Skënder Demolli: LAMTUMIRË SHKRIMTARI DHE MËSUESI YNË I LETËRSISË, JANI JORO
Asnjë fund nuk vjen me duar bosh. Kështu edhe për mësuesin dhe shkrimtarin e letërsisë për fëmijë e të rinj Jani Joro, i cili para një muaji festoi 78 – vjetorin e lindjes, kur në 5 tetor 1943, filloi udhëtimin e tij në jetë në Dardhë të Korçës.
Një jetë plot punë e përpjekje, me aq gëzime e pikëllime, për humbjen para kohe edhe të bashkëshortes së vet, ku ngushëllim ishin arritjet dhe përfundimet me vlera, sidomos ato në truallin shpirtëror. Sepse Joro si mësues, por edhe më shumë si shkrimtar ishte njeri shpirtëror dhe na dhuroi libra të mrrekullueshëm, duke filluar nga romani për fëmijë “Grushti dhe njëshi” në vitet 70 – të, tregime për të rritur, romanin për të rinj “Gatuesi i shpirtrave” pas viti 90 – të dhe librin studimor kulturo- etnografik prej dy vëllimesh për Dardhën e Devollin, në fund të jetës së vet.
“Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për libra që janë si dritare, por edhe libra që janë pasqyrë”, thoshte shkrimtari Joro dhe, si i tillë i përkiste brezit të dytë të shkrimtarëve pas luftës, disa prej të cilëve dolën nga Fakulteti Gjuhë – letërsi i Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitet 60 – të, me të cilët libri shqip për fëmijë ishte me fat, sepse jo vetëm u interesuan për udhën që kishin çelur Rilindasit në këtë fushë, por e pasuruan dukshëm traditën gjatë zhvillimit të kësaj letërsie.
Duke na mësuar se me librin për fëmijë mbështesim moshën e fëmijëve, i respektojmë dhe i duam ata. Duke u dhënë libra të mirë fëmijëve ndërtojmë një të ardhme të bukur për qytetarët e nesërm dhe shoqërinë. Ekuilibrojmë themele jete – asaj personale me shoqërinë. Kjo përbënte besimin dhe shpresën edhe të shkrimtarit Joro, gjatë gjithë jetës që u muar me këtë letërsi dhe, këtë shpirt më mirë se në çdo krijim të tij e përgjithësoi te figura e mësuesit Bukëbardhi, në romanin “Gatuesi i shpirtrave”, i cili pa dyshim është një personazh i letërsisë shqipe.
Letërsia për fëmijë duke u mbështetur në karakteristikat e saj të veçanta ndryshon, por nuk është më poshtë se llojet e tjera të letërsisë. Vetë kryeveprat në letërsinë botërore dje dhe sot e dëshmojnë më së miri këtë. Dhe Jani Joro ishte një zë i veçantë, që do t”i mungojë kësaj letërsie, sidomos sot që ajo ka nevojë për një hap shkencor akademik dhe për më shumë pasion, përkushtim e përgjegjësi si ajo që e lindi para një shekulli, duke iu përgjigjur edhe propozimit të mësuesit e shkrimtarit të rrallë italian Xhiani Rodari në librin e tij “Gramatika e fantazisë” se “është nevoja që fantazia, të zerë vendin e saj në edukim”, ashtu siç bëri Joro dhe brezi i tij me veprën e tyre më të mirë.
Nuk mund të flasim për ndarjen e dhimbëshme të Jani Joros, ne ish nxënësit e tij dhe të mos shprehim pikëllim, por edhe mirënjohje, duke sjellë në kujtesë e duke sistemuar me këtë rast mjaft gjëra, ngjarje nga jeta shkollore, përkujdesin e fjalën e ngrohtë të mësuesit e shkrimtarit në hapat tona të para që na shoqëroi gjithë jetën.
Gjithashtu ngushëllim edhe për dy vajzat e tij, mbesave dhe nipërve, që edhe pse aq shumë i deshte ashtu si dhe ne, erdhi një ditë si kjo e sotmia që do të ndahej prej të gjithëve…
I pa harruar kujtimi i tij.
Nga ish – nxënësit – shkrimtarët Agim Isaku, Thani Naqo, Dino Spahillari dhe Skënder Demolli.
Please follow and like us: