kemi rast tjetër, – më thotë Meçani.
NGA TIRANA NË PROKUCË
Tirana, kryeqyteti ynë, ishte në zgjim e sipër. Makina rrëshqiste në asaflt si një flutur që viziton lulet që pagdhirë mirë.
Tirana me rrugët e pastra, dhe gjithë dritë të krijon ndjesi pozitive. Rrugët ishin të boshatisura nga trafiku i makinave. Ajo na ndihmoi që të dilnim shpejt nga Tirana në autostradë. Gisildoja drejtonte makinën për bukuri dhe i kaloi qytetet një nga një pa u ndier.
Për një orë kapëm Beratin. Në Berat ndaluam në një dyqan lulesh. Porosita dy buqeta me lule për te varrezat e prindërve të mi. Bëra pagesën dhe e falenderova shitësen për lulet që përzgjodhi. Meçani i tha Gisildos që të ndalonte te lokal “Osumi”, për të ngrënë mëngjes.
Pasi u ulëm në mjediset e lokalit, Meçani, Sanija dhe Gisildoja porositën mëngjesin, kurse unë kafe të shoqëruar me një gotë raki. Nuk qëndruam gjatë në lokal dhe për njëzet minuta arritëm në Mbrakull.
-Këtu kthehet rruga për në Tomor, – më thotë Meçani. Gisildoja mori kthesën dhe makina gulçoi në maloren e Prokucës për në drejtim të fshatit Kapinovë, në maloren e fortë në ngjitje…
Ishte një malore jo fort e ëmbël, por makina tip fuoristradë e ngjiti pa vështirësi dhe mori drejtimin në një dishezë, që nga të dyja anët e rrugës syri të rrokte gjithfarë ngjyrash nga ardhja e vjeshtës.
Makina rrëshqiste në rrugën e asfaltuar si një motoskaf në një det të qetë pa dallgë. Panorama gjithfarë ngjyrash me kolorë si ngjyrat e ylberit, të krijonin një peizazh, sikur ishe në botën e përrallave.
Kodrat e Prokucës dhe më pas të fshatit Kapinovë të veshura me bimësi, shkozë, mare, kulpra dhe me një bimësi të përzier me ngjyrat e tyre të vjeshtës së dytë, të kënaqnin shpirtin.
Hija e rëndë e malit të Tomorit binte si një kurorë mbi fshatin Kapinovë, dhe të krijonte imazhin se po udhëtonim drejt qiellit…
NË RRUGËT E FSHATIT KAPINOVË
Makina mori maloren me lehtësi, si lejlekët që kalojnë lartësitë e malit Himalaje dhe shumë shpejt para syve tanë u shfaq fshati Kapinovë i Beratit. Hymë në fshatin Kapinovë.
Banorët e fshatit ishin çuar herët dhe kishin nxjerrë prodhimet e tyre në pika të ndryshme në kryqëzimet e rrugës. Dikush kishte vjelë domate, një tjetër speca, patëllxhan, rrush, arra etj. Me vete mendoja se rruga sjell zhvillim. Dikur banorëve të fshatit Kapinovë iu duhej të harxhonin gjithë atë kohë për të shkuar në Poliçan ose në Berat të shisnin prodhimet e tyre, kurse tani tregu i shitjes ju ka ardhur afër shtëpisë.
Me Meçanin diskutuam rreth ngritjes së barakave dhe ruajtjen e prodhimeve brenda këtyre mjediseve, larg tymit dhe pluhurit, por menduam se ndoshta nevoja do t’i mësojë, sesi duhet të veprojnë për të ruajtur prodhimet e tyre sa më të freskëta.
E njoh mirë zonën e fshatrave Kapinovë dhe Bargullas, se në vitet 1980-1988 ka pasur shumë djem e vajza që vazhdonin shkollën bujqësore pa shkëputje nga puna në Nishovë. Të dy fshatrat janë me selishta prodhuese pranë shtëpive, ku prodhohen perimet bio dhe të shijshme.
Në fshatin Kapinovë të Beratit gjendet pika turistike, e cila me ndërtimin e rrugës ka mundësi të shfrytëzohet më mirë për turizëm, nga dashamirësit e klimës së freskët dhe gatimet tradicionale të zonës që ka ky fshat. Shumë shpejt lamë Kapinovën dhe dolëm në qafë, ku duket vendi ku ka qenë kalaja e Bargullasit.
Në të majtë, poshtë në luginë, gjenden tokat që ndajnë fshatin Kapinovë me arat e Bargullasit, që emërtohen Moranjanja.
-Ja dhe tokat e Dake Kondit, – i them Sanijes.
-Sa i qenkan rritur ullinjtë! Përballë, në fshatin Bargullas, dolën lagjja Koron, në faqen e kodrës përballë fshatit, ku binin në sy shtëpitë e mbajtura mire. Në luginë lagjet Spaho, Kondi, Lulaj dhe poshtë në horizont fshati Nishovë; djathtas fshati Novaj, ku të binte në sy hoteli i ngritur në lagjen Qatollar te Gurët e Qamës, në kufirin që ndan fshatin Novaj nga Nishova…
NË BARGULLAS
Djali i Meçanit, Gisildoja, parkoi makinën dhe na thotë: – Tani ejani të takojmë gjyshen time, Zyrakon, në shtëpinë e saj. Sanija foli në telefon me të ëmën dhe ne morëm rrugën nëpër ara, për te shtëpia e saj.
-Ku rri gjyshja jote? – e pyes Gisildon.
-Në pranverë, verë dhe vjeshtë rri në shtëpinë e saj bashkë me të shoqen e Abedinit Spahos, kurse në dimër ulet në Poliçan te Skënderi.
Zyrakon e gjetëm në mjediset e jashtme të shtëpisë duke na pritur. Sanija, pasi takoi të ëmën, e pyeti nëse më njihte mua.
-Jo, – ishte përgjigjja e saj. Kishte të drejtë, kanë kaluar mbi dyzet vjet që nuk jemi parë. Qëndruam pak kohë te shtëpia e nënë Zyrakos dhe, pasi u përshëndetëm me të, morëm rrugën për në teqenë e Dervish Iljazit. Hodha sytë nga Tomori ku një shtëllungë tymi dilte nga një grumbull shkurresh dhe pyes Sanijen: – Vitaleni është ai?
Aty shkonim e bënim ekskursionet shkollore?!.
-Po, – më tregon Sanija, – ai është Vitaleni, ku buron uji i ftohtë.
Ne tetë vite punë qendruam në shkollën e bashkuar Bargullas në të cilën vinin nxënës edhe nga fshati Kapinovë i Beratit, për të ndjekur shkollën e mesme natën, profili agronomi pa shkëputje nga puna.
Në këtë shkollë në ato vite punoi një staf mësuesish që lanë gjurmë të mira në zhvillimin e arsimit në këtë trevë. U rrethua shkolla me mur mbrojtës me gurë, u vendosën portat, u ngrit lulishtja para shkollës, u ndërtuan kabinetet e biologji-kimisë, fizikës, mbrojtjes së bimëve, letërsisë, histori-gjeografisë, u pasurua biblioteka e shkollës, u soll uji i pijshëm në shkollë etj.
Çdo vit në pranverë ose në vjeshtë organizoheshin ekskursionet, ku nxënësit kishin ambiente argëtimi dhe freskoheshin me ujin e ftohtë që buronte nga mali i shenjtë i Tomorit.
NË AMBIENTET E TEQESË SË DERVISH ILJAZIT
Rrugën për në teqenë e Dervish Iljazit e përshkuam shumë shpejt. Në hyrje të teqesë së Dervish Iljazit takuam sekretarin e teqesë, zotin Zalo Qato. Pas përshëndetjes Zaloja uroj: mirëseardhjen.
E falenderuam Zalon dhe morëm rrugën për te vendi ku janë vendosur të shenjtit. Duke u ngjitur në shkallët e gurta i them Meçanit, se në krahasim me një vit më pare, qenka bërë goxha punë sivjet. Rruga ka mbaruar së shtruari e gjitha me asfalt. Shtyllat elektrike nga fshati Novaj deri te teqeja janë vendosur dhe shiko paska filluar dhe shtrirja e telave elektrikë që lart poshtë.
-Po xhajë, jam dakord me ty që është bërë diçka sivjet, por po të shikosh rrugën ka mangësi. Mungon sinjalistika, nuk ka zgjerimin e duhur dhe nuk janë ngritur muret pritëse në të dy anët e rrugës, atje ku është e nevojshme. Rruga nuk ka zgjerimin e duhur për t’u shkëmbyer dy makina, pavarësisht se zgjerimi i saj nuk kishte nevojë për asfalt, por të shtrohej me çakull dhe makinat ndërroheshin lirisht…etj, etj. Këtu në këto sheshe që janë bërë me mur, është e nevojshme që të mbillen pisha dhe bredha, me qëllim që të krijojnë ambiente sa më të bukura për t’u çlodhur. Të ndërtohen parkingjet, qoftë dhe me pagesë dhe të qëndrojë në gatishmëri policia për të vendosur rregull në ditët e festës. Sivjet kishte shumë pelegrinë dhe nuk kishte rregull, përsa i përket qarkullimit të automjeteve.
Teqeja e Kulmakut është vend i shenjtë dhe qendër turistike për pelegrinët, që vjinë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga diaspora dhe po të ketë ambiente çlodhëse, shfrytëzohet për turizëm në çdo kohë, si në dimër dhe në verë.
-Turizmi ka filluar, ndërhyri në bisedë Gisildoja. Te baxhoja në Ujanik është ndërtuar hoteli dhe ka shkuar asfalti deri atje. Çdo fundjavë në teqenë e Dervish Iljazit ka vizitorë të shumtë tani që u bë rruga.
Do ishte mirë sikur të bëhej edhe rruga nga Dobrusha, do të sillte shumë lehtësira, në lëvizjen e automjeteve, por edhe në shfrytëzimin e terreneve për turizëm.
Besoj se nuk i ka ikur koha, në të ardhmen do të lindë nevoja që edhe ajo rrugë të ndërtohet dhe do t’u vijë në ndihmë pelegrinëve, që vizitojnë teqenë e Dervish Iljazit, apo vijnë për të kaluar fundjavën…
Pasi bëmë ritet e zakonshme në vendet e shenjta, morëm rrugën për në kthim, për në fshatin e lindjes në Dobrushë.
KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE
Bektashizmi i themeluar nga Haxhi Bektash Veliu në shekullin XIII është një dogmë mistike islame, që merret me përsosmërinë shpirtërore të njeriut dhe respekton të gjitha fetë monoteiste.
Selia botërore e bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë në vjeshtën e vitit 1925, kur qeveria turke, me një vendim të posaçëm mbylli teqetë. Në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane ngriti një bashkësi të pavarur e të njohur nga të tjerët, e cila ekzistoi deri në vitin 1967.
Pas pothuajse një çerek shekulli heshtjeje në Shqipëri, më 27 janar 1991, në Tiranë u ngrit një Komitet i Përkohshëm për ringjalljen e bashkësisë së bektashinjve. Që prej atij viti e këndej, bashkësia e re, ka punuar mjaft për të ringjallur traditat e bektashizmit në Shqipëri. Teqeja dhe njëkohësisht Selia botërore në Tiranë, u hapën më 22 mars 1991, me rastin e ditës së Sulltan Nevruzit.
Në mjediset e Odeonit (Faltorja e Madhe) të përuruara më 7 shtator 2015 në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ndodhet edhe Muzeu Bektashian…
Shkëputur nga Wkipedia hhhps//kryegjyshatabotërore…
RRUGA PËR NË DOBRUSHË
Porsa del në qafë, te gorrica e Xharros, lart burimit ku del uji i ftohtë i Bollës, të shfaqet para syve një panoramë e mrekullueshme. Është panorama e fshatit Dobrushë. Në të majtë lamë malin e Ramijes, kur dikur në vitet e rinisë vinim dhe mblidhnim çaj dhe banorët e Dobrushës në Qafëtuar, prisnin trarë për ndërtimin e shtëpive me leje nga pyjorja, kurse çobanët veronin tufat e bagëtive deri në vjeshtën e dytë.
Rruga për në fshatin Dobrushë, nuk është e asfaltuar, por e hapur nga banorët vite më pare, kur filluan shfrytëzimin e malit, nga nxirrej dërrasa e gurit, për të siguruar të ardhura për mbijetesë të familjeve fshatare.
Me pak vështirësi kaluam përroin e Bronecit dhe makina mori rrugë si një dragua nëpër këto rrugë dhish, që dikur lëviznin vetëm traktorët në pranverë dhe vjeshtë, që punonin këto parcela, ku kultivohej misër dhe grurë, kurse sot janë kthyer në blloqe të mbjella me arra.
Meçani më tregoi se janë tokat e Ylli Zaimit dhe këtu kanë mbjellë këto bimë arre. Më pas zbritëm në tokat e emërtuara “luadhe”, ku para viteve ’90 mbi xhadenë e asaj kohe, te burimi ishte baxhoja e shtetit, që përpunonte qumështin e kopeve të Dobrushës. Në bregun e hudhrave u shfaq një panoramë mbresëlënëse gjithfarë ngjyrash, nga më të bukurat si ngjyrat e ylberit. Ja, më tregoi përsëri Meçani bllokun tjetër me kumbulla në pronësi të Yllit, në livadhet e Sherikolit. Poshtë shtriheshin tokat e Dardhës së butë, ku dikur ka banuar fisi i Tahir Bejkos dhe poshtë në Qoroshtinë dalloheshin shtëpitë e rrëzuara të Temellarëve.
– Ja dhe shtëpitë e Rizallarëve. Shtëpitë e ndërtuara me gurë të skalitur, i rindërtoi Xhevahir Zaimi, që tani banon në Durrës, – më thotë Meçani.
-Shtëpitë t’i gëzojnë djemtë, se Xhevahiri ka ndërruar jetë, – u them. Duke zbritur rrugës, për në drejtim të përroit të Lëngës, në tokat e zanaropit, ishin mbjellë blloqe me qershi nga djemtë e Dylberit, në tokat e xhaxhait të tyre Isufit dhe më poshtë, kumbulla, arra dhe bajame, si dhe një parcelë e Meçanit me sherebel. Lamë përroin e Lëngës dhe shumë shpejt dolëm në qafën e Shëndëllisë. Aty realizova një numër të bollshëm fotosh të fshatit Përparim, deri sipër në malin e Vërzhezhës dhe pamje nga mali i shenjtë i Tomorit dhe nga fshati Dobrushë.
FSHATI DOBRUSHË NË RRËZË TË MALIT RAMIJE
Fshati Dobrushë ka pamjen e një kopshti të lulëzuar, i veshur me bimësi të egër të shumëllojshme dhe pemë frutore të kultivuara nga dora e njeriut. Bimët që rriten në gjendje të egër, japin fruta të dobishme për banorët, që dikur i shfrytëzonin për përgatitjen e rakisë së kumbullës, nga kumbulla e egër, oshafeve dhe mollët e egra, që i ruanin si rezerva dimërore në ditët me dëborë dhe ngrica, frutat e thanës, që i përdornin për përgatitjen e rakisë dhe nardenit, vadhëzat që i thanin oshafe ose i konsumonin të freskëta, pasi qulleshin e të tjera. Në panoramën që shfaqet në këto vite të shekullit XXI kanë ndryshuar shumë ekosistemet, të cilat fillojnë nga toka arë dhe me selishta të punuara pranë shtëpive, ku kultivoheshin drithëra buke, në lagjen Salias dhe fshatin Përparim, ku syri të rrok pyje në formim dhe murishte të shtëpive të rrëzuara.
Kjo gjendje në këto 20-30 vjet të largimit të banorëve në drejtim të qendrave urbane tregon se, nuk do të jetë e largët dita, që tokat arë të kthehen në livadhe dhe gradualisht në pyje me drurë lisi, shkoze, mëllezër etj. Ato toka që dikur prodhonin misër dhe grurë me bollëk, sot janë kthyer në djerrë.
Në luginën midis tri kodrave rrjedhin përrenj të vegjël, si ai i Lëngës, Selishtës dhe përroit të Mbollës, që derdhen te Ura e Sirakës, kurse në kufirin që ndan malin e Tomorit me arat e Dobrushës në Radul, rrjedh përroi i Bronecit, që derdhet te Ura e Sirakës dhe bashkohet me tre përrenjtë, që rrjedhin nga Dobrusha, për të përfunduar në lumin Osum.
Klima e Dobrushës është me dimër të ashpër dhe verë të nxehtë. Bukurinë e fshatit e shton bimësia, që me frutat e saj të shijshme dhe me klimën e freskët në pranverë dhe vjeshtë, afron mundësi për biznes privat, përsa i përket sezonit të gjuetisë dhe pse jo në të ardhmen në një park të mbrojtur nga ligjet e shtetit për gjueti.
Në pyjet e Dobrushës rriten kafshë si: lepuri i egër, derri i egër, ujku, kaprolli dhe ketrat, baldosa, kunadhja dhe kohët e fundit është i pranishëm dhe ariu i murrmë. Në përgjithësi, fshati Dobrushë është i përshtatshëm për rritjen dhe mbarështimin e blegtorisë, të deles dhe të dhisë.
Ngjyrat e shumëllojshme të bimëve, si të lisit, shkozës, mëllezrës, lajthisë, ferrave që zinin popullatat më të përhapura në pyjet e krijuara, që dikur kanë qenë lëndina apo toka buke, ishin të pranishme në të gjitha tokat që rrethojnë lagjen Saliasi.
Në fund të fshatit dallohen bimët e ilqes, shqopës, mares, frutat e së cilës banorët në ato vite në Dobrushë, i përdornin për të përgatitur rakinë e koçimares. Fshati Dobrushë fsheh shumë mistere në nëntokën e saj. Në të gjitha kodrat dhe lëndinat ka varre të hershme, që tregojnë se, para shumë shekujsh, në këtë fshat kanë banuar banorë të tjerë dhe këtë e dëshmojnë varret e kudogjendura.
Dalim në përfundim se, para se të vendoseshin këto katër fise Salias, Ermëz, Dyrmish dhe Zaim, që kam përshkruar në librin “Dobrusha 1700-2010? fshati ka pasur shtrirje tjetër dhe banorët dikur janë larguar sikundër ndodhi në vitet 2000 me banorët e këtyre fiseve.
Argumentin e mbështesin varrezat e fisit Salias, të vendosura në Bregun e Veshtit, varrezat e ermëzallinjve, në vendin e quajtur Hereke, Dyrmishllarët te Vakëfet dhe më pas i çuan në Zharrëz dhe një pjesë e Zaimllarëve, varrezat i kanë te arat e Kalos, apo Temellarët afër shtëpive etj. Ekzistojnë shumë enigma, si xhamia në Dobrushë, apo vendet ku kanë qenë kishat dhe në ditët tona janë ruajtur vetëm toponimet dhe nuk ka dokument të shkruara…
FISET QË PËRBËNIN FSHATIN DOBRUSHË
Fshati Dobrushë kufizohet nga lindja me bregun e Kurorës, nga jugu me fshatin Vërzhezhë dhe nga perëndimi me fshatin Selan dhe Bogovën.
Fshati Dobrushë përbëhej nga katër fise ose lagje: Dyrmish, Salias, Ermëz dhe Zaim. Nga lagja Salias, janë larguar të gjithë banorët për në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë e Lushnje, me përjashtim të djemve të Haxhi Saliasit, që i kanë restauruar shtëpitë, ku qendrojnë në sezone të pranverës, verës dhe vjeshtës dhe shtëpitë e tjera janë rrënuar.
Po kështu edhe Njaziu i Gjençit dhe Muhameti i kishin restauruar shtëpitë dhe kujdeseshin për to. Shkolla në Dobrushë ishte rrëzuar dhe si godinë për zhvillimin e mësimit përdoreshin shtëpitë e Muhamet Saliasit.
Nga lagjja Zaim kishin restauruar shtëpitë e Hasan Sejat Zaimit dhe të vëllait Jakupit, kurse shtëpitë e tjera pothuajse ishin rrëzuar.
Në lagjen Dyrmish janë katër a pesë familje që banojnë aty dhe nuk janë larguar për momentin, kurse nga fshati Përparim, ku banonin Zaimllarët, nuk ka mbetur asnjë familje, me përjashtim të familjes së Xhevahir Zaimit, që i ka ndërtuar përsëri shtëpitë, por që nuk banon asnjë njeri në to.
Në lagjen Ermëz banojnë familja e Yrmeliut me djemtë Refitin dhe Zeqirin, kurse lart në Hereke janë shtëpitë e Hasan Dyrmishit dhe Gëzim Zume Kapllanit.
Në lagjen Ermëz janë pak familje që merren me blegtori, kurse në Qafë të Shëndëllisë banonte Kadriu i Fake Zaimit, në vendbanimin e të jatit, pavarësisht se djemtë i kanë ndërtuar shtëpitë në Portëz të Fierit. Me përjashtim të rrugës që lidh Dobrushën me fshatrat Strorë, Selan dhe Përparim, ku ishin shtruar me asfalt rrugët, të tjerat ishin në mbyllje e sipër nga pyje të dendura.
Rruga që komunikonte me fshatin Vërzhezhë është e pakalueshme me makinë…
NGA MEKAMI NË VARREZAT E FAMILJES SALIAS
Mekami është një monument kulture që përfaqëson besimin e sektit bektashian të banorëve të Dobrushës. Nuk kam djeni, se kur është ndërtuar ky mekam dhe është varrosur i shenjti Dervish Brahimi, por di se, pas viteve 2000, familjarët e fisit të Rizallarëve kontribuan të gjithë dhe ringritën Mekamin më të bukur, siç ka qenë.
Mekami u elektrifikua dhe sollën ujin e pijshëm atje. Ajo që më ka mbetur në mendje është se nga banorët e Dobrushës që kam pyetur, e dinë se te Vakëfet ka ekzistuar xhamia, por se kur është ndërtuar dhe kush shërbente në të nuk kanë dijeni.
Enigmë …
…Pasi zhvilluam ritet e zakonshme në mekamin e fshatit, u drejtuam për në lagjen tonë, Saliasi. Ndaluam poshtë shtëpisë së Njaziut të Gjençit dhe pasi u përshëndetëm nga larg, mora dy tufat e luleve në dorë dhe zbrita në drejtim të varrezave të fisit tim, në Bregun e Veshtit. Shtigjet dhe rrugët ishin mbyllur nga drizat dhe ferrat, që nuk të lejonin të shkoje në një drejtim. Pas endjes në disa drejtime në pyllin e Kryzës, mes shkozave e lisave, munda të zbres në vendin e quajtur “Bregu i Veshtit”.
Në krye të parcelës janë varrezat e kushërinjve tanë, Gjençit e Mahmudes dhe nipit të Gjençit, të atit të Haxhiut, Mustafait, ose gjyshit të fëmijëve të Haxhiut. Mora drejtimin për te parcela e varrezave të familjes sonë. Pylli i lisave kishte mbuluar territorin rreth e qark dhe varrezat dukeshin si në një ishull në detin e pafund i qarkuar nga hijet e lisave, që rrethonin këtë ishull misterioz në mes të pemëve.
Pa u futur te varrezat, hodha sytë nga arat tona, si Veshti, Rrahu, Selishtat, Kryza etj. Kudo shikoje pyje me lisa, shkozë dhe dushqe, ku një vend me dëndësi më të madhe e zinin ferrat dhe kulprat, që kishin bllokuar të gjitha rrugët e komunikimit. Pas pak çastesh erdhi Meçani, Sanija e Gisildoja.
-Paska ardhur dikush para nesh, -theu heshtjen Meçani. Mora në telefon Zylfon dhe ai më tregoi, se para nesh aty kishte qenë Fitimi.
-Lulet artificiale i kam dërguar unë, – më tregoi Zylfoja.
U ngjitëm së bashku me Meçanin, Sanijen dhe Gisildon në drejtim të shtëpive të Njaziut, i cili kishte therur dy shelegë dhe po e ndihmonin për t’i rrjepur dy djemtë e Yrmeliut, Refiti dhe Zeqiri. Njaziun së bashku me dy nipërit e tij, e gjetëm në tarracën e katit të dytë, duke vjelë rrush. Pas përshëndetjes me ta, e pyes Njaziun:
-Ku është mëni i zi, që ishte afër pusit, në ato vite që rronte babai yt Gjençi?
-Ja, më tregon Njaziu, – unë e preva mënin e vjetër, se u tha dhe doli ky i riu që shikon ti…
-Po gorrica ku është?
-Edhe gorrica e vjetër u tha dhe e shikon atë të renë, ku ka mbirë dhe është zhvilluar, ajo ka zëvendësuar gorricën e vjetër, ku qëndronte Gjençi në ato vite, që flet ti në librin tënd “Dobrusha 1700-2010…”.
Aty te gorrica në kohën e Ymer Agait, kanë qenë burgjet me dyzet e pesë dhoma, tregonte Gjençi për atë kohë. Në bisedë, Njaziu më tregon se, gurët e xhamisë, ne i përdorëm për të ndërtuar zyrat në Breg të Veliut.
-Shtëpitë i paske në gjendje të mirë, – i them.
-Po shtëpitë i ndërtova në vitet ’90 me kredi. Mora një kredi të butë 150 000 mijë lekë të reja. Pata fat! Mbylla çerekun e kredisë, pra 50 000 mijë të reja dhe pas një viti bëra dhe pjesën tjetër. Doli urdhri që kush kishte marrë kredi të buta deri 150 000 lekë të reja, kreditë falen. Kështu që unë i fitova shtëpitë, të cilat i prisha nga themelet dhe i ngrita dykatëshe, sikur ishin nga e para, duke ruajtur strukturën, siç i kishte ndërtuar Gjençi.
-T’i gëzosh shtëpitë!
– Kush kujdeset për to dhe pemët që ke mbjellë rreth e qark tyre?-e pyes.
-Për shtëpitë kujdesen djemtë e Yrmeliut, Refiti dhe Zeqiri, sikundër e shikon. Hardhitë i mbolla para se të largohesha nga Dobrusha dhe shikoje sa i mirë është bërë rrushi.
-Marshalla dhe qënka pjekur shumë mirë.
-Vij çdo vjeshtë, e vjel e ngarkoj në makinë dhe e marr në Durrës, të cilin e bëj raki, – më tregon Njaziu. Në kohën që qendruam te shtëpia e Njaziut, së bashku me dy nipërit, shtruan tavolinën me rrush, që po e këpusnin në tarracë dhe një pjatë me djathë dhe raki, ku qendruam duke kujtuar shpërnguljen e banorëve dhe përshtatjen e tyre në komunitetet që punojnë dhe jetojnë.
Në bisedë me rrethin e ngushtë që u krijua, Zeqiri ngriti si problem që të festonim së bashku festën e Sulltan Nevruzit, te mekami në Dobrushë. E diskutuam takimin e bashkëfshatarëve tanë, që jetojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë atdheut.
Në fund menduam se ideatorë dhe organizatorë duhet të bëhen biznesmenët e fshatit tonë, që kanë mundësi të sponsorizojnë diçka, për grumbullimin e banorëve, sikundër po bën dhe fshati Strorë.
Nëpërmjet këtij reportazhi sensibilizojmë opinionin e bashkëfshatarëve të mi, që nëse kanë mundësi të organizojnë eventin në muajin gusht do jetë diçka pozitive për të gjithë banorët, që janë larguar në qendra të ndryshme banimi. U ndamë me Njaziun, për të vazhduar me vizitën te shtëpia e Avniut dhe më pas në shtëpitë, ku u linda dhe u rrita unë në vitet 1954-1980, kohë në të cilën u shkëputa nga fshati, për të jetuar në Bargullas, dhe më pas në Poliçan. U afrova në lagjen time afër shtëpive të Zylfos dhe të Luanit.
-Ç”të shoh?! Kudo kishte grumbuj ferrash dhe lloje-lloje pemësh të mbira në mënyrë sporadike, si fiq dhe kumbulla të egra. Ambenti i shtëpive ishte kthyer në një pyll me lloj-lloj bimësh, që nuk të lejonin të kaloje nga njëra shtëpi në tjetrën, si ferra, kulpëra e driza. U ula me zor dhe u qasa te shkallët e shtëpive tona, ku u lindëm dhe u rritëm. Me vështirësi realizova disa foto kujtim në hyrje të shtëpisë…
U mundova të kaloj te pusi afër shtëpisë së Hysenit, por diçka e tillë ishte e pamundur. Pusi, ku pinë ujë shumë breza, ishte mbuluar nga shkurre dhe dukej shumë pak…
U hodha në një mur të vjetër, rreth 1.5 m dhe ndrydha këmbën.
– Më pas ajo u ënjt dhe u nxi e tëra, nga gjaku i mpiksur. Ky do të mbetet si kujtim i dhimbshëm nga fshati im i rrënuar dhe i braktisur.
LAMTUMIRË, DOBRUSHË!
U ngjita përsëri te shtëpia e Avniut, qëndruam pak kohë dhe në fund u larguam nga vendlindja, të cilën e vizituam me aq mundësi sa patëm dhe u çmallëm me të.
Kur dola në Breg të Veliut, hodha sytë edhe një herë nga fshati im i dashur, Dobrusha, mali i Tomorit dhe Ramijes. M’u duk vetja sikur isha në një vend të panjohur nga ndryshimet e mëdha në formë që kishte pësuar terreni i fshatit. Tokat e punuara dhe shtëpitë e rrethuara nga lloje pemësh të ndryshme, kishin ndryshuar dhe ishin shndërruar në livadhe dhe pyje, që në një kohë jo shumë të largët, do të jenë të pakalueshme.
Objektet, që dikur në Bregun e Veliut, zbukuronin dhe hijeshonin pamjen e fshatit, ishin rrënuar dhe shikoje veçse murishte.
Iu afruam shkollës, që dikur buçiste nga zërat fëmijërorë.
-Çfarë të shikoje? Çdo gjë ishte kthyer në gërmadhë. Të gjitha objektet që u ndërtuan afër shkollës, si qendra shëndetësore, muzeu i fshatit, kopshti i fëmijëve, ishin rrënuar plotësisht.
Hodha sytë poshtë në lagjen Ermëz. Deri diku, edhe pse banorët janë larguar nga fshati, shtëpitë ishin të mirëmbajtura. Më tej blloku i lajthive i mbjellë nga Ylli Dyrmishi dhe blloku i mollëve përtej në shkëmb, ishin tharë plotësisht. Makina rrëshqiste shpejt mbi asfaltin që vazhdonte deri në Rrabëstyrë, ku ndante rruga e dy fshatrave Strorë dhe Selan.
-Nga do të shkojmë?-pyeti Gisildoja?
-Nga rruga e fshatit Selan, – iu përgjigj Meçani.
-Ç’ka ndodhur me rrugën e Strorës?- pyes Meçanin.
-Rruga e Strorës është shkatërruar dhe me vështirësi ngjiten e zbresin makinat, prandaj do të kalojmë nga fshati Selan, se rruga është më e mirë. Me sa di unë, kjo rrugë nga vitet 2000, u financua nga një fondacion francez, dhe u ndërtua nga firma “Seferas”.
– Si ka mundësi që nuk është mirëmbajtur? – pyes Meçanin.
-Firma mori lekët dhe bëri aq sa bëri, -tha Meçani.
-Më pas rruga u shkatërrua se nuk u tregua kujdes të mirëmbahej nga komuna Bogovë, që mbulonte këtë zonë. Kështu rruga që lidh fshatin Strorë me Dobrushën është bërë pothuajse e pakalueshme me makinë.
-Pyes veten! Përse ndodh kështu këtu tek ne…?! Një ngjarje e viteve të para të punës, kur punoja në shkollën e Therepelit dhe kthehesha çdo mbrëmje në shtëpi, më ndërpreu mendimin e rrugës së Strorës dhe kalova në meditim. Për këtë ngjarje shkrova një tregim; me titull “Gjumi në Rrabstyrë”.
-Lamtumirë, Dobrushë! nxora një zë të lehtë…
-The gjë, o xhajë?-pyeti Gisildoja. Një zë i brendshëm më doli nga shpirti dhe me vete thashë se, nuk dihet se kur do të më jepet rasti ta vizitoj përsëri vendlindjen time… Rrugën për në fshatin Selan e përshkuam shumë shpejt dhe dolëm në Bogovë. Pas një dreke të shijshme, në një nga lokalet e Bogovës, morëm rrugën dhe u nisëm për Tiranë. Në Tiranë arritëm në orën 6 e 20 minuta të mbrëmjes.
– E more vesh, o xhaje! – tha Gisildoja.
– Sa kohë na u desh që të shkojmë në malin e Tomorit, të vizitojmë fshatin Dobrushë dhe të kthehemi përsëri pranë shtëpisë në kryeqytetin tone, në Tiranë?!
-Na u deshën pak orë, se rruga ishte bërë asphalt, pra shumë e mirë. Para se të zbres nga makina i them Gisildos: Të falenderoj ty dhe babin tënd, nipin tim, për vizitën që bëmë së bashku në fshatin e lindjes, në një kohë kaq të shkurtër.
Është i saktë mendimi yt, Gisildo, infrastruktura dhe ndërtimi i rrugëve e bëjnë botën më të vogël dhe mjeti që kishe zgjedhur na dha mundësinë që të vizitojmë shumë ambiente në vendlindje..
– Do të kemi raste që ta vizitojmë përsëri vendlindjen, ashtu sikundër vepruam sot,- foli qetësisht Gisildo …
Faleminderit!