Agim Xh. Dëshnica: In memoriam, Ramadan Pasmaçiu!
Në mëngjes të djelën, 31 tetor në Tiranë, u nda jeta Ramadan Pasmaçiu, shkrimtari i mirënjohur në letërsi për fëmijë e të rritur. Ramadan Pasmaçiu u lind në Berat më 26 shkurt 1938. Shtatëvjeçaren e kreu në shkollën e tregut të vendlindjes. Në dhjetor 1955 mbaroi teknikumin e naftës në Kuçovë. Në shtator 1957 me rekomandim të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për prirje të veçanta letrare u dërgua në degën e gjuhës e letërsisë shqipe në fakultetin Histori- Filologji. Pas diplomimit u emërua drejtor i shkollës së Shëngjergjit të Tiranës, prej nga u tërhoq në gazetën”Bashkimi”, tek punoi gjer në vitin 1966. Më tej shërbeu në gazetën “Mësuesi” dhe 18 vjet kryeredaktor i revistës letraro-artistike për fëmijë “Yllkat” që nga krijimi i saj.
Shkrimtari Ramdan Pasmaçiu do të kujtohet si një nga krijuesit që ka lëvruar me sukses të gjitha gjinitë letrare, ku ka marrë shumë çmime të para. Në vitin 1987 ai meritoi çmimin “Migjeni” për romanin në katër vëllime “Udhëve të fëmijërisë”.
Me vendosjen e demokracisë në vendin tonë, krijimtaria e tij mori një vrull të ri. Veprat që ka botuar në këta vite janë të shumta, përmendim vetëm disa prej tyre si “Dashuria e nënës”, “Mësuesja”, “Kush rron duke shpresuar“, “Ju flas me zemër të hapur”, ”“Maratonomaku”. Gjithashtu ai publikoi romanet: “Përtej kohës”, “Shtjellat e bardha”, “Flaka e shpresës”- kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë. Për këtë vepër ai u nderua me dekoratat “Nderi i Qarkut të Beratit”, “Fisnik i qytetit të lashtë” dhe nga qyteti i Prizrenit me dekoratën “Mirënjohje”. Arriti të botonte vetëm një nga katër librat autobiografikë me titull: “Rrënjët e Zemrës” i cili është në vetvete shuplakë e fortë për diktaturën, thirrje për të ruajtur të gjallë kujtesën, përpjekje për t’i dhënë kombit diçka të vlerë.
Ramadan Pasmaçiu do t’u mungojë dhimbshëm pjesëtarëve të dashur të familjes e të afërmeve me të cilët jetoi e bashkëpunoi gjatë krijimtarisë së tij; do t’u mungojë miqëve të vjetër e të rinj, të cilët e deshën aq shumë atë njeri bujar e fisnik. Ramdan Pasmaçiu shkrimtar i palodhur do të jetojë me nëpër veprat e tij me vlera kombëtare e me gjuhën e bukur shqipe.