Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: LUFTËTARI PA VARR

 

(Kushtuar luftëtarit Maliq Sula nga Zall Dardha e Dibrës)

 

Në vitin 1916  Maliq Sulën nga Zall Dardha dhe dy shokët e tij Ahmet Lilën dhe Tahirin  i arrestoi nemcja (austro-hungarezët) për mosbindjet e tyre ndaj pushtimit dhe i dërgon në Orosh të Mirditës.

Maliqi arrin të largohet, por austriakët i arrestojnë të shoqen në fshat.

Maliqi e la malin ku kishte dalur kaçak dhe shkoi drejt e në postkomandën e austro – hungarezëve.

– Kush je ti dhe përse ke ardhë ? e pyeti postkomandanti austriak.

– Unë jam Maliq Sula, por ju nuk e di se kush jeni. As vetë ju nuk e dini dhe nuk keni si ta dini se ju jeni njerëz që merreni me gra të pafajshme e me fëmijë. Kanuni ynë dhe ligjet tona shqiptare nuk e lejojnë një gjë të tillë. Bëni çfarë të doni me mua, por lironi gruan të shkojë në shtëpi te fëmijët.

Komandanti i austro – hungarezëve e njihte psikologjinë e shqiptarëve dhe të dibranëve ku ishte dislokuar.

– Arrestojeni këtë rebel dhe lirojani të shoqen, urdhëroi ai.

Maliqin e dërguan në një burg në malet e Pukës. Atje në pyjet e larta austro – hungarezët kishin ngritur një gatër të madhe që e shfrytëzonin për vehten e tyre. Shfrytëzimin e bënin me të burgosur. Të burgosurit bënin punë shumë të rënda, transportonin trupa në krahë. Gjatë punës Maliqi dhe shokët e tij lidhën besë me Oroshasit dhe kanë organizuar kurthin e largimit. Kanë porositur Demirin që të mos e ngrejë trupin, që ta ndërpresë punën, që të afrohej ushtari i nemces për të parë. Kështu ka ndodhur.  Kur ushtari është afruar, ata e kanë goditur në kokë me levë dhe më pas ja kanë shtypur kokën me trup ahu dhe me gurë se me pushkë bëhej zhurmë. Nga gjaku i rrjedhur, Maliqin e zë gjaku dhe  nuk ngrihej dot. Rojet e tjera po afroheshin dhe do t’i vrisnin. Aty ka ndërhyrë me forcë Ahmeti, kushuriri i Maliqit dhe e ndihmon që të largohen. . S’kishin fuqi as të vraponin e të largoheshin sepse  vetëm 40 gram bukë e një filxhan kafe në ditë kishin racion ditor.

Pasi kanë mbytur ushtarakun  kontrollor austriak janë larguar me shpejtësi për në Spaç të Mirditës sepse një nga shokët e Maliqit ishte nga Spaçi. Shoku tjetër ishte nga Oroshi. Por ata ishin në gjak me njëri tjetrin.

Vëllezër, u drejtohet me ton dhe burrëri Maliqi. A e kuptoni se ç’po bëni. A e kuptoni se kujt i shërben hasmëria juaj ? Ne në Dibër në raste sulmi nga hasmi i huaj i falim gjaqet dhe bashkohemi në luftë kundër hasmit që na ka shkelur trojet tona. Po ju mirditasit nuk jeni shqiptarë si ne ?   A nuk e luftoni armikun njëlloj si ne ? Bashkoni duart dhe pajtohuni. Lufta na kërkon që të jemi të bashkuar. A do të mund të shpëtonim ne të gjithë së bashku nga burgu, po të mos lidheshim me besa besë e të mos mbanim besën ?

Oroshjani dhe spaçjani bashkuan duart dhe u pajtuan.  Maliqi me shokë i lehtësuar se kishte shpëtuar nga vëllavrasja dy familje u nis për në shtëpinë e tij në Zall Dardhë. Nga Spaçi në Orosh. Nga Oroshi te Sali Buci dhe nga  Saliu te Bajram  Lusha. Ky i fundit solli lajmin  e shpëtimit të Maliq Sulës, që konsiderohej i vdekur.

Ushtarët  e nemces e arrestuan përsëri Maliq Sulën dhe këtë herë nuk dihet se çfarë u bë me të. Ai edhe sot është luftëtar pa varr.

 

 

Please follow and like us: