Von Cramon: Kosova dhe Republika Serbe janë të pakrahasueshme
Beograd, 8 nëntor 2021 – Eurodeputetja Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova dhe Republika Srpska nuk duhet të krahasohen apo të vihen në të njëjtin rrafsh në asnjë mënyrë.
Zonja von Cramon i ka thënë rrjetit televiziv Al Jazeera se këto janë sy çështje të veçanta dhe se Bashkimi Evropian merret veçmas me Bosnjën e Hercegovinën dhe me dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Nuk dua të spekuloj se entiteti boshnjak i Republikës Serbe duhet të jetë monedhë për koncesionin e Serbisë ndaj Kosovës. Ne kemi nevojë që këto vende të shkojnë drejt demokratizimit të tyre, zgjidhjes paqësore të çështjeve të brendshme dhe zbatimit të plotë të reformave që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian dhe jo drejt krijimit të vazhdueshëm të tensioneve dhe nacionalizmit”, ka thënë ajo.
Von Cramon ka thënë se Ballkani Perëndimor sot nuk është as më mirë dhe më afër Bashkimit Evropian, pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për ta sjellë atë “në klubin evropian sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Kriza aktuale na kujton neve në Bashkimin Evropian se sa i rëndësishëm është rajoni i Ballkanit Perëndimor për sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm evropian. Ka shumë çështje në rajon, por dy janë më komplekse: dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe Bosnjë-Hercegovina. Të dy çështjet kanë tërhequr shumë vëmendje, pas krizës së fundit në veri të Kosovës dhe krizës së vazhdueshme institucionale në Bosnjë e Hercegovinë”, ka theksuar ajo.
Von Cramon ka thënë se në Bashkimin Evropian ka shkaktuar shumë shqetësime paralajmërimi i anëtarit serb të Presidencës tre-anetarëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, se Republika Serbe do të ndahet nga Bosnja.
Ajo ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj të gjithë atyreqë cenojnë sovranitetin e Bosnës e Hercegovinës.
“Kjo është thjesht e papranueshme dhe rrezikon gjithë përparimin që është bërë në periudhën e pasluftës. Bosnja e Hercegovina është ende shumë e brishtë, por edhe çështje komplekse, prandaj ne po e monitorojmë nga afër situatën atje dhe po kërkojmë një përgjigje të fortë evropiane, pra sanksione për të gjithë ata që cenojnë sovranitetin e vendit”, kja thënë euro-deputetja gjermane, Violavon Cramon