Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasada amerikane në Serbi: Ratko Mladiç nuk duhet të jetë fytyra e Beogradit

Ambasada amerikane në Serbi, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se “Ratko Mlladiç nuk duhet të jetë fytyra që Beogradi i tregon botës”.

Komentet pasuan incidentet dhe arrestimet e veprimtareve serbe që hodhën vezë mbi një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mladiç.

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia janë të përkushtuara ndaj vlerave thelbësore, përfshirë tolerancën, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Nganjëherë është sfiduese të pajtohesh me momente të vështira të së kaluarës – si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Serbinë – por nuk ka asgjë të respektueshme në mbrojtjen e memorialit të një krimineli lufte. Shpresojmë që Serbia do të përqendrohet në një të ardhme më të ndritshme, më gjithëpërfshirëse, në vend se të kalojë sërish nëpër dhimbjen, errësirën dhe ndarjet e viteve të 90-ta”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane në një përgjigje me shkrim.

Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga madhërimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i krimeve të luftës, si dhe që të punojë për pajtimin, tha zëdhënësja e BE-së Ana Pisonero e pyetur nga Zëri i Amerikës për zhvillimet e fundit rreth muralit për Ratko Mladiçin.

Një vend që aspiron anëtarësimin në BE pritet të përafrohet me vlerat thelbësore të BE-së – sundimin e ligjit, demokracinë, drejtësinë”, tha zëdhënësja Pisonero në një përgjigje me shkrim.

Të mërkurën, Gjorgjo Vujoviç, nga Partia Socialdemokrate serbe, hodhi gëlqere mbi muralin, një natë pasi policia parandaloi grupet e veprimtarëve për ta hequr atë. Grupet për të drejtat e njeriut thanë se me pengimin e nismës për heqjen e muralit, pushteti u vu në mbrojtje të kriminelëve të luftës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se fakti që murali u mbulua me gëlqere, dëshmon se “policia nuk e mbrojti atë”, por shmangu përplasjet, ndërsa akuzoi veprimtarët se me planet e tyre “synuan të dëmtojnë Serbinë”.

Në qershor të këtij viti, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

 

Presidenti Biden e cilëson gjykim historik vendimin për Ratko Mladiçin

Vendimi i gjykatësve u mirëprit nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili tha se “ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhin në të ardhmen kudo në botë”. Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në udhëheqjen e përpjekjeve ndërkombëtare për t’u dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të vënë para drejtësisë ata që kryen krime atje dhe në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme. “Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj se udhëheqësit në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, citohet të ketë thënë presidenti Biden. “Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mladiçit. Ne kurrë nuk mund ta zhbëjmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një farë ngushëllimi për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden.

Please follow and like us: