Yuri Kim: Do të ketë non grata edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim deklaroi për gazetaren Anila Hoxha në Top Channel se shpallja “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjarët e tij nga SHBA-të u mbështet vetëm në fakte, duke theksuar se një vendim i tillë erdhi përmes një procesi shumëvjeçar të shqyrtimit të gjithë informacionit.
E pyetur nga gazetarja Hoxha se çfarë ndodh në marrëdhënien e SHBA-së me PD-në, nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj, znj.Kim theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do angazhohen me askënd që është shpallur për korrupsion madhor nga Sekretari i Shtetit, duke theksuar më tej se kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka të bëjë fare me individët.
Ajo tha se SHBA-të nuk do ta braktisin Shqipërinë, jo vetëm nga fakti se është bërë një rrugë e gjatë, por edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe qeveria amerikane kujdeset sigurisht që mos ta lërë mënjanë këtë.
Intervista e plotë:
Top Channel: Zonja Ambasadore, në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, a jeni e kënaqur me nivelin e tyre?
Ambasadorja Yuri Kim: Jam shumë e kënaqur me nivelin e marrëdhënies SHBA-Shqipëri. Mendoj se gjëja e mrekullueshme është që ka potencial të jashtëzakonshëm dhe siç e dini, kemi punuar shumë fort për të rritur nivelin e bashkëpunimit tonë për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Dhe mendoj se kemi bërë përparim shumë të mirë vitet e fundit. Mendoj se ajo që duam të bëjmë gjithmonë është të mbajmë fokusin tek e ardhmja. Ndaj, kur shikoj se çfarë është e mundur vitet e ardhshme, jam shumë shpresëplotë për 30 vitet e ardhshme.
Top Channel: Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për t’i çuar përpara këto marrëdhënie, përtej deklarimeve për rëndësinë strategjike të tyre?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se është pyetje me shumë vend. Mendoj se veprimet flasin shumë më fort se fjalët dhe ndaj na keni parë vitet e fundit të bëjmë përparim të vërtetë, të ndërmarrim veprime të vërteta. Në lidhje me demokracinë, këtu e kemi fjalën për forcimin e institucioneve të demokracisë, të cilat përfshijnë reformën e gjyqësorit. Disa nga institucionet që nuk funksiononin plotësisht tani po funksionojnë dhe po fillojmë të shohim disa rezultate në drejtim të demokracisë. Në lidhje me mbrojtjen, e patë më herët këtë vit që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, së bashku me disa aleatë dhe partnerë të tjerë, zhvilluan stërvitjen më të madhe, shumëkombëshe, drejtuar nga SHBA ndonjëherë në histori, me pjesën më të madhe të këtyre stërvitjeve të organizuara në Shqipëri. Ndaj jemi shumë krenarë për këtë dhe presim me kënaqësi të mbështetemi tek kjo arritje për më shumë. Në frontin e biznesit, kemi pasur disa zhvillime shumë të mëdha këtu, përfshi perspektivën e një hidrocentrali të madh ndërtuar nga një kompani amerikane në Skavicë dhe pastaj, mundësisht, një projekt shtesë energjie në Vlorë. Përtej kësaj, ka edhe më shumë shenja për investime nga SHBA në Shqipëri. Sigurisht që ka një dëshirë nga bizneset amerikane që të hyjnë në Shqipëri, por ajo që na nevojitet vërtet për këtë është sundimi i ligjit. Rregullat duhet të jenë të qarta. Proceset duhet të jenë transparente dhe të drejta. Dhe nëse ka mosmarrëveshje kontrate, kur kompanitë amerikane të shkojnë në gjykatë, ato kanë nevojë të dinë që gjykatat janë të pastra, që vendimet janë logjike, dhe që gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë të korruptuar. Kështu të gjitha këto janë të ndërlidhura.
Top Channel: Çfarë do të bëjë SHBA për t’i çuar përpara këto marrëdhënie?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se do të shikoni shumë më tepër angazhim nga Uashingtoni dhe kjo do të thotë që do të keni më shumë vizitorë këtu, siç patë javën e kaluar dhe pak javë më parë; do të keni më shumë gjeneralë që do të vijnë të shohin vendin dhe të kenë diskutime me homologët e tyre këtu. Shpresoj që vizitat do të zhvillohen edhe në drejtimin tjetër. Përtej kësaj, do të doja të sillnim më shumë njerëz të biznesit amerikan këtu, për të parë se çfarë mund të bëjmë jo vetëm në Tiranë. Siç e dini, pak muaj më parë isha në Shkodër, isha në Dibër dhe e dini që shkoj në jug në Vlorë dhe Fier. Do të doja që të gjitha këto vende të jenë të hapura për bizneset amerikane. Është mirë për ne, është mirë për ju. Duam më shumë vende pune, duam më shumë mundësi që njerëzit të fitojnë para, por përsëris, kjo do kërkojë disa vendime të forta për pastrimin e gjykatave dhe largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga gjykatat.
Top Channel: Si e shikoni rolin e Shqipërisë në rajon dhe jo vetëm në kuadrin e nismës Ballkani i Hapur?
Ambasadorja Yuri Kim: Roli i Shqipërisë po rritet. Në rajon, jemi shumë të kënaqur të mbështesim Ballkanin e Hapur dhe nisma të tjera rajonale që rrisin ndërveprimin midis të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe çelësi është që këto nisma duhet të jenë të hapura për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne vazhdojmë të mbështesim fort integrimin e Shqipërisë në BE dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Besojmë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se duhet të zhvillohet Konferenca Ndër-Qeveritare përpara fundit të vitit. Do të shtyjmë fort për këtë. Roli i Shqipërisë shtrihet përtej rajonit dhe ky është një zhvillim i ri. Me të ardhur 1 janari 2022, për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organi më i lartë i kësaj organizate ndërkombëtare. Kështu, Shqipëria do të ulet përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë. Pra, është diçka shumë e madhe dhe ne presim me kënaqësi të punojmë edhe më ngushtë me Shqipërinë për çështje anembanë botës.
Top Channel: A mendoni se roli i SHBA bëhet edhe më i rëndësishëm sot për rajonin duke qenë se BE nuk po kapërcen dot pengesat e brendshme për ta çuar përpara integrimin e rajonit? Si e shpjegoni që në kushtet kur pale të treta jo aq miqësore, BE prapë nuk çon përpara interesat strategjike të saj dhe të rajonit?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë interes të fortë këtu. Në çastet kur ka qenë më e domosdoshme, për shembull gjatë viteve 1990, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të qartë që interesi ynë është të kemi një rajon të Ballkanit Perëndimor dhe një Europë që është e lirë, e plotë, dhe në paqe me veten dhe mendoj se do të shikoni që Shtetet e Bashkuara do të angazhohen më shumë se kurrë. Në fakt, sot, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar është në rajon, duke u përpjekur për çështjet në Bosnje, dhe besoj se shumë shpejt do të vijë edhe në Shqipëri.
Top Channel: Në fjalimin e tij në Glasgow në COP26, ku Presidenti i SHBA bëri zotime të rëndësishme, Kryeministri Edi Rama kërkoi që vendet e mëdha të bëjnë më shumë sepse janë edhe ndotësit më të mëdhenj. A jeni dakord?
Ambasadorja Yuri Kim: Do t’i shikoni Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të jenë udhëheqëse për ndryshimet klimatike. Mendoj se është shumë domethënëse që i Dërguari i Posaçëm yni për Ndryshimet Klimatike është një ish-Sekretar Shteti, John Kerry. Kjo tregon se e kemi shumë seriozisht për ndryshimet klimatike dhe e pranojmë si ekonomia më e madhe e botës, dhe si vendi më me ndikim në botë, kemi një përgjegjësi të posaçme, ndaj do të vazhdoni të na shihni të udhëheqim.
Top Channel: Shqipëria dhe SHBA po çojnë përpara një projekt madhor si Skavica si dhe ai i gazit të lëngshëm në Portin e Vlorës. A do të keni projekte të tjera?
Ambasadorja Yuri Kim: Ashtu besoj por, përsëris, duhet që Shqipëria të joshë. Me fjalë të tjera. Do doja shumë të mjaftonte që nëse ambasadori amerikan thotë ‘duhet të vini’ dhe të gjithë të vijnë. Nuk mjafton. Bizneset marrin vendime bazuar tek risku dhe përfitimi. Prandaj, një nga gjërat që shohin bizneset në Shqipëri është gjendja e gjykatave, gjendja e të drejtave të pronave, dhe se sa të thjeshta dhe të qarta janë procedurat. Prandaj ne nxisim kaq fort nga ana e ambasadës amerikane për zgjidhjen e të drejtave të pronësisë dhe mendoj se do të jetë sfida më e madhe ligjore dhe politike që ky vend do të duhet të trajtojë me qëllim që të normalizohet. Shqipëria duhet të jetë një vend normal, ku njerëz normalë dhe vende normale dhe kompani normale të ndihen rehat të vijnë dhe të thonë, “e dini, do t’i investojmë këtu paratë.” Ndaj ky është një fokus parësor për ne tani.
Top Channel: Mund të na thoni diçka më shumë për vizitën e anëtarëve të Kongresit të SHBA që sapo janë larguar? Një numër i konsiderueshëm i tyre, nga të dyja partitë kryesore në SHBA.
Ambasadorja Yuri Kim: Po, e dini, anëtarët e Kongresit udhëtojnë nëpër botë hera herës për të parë me sytë e tyre situatën dhe për të biseduar me udhëheqës. Dje, kishim katër anëtarë, tri ishin nga Dhoma e Përfaqësuesve, një demokrat dhe dy republikanë, dhe pastaj edhe një senatore, republikane. Jam krenare për faktin që ligjvënësit amerikanë janë në gjendje të punojnë bashkë përtej përkatësive partiake kur vjen fjala tek politika e jashtme dhe çështje të interesit kombëtar, janë në gjendje të ngrihen mbi politikat partiake dhe të përpiqen të gjejnë pika të përbashkëta. Ka disa arsye pse erdhën në Shqipëri. Arsyeja më imediate ishte se kishin dëgjuar për atë që po bënin qeveria shqiptare dhe populli Shqiptar për të strehuar afganët në rrezik. Mendoj se u mrekulluan kur dëgjuan historinë e Shqipërisë, traditën tuaj të mikpritjes, por edhe traditën për t’u kujdesur për ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë kur e kërkojnë. Dhe erdhën, vizituam disa nga afganët që janë evakuuar. Patën një diskutim të gjatë. Më pas, patën takime zyrtare me Kryeministrin Rama dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Diskutimet ishin shumë të frytshme; nuk jemi në një mendje për gjithçka, por besoj se e dimë që kjo marrëdhënie ka kaq shumë për të ofruar dhe se bashkëpunimi ynë me qeverinë është i rëndësishëm, por edhe zëri i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i nevojshëm në demokraci.
Top Channel: SHBA kanë pasur marrëdhënie të mira me thuajse të gjitha qeveritë shqiptare të partive të ndryshme, PD dhe PS. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit ka deklaruar ish-Kryeministrin Sali Berisha non-grata, një figurë e rëndësishme dhe bashkëpunëtor i ngushtë juaji. Si e shpjegoni?
Ambasadorja Yuri Kim: Ne shohim faktet dhe nuk shohim partinë politike të dikujt. E di që ka disa teori konspirative sikur kjo vë në shënjestër një krah apo tjetrin. Do vija në dukje që deri më sot janë katër persona që janë shpallur nga Sekretari i Shtetit, besoj nga 2018. Dhe shumica e tyre nuk janë me Partinë Demokratike, pra, partia s’ka fare të bëjë me këtë. Ne shohim faktet; e gjitha kalon në një proces shumëvjeçar zakonisht, ku shqyrtojmë të gjithë informacionin. Vendimmarrësit bëjnë më shumë pyetje dhe në çastin kur vendimi arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, pavarësisht kush është, ne jemi 100 përqind të sigurt. Dhe fakti është po ashtu që kur dikush shpallet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë; shikoni edhe të tjerët që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur në botë; në atë listë nuk është askush që njerëzit e shohin shpalljen dhe mendojnë: kjo qenka mister. Nuk është mister. Faktet janë përpara syve. Ndaj ne jemi shumë të bindur me shpalljet tona dhe duhet t’ju them që Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë përmes disa prej Urdhrave Ekzekutivë të tij dhe një Proklamate Presidenciale në qershor që, për Shtetet e Bashkuara, korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Duam që partnerët dhe aleatët tanë si Shqipëria të jenë të fortë dhe të sigurt, të jenë demokraci të vërteta. Korrupsioni është pengesë për këtë. Ndaj, nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë “A do ketë shpallje të tjera?”, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë në këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim. Kemi bërë rrugë tepër të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe Qeveria Amerikane kujdeset aq sa të mos ta lërë mënjanë këtë.
Top Channel: A do të kemi shpallje të tjera non-grata? A do të përfshihen edhe ndëshkimet nga Departamenti i Thesarit?
Ambasadorja Yuri Kim: Kemi një numër mjetesh në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – shpalljet nga Departamenti i Shtetit, shpalljet nga Departamenti i Thesarit, si dhe të tjera. Ndaj, të shohim. Është proces shumë i mbyllur, pra shumë konfidencial dhe nuk kam ndonjë informacion që mund ta ndaj me ju këtë moment.
Top Channel: Çfarë ndodh në marrëdhënien tuaj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj?
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.
Top Channel: A e mbështet SHBA kryetarin e PD, Lulzim Basha?
Ambasadorja Yuri Kim: Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.
Top Channel: Cilat janë problemet kryesore që doni që Shqipëria të korrigjojë? Flitet shumë për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ambasadorja Yuri Kim: Keni identifikuar thelbin e problemit në Shqipëri. Kam qenë për thuajse dy vjet këtu dhe kanë qenë shumë të veçantë dhe shumë të mrekullueshëm. Shoh inteligjencën, sa fort punojnë dhe gëzimin e popullit shqiptar. Ndjej shpresën e tyre, por ndjej edhe frustrimin e tyre dhe Shtetet e Bashkuara, si mike dhe aleate e Shqipërisë dhe si mbështetëse të popullit shqiptar dhe dëshirës së tyre për demokraci, duam të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju mbështetur që ky vend të jetë sa më i drejtë që mundet, sa më demokratik që mundet, sa më i fortë që mundet, dhe sa më i pasur që mundet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesa në atë rrugë. Ndaj nuk është aksident që në të gjitha raportet tona që nxjerr Departamenti i Shtetit, ne e identifikojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar si shqetësime serioze. Ndaj, do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë, do të vazhdojmë të punojmë me opozitën, do të vazhdojmë të punojmë me shoqërinë civile, do të vazhdojmë të punojmë me organizatat ndërkombëtare për t’i trajtuar këto çështje. Synimi ynë nuk është vetëm të identifikojmë problemet apo të kritikojmë, kjo është e lehtë. Qëllimi ynë është të punojmë me partnerët për të korrigjuar problemet në mënyrë domethënëse dhe të vërtetë.
Top Channel: A jeni e kënaqur me punën e SPAK sot, thuajse dy vjet nga ngritja e tij?
Ambasadaroja Yuri Kim: Keni të drejtë, SPAK po i afrohet dyvjetorit dhe do lë Arben Krajën të ofrojë informacionin e plotë se sa përparim është bërë. Për pjesën tonë, siç e dini, Shtetet e Bashkuara kanë investuar jashtëzakonisht shumë në reformën në drejtësi. Jemi shumë të kënaqur të shohim SPAK që funksionon dhe po fillon të japë rezultate. Deri tani, mbi 250 persona janë dënuar, janë futur në burg. Mbi 80 milionë euro asete janë konfiskuar me sukses. Pra kaq janë konfiskuar në dy vite. E dini krahasimin me të shkuarën? Nga 2011 në 2019, u konfiskuan 20 milionë euro. Pra, dallimi është shumë i madh. Mendoj që edhe publiku ka parë disa raste të profilit të lartë që janë shpallur. Dhe jemi të kënaqur që kur SPAK shkon në gjykatë, fitojnë 90 përqind të rasteve. Është nivel shumë i lartë suksesi. Do të vazhdojmë të mbështesim fort përpjekjet e SPAK-ut. Jemi të kënaqur ta shohim Byronë Kombëtare të Hetimit të plotësuar me hetuesit e saj. Kjo do të ndihmojë shumë dhe do të vazhdojmë të nxisim të gjitha institucionet, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, të kryejnë detyrën, përfshi nëpërmjet procesit të vetingut.
Top Channel: Mendimi juaj për punën e organeve të vetingut si dhe mandatin e tyre?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj që është në proces diskutimi ndaj nuk do them më shumë. Mendoj se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje është i qartë.
Top Channel: Shumë faleminderit