Artur Spanjolli: Nishi
Tregim
1.
I mungonte në çdo pjesë të trupit. I mungonte tek bebëzat e pafajshme të syve kur e shikonte plot adhurim. I mungonte tek veshët kur ai i fliste me zërin e tij të dashur dhe të butë. I mungonte tek krahët, kur e shtrëngonte fort dhe mbushej me trupin e tij, me erën e tij, me ngrohtësinë e tij. I mungonte në mëngjes kur me një ledhatim tek koka e zgjonte për tu pregatitur për në shkollë. I mungonte në mesditë kur hanin të gjithë bashkë. I mungonte në darkë kur të katër mblidheshin rreth televizorit dhe shikonin programet e të vetmes tv shtetërore. I mungonte gjithkund. Nishi ishte i dobët dhe me shtatin mesatar. I kishte flokët me kaçurrela, të butë si mëndafsh ngjyrë gruri të pjekur. Hundën e kishte të madhe me samar dhe kishte në buzëqeshje një dlirësi fëmije të veçantë. Një dlirësi të cilën dhimbja e pashoqe e kishte modifikuar. Tashmë trishtimi, kish thurur me fijet e tij, në mes të shpirtit, një fole. Vishte gjithmonë një palë pantallona doku ngjyrë bezhë dhe një këmishë fanellate. Sipër gjithmonë mbante një triko pambuku me vija horizontale. Që kur i kishte ndodhur fatkeqsia, kishte dëshirë të rrinte vetëm dhe heshturazi, sikur ti ishin mbytur gjemitë, kalonte me orë të tëra shtrirë në shtrat, duke parë tavanin bosh dhe mendohej.
Pranvera kishte hyrë gjithkund me forcë dhe entuziazëm edhe pse mbarë populli ishte i çakërdisur nga aq gjera që kishin ndodhur në aq pak kohë.
Mamaja, e cila e kuptonte gjendjen e dëshpëruar të djalit, shpesh i afrohej, tek rrinte ashtu, as gjallë dhe as vdekur dhe i fliste me një dhembshuri prej nëne: “Nish, dil të keqen mami. Shko dhe luaj me shokët”! Por ai nuk i përgjigjej. Nuk kishte më dëshirë të fliste me askënd. Që kur i kishte ndodhur fatkeqsia nuk fliste më me askënd. As me gjyshin e mirë Meta, të cilin e donte aq shumë. “Ç ka”? pyesnin njerëzia kur vinin për ngushëllim, javë më vonë. “Asgjë. Nga hidhërimi ka vendosur të mos flasë më”!
“Si ka mundësi?!”
Nëna, me sytë e saj kaf në mes të kokës plot kaçurrela, vështronte fqinjët apo të afërmit dhe kafshonte buzën. “Do t’i kalojë”, pëshpëriste pastaj. E bindur se gjërat do të sistemoheshin me kalimin e kohës. Nishi flinte si i vdekur. Flinte pa dëshirë, por kur përgjumej, përgjumej thellësisht dhe brenda vetes të vetmen gjë që dëshironte më me zjarr, ishte ta shihte në ëndërr. Qoftë edhe për një çast të vetëm t’i buzëqeshte, ta përkëdhelte si përpara fatkeqësisë. E dëshironte aq fort sa edhe pse nuk e dinte nëse kishte një zot në gjithësi, ai i lutej atij me zjarr. Nuk ndodhte kurrë. Kur zgjohej, zhytur në plogështinë e vetmisë, si njeriut të cilit i kanë vjedhur lumturinë edhe ai topitej pa dëshirë gjithkund. “Nish i dashur”, i thonte gjyshi i tij kur i afrohej me një kujdes të veçantë, – “jeta është kështu. Njerëzit e dashur edhe mund të na lënë. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të humbim dëshirën për të jetuar. Jeta vazhdon. Koha do ti mbylli plagët tona dhe do ta kapërcejmë këtë çast të vështirë”! Gjyshi i fliste me kujdes. Fare pranë, me zërin e tij të butë dhe Nishi ndjente deri edhe erën e rëndë të djersës prej plaku përzier me erën e pagabueshme të duhanit që gjyshi e çlironte edhe nga rrobat. Vazhdonte të mos thonte asgjë, por i pëlqenin fjalët e mençura të gjyshit. Fjalët e një 70 vjeçari ishin si ilaç për të. I dëgjonte me kujdes duke parë drejtë, me sytë e humbur përtej xhamit. “Edhe mua ma ka këputur shpirtin kjo humbje. Ishte babai yt, por ishte edhe djali im, ndaj mos u ligështo kaq shumë. Gjeji forcat dhe fillo prap të jetosh”, i pëshpëriste gjyshi, por as nuk i kërkonte t’i fliste, as nuk e pyeste me insistim pse kish rreshtur të fliste. Thjesht e respektonte dhimbjen e tjetrit dhe e përkëdhelte me dorën e tij të ashpër, të rrudhur, plot kocka dhe deje të ngrohta.
Djali tashmë kur dilte tek oborri i pallatit, shokët e tij të lagjes, sapo e pikasnin tek ecte qejfprishur, ndalonin lojën, ulnin kokat dhe rrinin në heshtje duke parë për tokë. Kishin rreshtur tashmë t’i kërkonin të lozte me to. Pak më tutje, shitëset e dyqaneve në rresht, tek e shihnin të ecte duke zvarritur këmbët, afronin gojën tek veshët e kolegëve dhe me pëllëmbët e hapura rreth veshit, pëshpërisnin: “I gjori. E gjeti belaja Nelën”! Ai i dinte të gjitha këto. Aq i bënte. Ata, djemtë e lagjes, djemtë e shkollës i kishin baballarët e tyre. Ata në darkë loznin të gjithë bashkë, diskutonin rreth tavolinës, shihnin filma bashkë. Ata zgjoheshin në mëngjes me përkëdheljet e prindërve, ndërsa atij i ishte vrarë ëndërra. Shprehja “kurrë më, në jetë të jetëve” ishte edhe shprehja të cilën e kishte më të vështirë ta gëlltiste. Ç’kuptim kishte ajo shprehje? Ç’kuptim kishte ekzistenca nëse gjërat më të bukura vriteshin aq rastësisht dhe ai, akoma i njomë, akoma i vogël duhej të binte në aq të thella. Ç’kuptim kishte kur ëndërra thyhej si një kryevepër të cilën pasi e krijon me mund dhe lodhje, më në fund e thyen me tërbim. Kishte një Zot? Nuk duhej të kishte përderisa fare rastësisht ai tashmë gjendej në pikë të hallit. Pa të. Kishte parë shpesh gjyshin të lutej, por ai ishte tepër i vogël të arsyetonte aq thellë. Ai thjesht ndjente se ishte dëmtuar aq shumë thellë në shpirt sa nuk dinte se si do të vente ajo punë. I pëlqente të ecte. Vetëm, për orë të tëra bënte në këmbë shtigjet mes dheut, barishteve dhe plisave, rrugën përgjatë lumit. Ishte një lumë me brigjet e gjera, gërryer nga koha. Kur ecte buzë rrugës, atje poshtë, ndoshta dhjetë metra poshtë, ujrat e pista ngjyrë okër të lumit iknin me rrëmbim drejt detit. Sillnin me vete trungje, degë, kanaçe, plisa dhe drurë të kalbur. Gjithçka gjenin përpara ato, fare pa përgjegjësi e trasportonin drejt grykës së derdhjes. Ai kishte filluar të bindej se po ta mendonte shumë, po ta kërkonte me insistim në ajrin e muzgut, në zhurmën e lumit, në pëshpërimën e erës, në këngën e zogjve, në aromën e luleve të majit, ai do ta gjente dikund. “O zot”, pëshpëriste, “bëje të jetë e vërtetë”! Ta takoja edhe një herë”. Ishte kokëfortë. Të tjerët pëshpërisnin pa pushim: “Po çmendet! Ka rënë në depresion”! Ose: “Ishallah i kalon të shkretit! Është akoma i vogël”! Ai nuk ndjehej më i vogël. E dinte shumë mirë ç’donte në jetë. Donte që t’i kthenin atë! I cili, fare rastësisht, një mëngjes të bukur marsi, duke u turrur të punonte, ku të ishte vështirësia më e madhe, kishte shkelur mbi një dërrasë të kalbur dhe ishte shëmbur në tokë nga një lartësi fatale. “Zoti jep, Zoti merr”, thoshin njerëzia duke shtrënguar fort njëri-tjetrin prej shpatullave në shenjë ngushëllimi. Por Nishit me sa duket veç i kishte marrë, sepse edhe pse kishin kaluar dyzet ditë ai akoma nuk gjente paqe dhe s’dinte me se ta mbushte zbrazëtinë e trishtimit në gjoks.
