DR. AIDA MARAJ, NJË KRENARI SHQIPTARE NË UNIVERSITETIN E MICHIGANIT
Dr. Aida Maraj, Pedagoge e Matematikës në Universitetin e Michiganit rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, eksperiencën e saj në mësimdhënie, projektin me përmasa ndërkombëtare ku Dr. Aida është bashkë-iniciatore e shkollës ndërkombëtare verore për metodat matematike në analizen e të dhënave që do të mbahet më 18-29 Korrik 2022 në Universitetin e Tiranës, analizon sistemin arsimor dhe kërkimin shkencor në Shqipëri dhe shprehet se eksperienca ndërkombëtare është një domosdoshmëri. Me Dr. Aida Maraj bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.
KËRKIMI SHKENCOR NË STATISTIKË ALGJEBRIKE
Puna ime është në statistikë algjebrike. Kjo është një fushë e algjebres që ndërthur disiplina të ndryshme e frymëzuar nga nevoja për metoda të reja efikase në statistikë kur ato klasiket nuk funksionojnë. Një gjë e tille ndodh shpesh kur modeli statistikor është mjaftueshëm i komplikuar apo kur modeli është me një numër të lartë të panjohurash (ndryshoresh). Ekspertiza ime është në të dyten, ku me anë të algjebres, kërkoj rregullin në modelet me dimensione të pafundme. Përqendrohem në zbulimin e veçorive algjebrike dhe gjeometrike të modeleve hierarkike dhe ato të Gausit.
NDARJA E NJOHURIVE ME BREZAT E RINJ
Pjesë e rëndësishme e jetës akademike është ndarja e njohurive me brezat e rinj, gjë që e bëj me kënaqësi. Eksperienca e parë vjen me studentë shqiptarë në Universitetin e Vlorës. Në Kentucky, dedikimi im ndaj studentit u njoh dhe vlerësua me një çmim nga universiteti. Hapat e ardhshëm janë që të udhëheq studentë masteri e doktorature. Uroj që mes tyre të kem studentë shqiptarë.
SHKOLLA VERORE “METODA MATEMATIKE NË ANALIZË TË DHËNASH” NË SHQIPËRI
Së bashku me dy matematiciene nga diaspora, Prof. Fioralba Cakoni dhe Dr. Mirjeta Pasha, morëm iniciativen për shkollën verore “Metoda Matematike në Analizë të Dhënash” që do të ndodhë me 18-29 Korrik, 2022 në Tiranë. Projekti është me përmasa ndërkombëtare. Lektorët janë profesorë të njohur në fushat respektive. Tema lëviz nga aplikime të algjebres e kombinatorikes, tek modelet në sistemet dinamike, problemet e anasjellta, dhe tomografi me rreze X, këto të shoqëruara me programim. Shkolla mbështetet nga shoqata e mirënjohur franceze CIMPA (Centre International de Mathématiques Pures et Appliquées). Sponsorët lokal janë Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, me këtë të fundit si institucion mikpritës. Gjej rastin t’i bëj thirrje të fortë studentëve të matematikës, informatikës, dhe të inxhinierisë në universitetet shqiptare te regjistrohen nëpërmjet faqes sonë zyrtare: https://sites.google.com/vieë/mathschoolinalbania/home. Shkolla është falas. Ne po ju mirepresim! Qëllimi kryesor i këtij projekti është që studenti nga Shqipëria të dijë që mundësitë janë një aplikim larg. Bazuar nga eksperienca personale, kjo, aq e thjeshtë duket, aq e vështirë është kur të mungojnë burimet dhe shembujt. Shkolla është një hap serioz që takon studentët dhe profesorët me këto mundësi në një mjedis miqësor.
NEVOJA E REFORMIMIT TË SISTEMIT ARSIMOR SHQIPTAR DHE PËRSHTATJA ME MODELET E PERËNDIMIT
Ndihem e pasigurtë të jap përgjigje të gjata rreth sistemit arsimor në Shqipëri. Këshilla që do të jepja për sistemin universitar dhe atë pasuniversitar, kjo në shkallën institucionale dhe individuale, është mos izolimi. Eksperienca ndërkombëtare është kritike për avancimin e shkencës duke filluar nga impakti që ka në punime shkencore deri tek njohja dhe këshillimi i studentëve për një karrierë të suksesshme. Kjo është një pikë ku lidhjet me diasporen bëhen shumë të dobishme.
NJË KËSHILLË: SHEMBUJT KANË GJITHMONË RËNDESI
Praktika e zbulimit të teoremave në matematikë është me anë të shembujve. Në moment kur llogaritjet ecin, ne e lejojmë shembullin të na drejtojë në zgjidhjen e përgjithshme. E njëjta praktikë vlen më gjërë. Në vit të fundit të masterit në Shqipëri mësova për herë të parë për arritjet e Prof. Cakonit në USA dhe më gjërë. Kjo mjaftoi të ëndërroja nëse unë mund të vazhdoja studimet jashtë shtetit. E kuptova rëndësinë e shembujve dhe mundohem të jem një shembull i mirë. Të dy institucionet ku kam punuar tanimë kanë studentë shumë të mirë doktorature nga Shqipëria: Edison Mucllari në Universitetin e Kentucky-it, dhe Elima Shehu në Institutin Max Planck për Matematikë në Shkenca.
NË PRITJE TË STUDENTËVE SHQIPTARË
Pres me padurim të takoj studentët shqiptarë këtë verë dhe ti njoh të ftuarit në shkollën tonë në Shqipërinë mikpritëse. Jam e lumtur që në këtë projekt që do të takoj dhe punoj me profesorët e mi dhe me matematicien të rinj të talentuar në Shqipëri. Shpresoj që shkolla ti forcoi këto lidhje. Në fund dëshiroj të përmend prindërit Hajdine dhe Agim. Si prindër të shumë bashkëmoshatarëve të mi në Shqipëri, ata kanë edukim 8-vjeçar. Megjithatë të dy e dinë vlerën e librave dhe shkollës, dhe unë i dedikoj plotësisht dashurinë për dijen nënës sime.
KUSH ËSHTË DR. AIDA MARAJ
Dr. Aida Maraj ka lindur në fshatin Lavdan të Mallakastres, ndërsa sot punon si pedagoge matematike në Universitetin e Michigan-it, ndan me krenari se është një produkt i Universitetit të Tiranës ku zhvilloi studimet e larta (2009-2012) dhe master shkencor në matematikë (2012-2014). Dr. Maraj punoi një vit si pedagoge e brendshme në Universitetin e Vlorës. Ne Gusht të 2015-es, me inkurajimin e profesorit të saj të algjebres Prof. Elton Paskut dhe mbështetje me letra rekomandimi nga Prof. Artur Baxhaku dhe Prof. Ligor Nikolla, ajo filloi doktoraturen në Universitetin e Kentucky-it, në të cilin njëkohësisht punoi si asistente mësimdhënëse. Pas doktoratures Dr. Maraj u bë pjesë e institutit të njohur gjerman Max Planck për Matematikë në Shkenca si kërkuese shkencore në algjeber. Në Universitetin e Michiganit ajo vazhdon kërkimin shkencor dhe jep mësim.