ZËRI I AMERIKËS: KOSOVA MUND TË FTOHET NË SAMITIN E BIDENIT PËR DEMOKRACI…
Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci që organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden mëson Zëri i Amerikës nga burimet e saj në Washington.
Sipas Zërit të Amerikës s’ka konfirmim zyrtar akoma dhe se Departamenti i Shtetit su ka kthyer përgjigje atyre lidhur me këtë çështje.
Gazeta prestigjioze Politico kishte publikuar listën e shteteve që presidenti Biden kishte ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, por që Kosova nuk përfshihej në të.
Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.
“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.
Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.
Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.