Nuk qante dot. Do të kish qenë më e lehtë nëse ai do të kishte pasur mundësi të qante. Mund të çlirohej. Gjoksi i tij, mund të mbushej me kripën e ngrohtë të ujit të lotëve dhe ai do ta nxirrte jashtë më në fund nga shpirti ate brengë fëmijërore. Por nuk arrinte të qante. Ndjehej i bllokuar. Kish qenë një funeral i paparë në qytet. Kish ardhur i madh e i vogël. Kishin vërshuar nga të gjitha anët e vendit, jo vetëm se babai i tij kish qenë fare i ri dhe i dashur me të gjithë, por mbi të gjitha sepse kishte bërë aq shumë ndere, sa tek pragu i asaj familje së madhe nuk arrinin të futeshin të gjithë për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Ato ditë i mbante mend si në mjergull, sikur shpirti t’i ishte larguar pjesërisht nga trupi dhe kujtesa ia kishte regjistruar me një çrregullsi ëndërre. Sikur t’i kishte parë mes delirit. Gati gati të pabesueshme. Por pak nga pak, sapo njerëzit që e ledhatonin, e shtrëngonin në gjoks, i jepnin dorën apo e përqafonin ishin rradhuar, atëherë kish mbetur veç vetmia e madhe. Boshi i cili nuk mbushej me asgjë. Ishte bërë e padurueshme të rrije në shtëpinë e re në pallat. Shtëpi, për të cilën kishte bërë orë pa fund si kontribut vullnetarë për ta marrë. Kish ndërtuar tre pallate për të marrë një hyrje. Ishte viti 1990. Gjithkund bota ndryshonte aq shpejt, aq egër, aq pa shpirt, sa njerëzit nuk gjenin kohën e duhur të ambientoheshin me një të re, kur befas, vinte një e re tjetër. Ndërsa për të koha kishte ndalur. “Ah sikur të bëhej. Ta shihja…”, po pëshpëriste një mbasdite ndërsa ecte përbri pallatit të fundit, ku babai i tij kishte bërë orë të tëra pune me kontribut vullnetar. Aty shkonte shpesh dhe i dërgonte bukën, përpara se të ndodhte tragjedia. “Ah sikur të bëhej…”, pëshpëriste akoma. Në mes të lotëve, të cilët ia përndritën shikimin, gjithçka përreth filloi të shpërbëhej, duke u thërmuar në vezullime të vockla. Falë grimcave të lotëve, pa se gjithçka përreth po dyzohej, po bëhej me dy plane, sikur gjithësia në çast të bëhej dopje, si mbi dy dimensione. Dy pemë, dy pallate, dy shtylla telefoni, dy degëzime asfalti. Aty pa se gjithçka, fare papritur, po merrte një shteg tjetër. I fshiu lotët me mëngën e trikos dhe ndjeu deri edhe shijen e jelbët të lotëve në grykë. I gëlltiti, dhe ashtu, pak i hutuar, tepër i çuditur, eci akoma drejt. Pallati ishte i përfunduar? Nuk e kujtonte mirë! Një mendje i thonte se duhej të ishte përfunduar; ashtu e mbante mend. Ai kujtonte deri edhe familjet e reja të cilat, pasi kishin hyrë brenda apartamenteve, dilnin plot entuziazëm nëpër ballkone të cilëve u vinte akoma erë gëlqerje e freskët.
Edhe ato vetë, ishin strehuar tek pallati ngritur me kontribut vullnetar, vetëm falë faktit se ai pallat që tani po e shihte ndryshe, ishte përfunduar. Ndërsa tani, tek ecte, i hutuar, po pikaste tepër i habitur, se ai ishte akoma i papërfunduar. Hidhte sytë andej këndej dhe shikonte puntorët tek punonin akoma nëpër katet e zhveshura dhe pa suva. Ç po ndodhte? Ata kishin marrë shtëpi, por pallati ishte akoma i papërfunduar?! Ç ishte ky dyzim kohësh? Për ç arsye? Ishte përtej kohës, apo ishte andej tutje, kohës pra? “Nuk po kuptoj asgjë!” mërmëriti mes dhëmbëve. Tullat e kuqe, të cilat tani i kishte fare afër, nuk ishin suvatuar akoma me granit dhe ai, po ecte ndoshta mbi të shkuarën? Kokën e kishte lëmsh. Diku dëgjohej fërshellima e një mjeshtri, diku tjetër zhurma e një çekani që godiste mbi një gozhdë. Pak më tutje, ndjehej zhurma e lopatave që trazonin llaçin. Po a ishte përfunduar pallati apo jo? Më duket se po! Ai embante mend të përfunduar. Djali pyeste vetveten si përgjumësh, dhe ndërkohë, i mpirë krejt, vazhdonte të ecte përpara. Edhe ambjenti përreth nuk ishte më pranveror. Bënte fresk dhe tutje, gjethet e një peme ishin krejt të verdha. Ishte një plep. I njëjti plep që pak më parë i kishte pasur gjethet jeshile, plot linfë të gjelbër pranverore. Nuk po kuptonte asgjë. Tani, në vend të zbrazëtisë së tmerrshme në shpirt, në vend të dhimbjes së ngurtësuar në gjoks tani ndjente habi, kurjozitet dhe tani. Një si çiltërsi e panjohur, sikur të ishte një thys plot aromë të mirë, po i çelte në zemër. “Ku jam”?! desh pyeti. Këmbët ecnin përpara si të drejtuara nga një forcë e panjohur. “Ku po shkoj?!” vazhdonte të thoshte. “Nuk po kuptoj asgjë….”!
2.
“Na thuaj Nish, ç ndodhi pra. Rrëfehu”! Kemi gjithë mëngjesin që po të lutemi të na rrëfesh. Ai rrinte si i shushatur. Shikonte me sytë e përhumbur nënën, gjyshin, motrën, dajën. Nuk dinte nga t’ia fillonte.
“E takova!” tha më në fund.
“Kë takove Nish, flit. Pash Zotin se po na luan mendësh!”.
Ai e pa drejt në sy. Ishin tek guzhina, ulur mbi minderin pranë sobës. “Po ecja drejt pallatit që baba kish kontribuar mbasditeve për ta ndërtuar, pak muaj më parë. As vetë nuk e kuptova por u gjenda pranë hyrjes, si dikur kur i dërgoja bukën në orën e drekës. Mendjen e kisha në vend, po ecja, dhe nuk po kuptoja asgjë. Aty për aty sikur mu zhduk nga kujtesa bindja se pallati kishte mbaruar, aty po punohej ende. Por ne e dimë mirë që pallati ka përfunduar se vetëm falë atij pallati ku babai kontriboi na dhanë hyrje të re. Nuk e di për besë!”
“Nish. A je në vete a po flet përçart?!” ia preu nëna e tij fjalën sepse iu duk fare normale që djali po delironte. Në fillim kish qenë heshtja, dhe ja tani, e folura pa mënd!”
“Nuk po gënjej!” e ngriti zërin fort djali, i cili u ndje i ofenduar nga mungesa e besimit për ç po rrëfente. Nëna nuk bzajti më. Pastaj me vështrimin tejet kurjoz e la të fliste akoma. “Puntorët po punonin akoma. Ishin zhytur në një heshtje të çuditshme. Nuk e di?! Isha si në ëndërr tek ecja. Isha krejt i mpirë, i ndërgjegjshëm por në të njëjtën kohë edhe i pa ndërgjegjshëm. Krejt i hutuar, sikur dikush të ma kishte marrë mendjen, ecja gjithnjë përpara. – A jam i marrë apo jo? – i thoja vetes, ndërkohë vazhdoja të ecja përpara, drejt të panjohurës. Por thellë vetes time e dija. Ai pallat ishte përfunduar prej shumë muajsh, njerëzit banonin aty tashmë. Nuk po kuptoja asgjë. Punëtorët përreth nuk përgjigjeshin, dikush rrinte fare i ngrirë sikur të ishte një fotografi me ngjyra. Eca drejtë dhe e pashë….!”
“Kë pe?!” e pyeti nëna me tmerr. I kishte sytë krejt të zgurdulluar.
“E pashë po të them…
“E pamundur…” vazhdoi ajo duke lëvizur nga vëndi. “E pabesueshme!” por e njëjta forcë që e shtynte të mos e besonte, të mbështetej mirë tek ligjet e jetës, ku gjithçka që ikte nuk kthehej më kurrë; në të njëjtën kohë, po e njëjta forcë e shtynte gjithashtu ta dëgjonte me tmerr. Me një kureshtje e cila i kalonte kufijtë njerëzorë. Djali heshti pë një çast. Pastaj u gëlltit dhe e pa drejtë në sy. Nëna e tij e cila e njihte mirë deri thellë, pikasi se nuk ikishte më sytë e trishtë si më parë. Ato bebëzat ngjyrë mjalti tani kishin një qetësi të re, të çuditshme, dhe ajo pati një fërgëllimë në trup. Lëkura iu rrënqeth e tëra nga një tmerr i ri. “E pamundur!”
“E pashë po të them dhe folëm!” u përgjigj agresiv djali.
Nëna nuk tha më asgjë. Si e ngrirë nga habia, dukej sikur ajo vetë kishte harruar të merrte frymë dhe tani, me Nishin përballë po mundohej të gjente shenjat e çmendurisë në fytyrën e tij. Nuk po i gjente.
“Iu afrova me një qetësi krejt të panjohur!” Vazhdoi rrëfimin djali. “Në atë çast kisha harruar, ose më mirë të them, më ishte fshirë krejt nga kujtesa që nuk ishte më në mes të të gjallëve. Më buzëqeshi si përherë. Nuk e di për besë. Dikush ma kishte fshirë nga kujtesa fatkeqsinë!”
“Ç’ të tha?!” nuk iu durua nënës.
“Diçka….!”
Nënës po i kumbonin veshët. Nga emocjoni rrinte tani krejt e shtangur sikur ajo vetë të kishte hyrë në një dimensjon tjetër kohor. “E pabesueshme!” mërmëriti ajo duke lëvizur buzët krejt të mpira nga tmerri, sikur në to mos të kishte më asnjë fije gjak.
“Nënë, duhet të më besosh. As vetë nuk e di pse? Kisha prej shume kohësh që dëshiroja të më shfaqej në ëndërr. Por qielli bëri të mundur ta takoja në një formë krejt të panjohur. Nuk po flas përçart, të betohem. Aty ndjehesha si i rrëmbyer nga dikush, jo më padron i lëvizjeve të mia, i mendimeve të mia. Ishte sikur të sundohesha tërësisht, nga një forcë shumë më e madhe se ajo e imja. Dikush më udhëhiqte. Dhe ai pallat ku punoi, tashmë, nuk ishte ende i përfunduar. Por nuk ishte as koha e shkuar. Ishte krejt ndryshe. Nuk di ç të them. Gjithçka, ishte njëlloj por edhe ndryshe. Nuk e di për besë, nuk e di si ta shpjegoj….!”
Mbasi tha këto fjalë djali heshti. Heshtja që u pllakos ishte heshtja plot ankth e të pabesueshmes. Heshtja e sikletshme e të panjohurës që tmerron të gjallët. Heshtja e frikshme e mrekullisë që tremb dhe trondit.
Por gjëja më e çuditshme ishte se heshtja e tij, nuk ishte më heshtja e adoleshentit të vetmuar, i cili nuk gjen paqe nga një dhimbje kaq e madhe. I cili nuk din me ç ta mbushë zbrazëtinë e një humbje kaq të madhe. Ishte heshtja e një njeriu që tashmë dinte, ishte i qartë. Ishte heshtja e njeriut që nuk e njihte më vetminë kozmike, zbrazëtinë rastësore në univers, ku mendonim se ishim krejt jetimë. Atij i kishin treguar, por se kush dhe se pse, nuk kuptohej. Ishte pra, heshtja plot shpresë. Por jo ajo e besimeve fetare. Ishte heshtja plot me besim kozmim, gazi pa fund, dhe bindja se nuk ishte i vetëm. Se kurrë nuk kishte qenë i vetëm dhe se nuk kishte shanc që ai t’a mendonte një gjë të tillë.
Në ditët që vijuan, shokët, miqtë, filluan të habiteshin me gjallërinë e tij aq të papritur. Ku shkoi gjithë ai hidhërim? Ç ishte gjithë ajo hare e fshehtë, ashtu, si kot, sikur të vuante nga skizofrenia.
“Besomë. Nënë!” Vazhdonte t’i thonte ai dhe e shihte drejt e në sy. Nëna nuk dinte ç ti thoshte. Rrinte krejt si e shushatur, me një përzierje mes habisë, mosbesimit dhe pyetjeve, të cilat me insistim ia godisnin fort ndërgjegjen.
“Askush nuk duhet t’a marri vesht këtë histori”, i pëshpëriste shpesh. “Do të të marrin për të lojtur dhe do të të shohin si të çmendur”!
“Ç’më duhet mua, ç mendojnë të tjerët”?!
“Ty ndoshta jo. Por të tjerëve po. Kur të të gjykojnë si të marrë, kur të aneksojnë nga grupet dhe të shohin me sytë e një të gjori, atëherë, do ta shohësh se sa probleme ke për të pasur. Ndaj mbylle gojën”!
Nish-i ngriti sytë dhe pa përtej xhamit të dritares . Qielli po mbushej me re dhe era e fortë dërgonte andej këndej, si fare pa llogjikë, tufa zogjsh fare të hutuar, të cilët me sa duket nuk dinin as vetë çtë bënin.
Please follow and like us: