Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: PEMË E DJEGUR RRUFEJE…

Pemë e mbetur trung, djegur rrufeje,
me plagë të gjakosura, të paepshme,
tharë, hirnosur, zezuar hobeve.
Harresa nuk të vuri dot poshtë para kohe, ngase e tërhoqi zhakthi trupin tënd,
mu si një fjollë të vetmuar mjegulle …
Pemë e mbetur cung, djegur rrufeje,
me ndriçime vetëtimash nëpër deje,
frikësuar më shumë se unë,
pa ëndërra, pa këngë, pa lëng,
me brengën që s’çel dot gjethe,
me trishtimet – zgavra, plagë foleje …
Pemë me sy të mëdhenj, bërë agull,
si të jetë lodhur limfa e cokatur,
qē klith në trup e krat,
mbi sytha bisqesh a xixa zjarr,
cytyr shpërthimesh përqark,
përvëluar në pamund, gjakim çmendurak.
Mos e qortoni pemën djegur rrufeje,
qëndrestare të paepur beteje,
luftoi si askush, e tërbuar, e vetme
me fatin e vet zemërak!
Ai trung – cung, djegur rrufeje,
pret të fryjë era e mbarë,
të ikë pa kthim, si një varkë,
të ikë larg, kush e di se ku?
Larg …
Please follow and like us: