Kryeministri Kurti takohet me Zëvendës-Presidenten e SHBA-së, Kamala Harris
Paris, 12 nëntor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Zëvendës Presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, janë takuar të enjten në mbrëmje, në darkën solemne që ka shtruar Presidenti francez Emmanuel Macron për pjesëmarrësit e Forumit për Paqe që po mbahet në Paris.
Kurti dhe Harris janë shoqëruar nga bashkëshortet e tyre.
Kryeministri i Kosovës i ka publikuar disa fotografi nga forumi dhe nga takimet që ka zhvilluar në margjina të Forumit për Paqe.
“Dje dhe sot po marr pjesë në Forumin e Parisit për Paqe. Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë na pritën për një darkë solemne në Pallatin Élysée, ku, bashkë me gruan time Ritën, patëm nderin dhe kënaqësinë të takohemi me Zëvendës Presidenten e SHBA-së, Znj. Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar senë margjina të Forumit për Paqe është takuar edhe me liderë të disa vendeve të rajonit dhe botës”.
“Në Paris po diskutojmë për bashkëpunim dhe paqe me Presidentët Gjukanoviq e Komshiq e deri te Presidenti i Këshillit Evropian, z. Charles Michel e Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell”, ka theksuar ai.
Të enjten paradite, Kryeministri Kurti u është drejtuar pjesëmarrësvetë konferencës përmes një video-mesazhi.
Ai ka theksuar se është detyrë e liderëve, shkencëtarëve dhe aktivistëve që “të jenë përparimtarë”.
“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi përparimtarë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën”, ka deklaruar Kurti.