Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët në New York takohen me kongresisten e fuqishme Carolyn Maloney

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami kërkon sanksione nga Amerika për Serbinë – Beogradi ka treguar se pa presion nuk do ta ndalë fushatën kundër Kosovës e nuk do të lejojë drejtësi për vëllezërit Bytyçi, për 20 mijë përdhunimet, vrasjet e civilëve, trupat e pagjetur, etj

Nga Beqir Sina

NEW YORK: Një grup shqiptaro-amerikanësh u mblodhën të premten në mbrëmje, në New York, për të mbështetur rikandidimin e kongresistes demokrate Carolyn B. Meloney.

Takimi që synonte mbledhjen e fondeve u organizua nga Vehbi Bajrami, botuesi i gazetës “Illyria”, aktivist dhe lobist i njohur për çështjen shqiptare.

Vehbi Bajrami e quajti kongresisten Maloney, si një mike konseguente e shqiptarve dhe një nga mbështetësiteset kryesore në vitet më të vështira për Kosovën. Pasi e falenderoi për kontributin e saj, ai i bëri thirrje komunitetit që ta mbështesin edhe në zgjedhjet e ardhshme vitit 2022.

Në këtë takim morën pjesë edhe Kryetari i Federatës PanShqiptare Vatra, Elmi Berisha, Dr. Naim Deduashaj – Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës, dhe veprimtarë të tjerë.

Darka me këtë rast u mbajt në restorantin “Allora”, në Manhattan, të bashkatdhetarit Halil (Ejllo) Ahmetaj, një lokal i njohur ky për takimet e komunitetit në New York City.

“Jemi duke vazhduar një traditë të hershme të shqiptarve të Amerikës, në përkrahjen që u japim në fushatat zgjedhore anëtarve të Senatit dhe Kongresit që kanë mbështetur kauzën tonë kombëtare”, u shpreh për këtë takim Vehbi Bajrami.

“Më konkretisht”, tha ai, “jemi duke u takuar dhe informuar mbi gjendjen në Kosovë, e trojet shqiptare dhe që kongresistja t’i përcjellë në Capitol Hill kërkesat tona”.

Bajrami, që është edhe autor i librit voluminoz “Shqiptarët e Amerikës” vlerësoi kontributin e kongresistes për më shumë se tri dekada si anëtare e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, ku bashkë me shumë kolegë të tjerë kanë qenë një një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës, dhe çështjes shqiptare.

Carolyn Maloney është kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky është një prej tre komiteteve më të fuqishme të Kongresit Amerikan që heton shkeljet, korrupsionin, dhe gabimet e rënda të zyrtarëve më të lartë amerikanë duke filluar që nga Shtëpia e Bardhë e në të gjitha agjensitë e institucionet federale.

Ajo është anëtare e Kongresit që prej vitit 1993 dhe përfaqëson një hapësirë që shtrihet në tre lagjet më të mëdha të Qytetit, duke përfshirë Upper East Side në Manhattan, Astoria dhe lagjen e njohur si Long Island City në Queens, lagjen Greenpoint në Brooklyn, si dhe Ishullin Roosevelt.

Duke shfrytëzuar takimin me kongresisten demokrate, botuesi i gazetës shqiptare amerikane “Illyria”, paraqiti një serë shqetësimesh dhe kërkesash, lidhur me Kosovën.

Ai i foli kongresistes për rolin destabilizues së Serbisë në Kosovë, për fushatën aggresive për të siguruar anullime të njohjeve, duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen e Washingtonit. Ai u ndal të problemet e veriut të Kosovës si dhe ,mungesës së reciprocitetit për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Vehbi Bajrami ngriti në veçanti dështimin e drejtësisë ndërkombëtare dhe asaj brenda Serbisë për të ndjekur penalisht dhe dënuar kriminelët e luftës që ende lëvizin të lirë në Serbi. Autorët e mbi 20,000 mijë përdhunimeve, vrasësit e mbi 10,000 civilëve mes të cilëve edhe më shumë se 1,500 fëmijë. Mbi 1,200 civilë mbeten ende të zhdukur sepse Serbia refuzon të tregojë vendodhjen e varreve masive ku janë fshehur trupat.

Ai u ndal në çështjen e tre vëllezërve, Ylli, Agron e Mehmet Bytyçi, tre qytetarë amerikanë që u ekzekutuan në mënyrë kriminale pas mbarimit të luftës. Serbia ka premtuar për më shumë se dy dekada se do të ndëshkojë vrasësit dhe ende nuk ka vepruar.

Për këto, e shumë të tjera, Vehbi Bajrami, i tha kongresistes Maloney, se diplomacia ka dështuar. Serbia kupton vetëm gjuhën e forcës dhe shtrëngimit ndaj i kërkoi që të ushtronte presion ndaj Shtëpisë së Bardhë që të vendosë sanksione ndaj Serbisë, derisa të bëhet drejtësi për tre vëllezërit shqiptaro-amerikanë.

“Ju së bashku me Grupin e Interesave Shqiptar në Kongres, në Uashington, duhet që t’i kërkoni Presidenti Biden dhe Departamentit të Shtetit që t’i vendosë Serbisë sanksione. Drejtësia për vëllezërit Bytyqi dhe familjen e tyre, si dhe mbajtja e përgjegjësisë për ata që kryen dhe mbuluan vrasjet e tyre, duhet të jetë një përparësi edhe në marrëdhëniet me Serbinë, e Uashingtonin ” tha Bajrami.

Gjithashtu, ai tha se duhet që Washingtoni të shikoje më me shumë kujdes, ndërhyrjen dhe ndikimin e Rusisë, në veri të Kosovës.

Një dokument më i zgjeruar, me argumente dhe kërkesa konkrete i përgatitur me këtë rast, nga gazeta “Illyria” iu dorëzua kongresistes dhe zyrës së saj për konsultim dhe mbështetje për veprimet e mëtejshme.

Kongresistja Maloney e falenderoi botuesin e gazetës “Illyria” dhe zonjën e tij Gena Morina Bajrami, për organizimin e takimit, pronarin e restorantit Ejllo Ahmetaj me familjen e tij, si dhe aktivistët që morën pjesë në këtë takim, për ndihmën e dhënë në rizgjedhjen e saj në Kongres.

Ajo premtoi se do të ndihmojë edhe në të ardhmen për të plotësuar kërkesat e parashtruar në këtë takim, dhe, në ditët në vazhdim, do të bëjë një takim të veçantë në Washington për të diskutuar mbi kërkesat e aktivistëve shqiptaro-amerikanë.

“Jam e lumtur për këtë organizim të mrekullueshëm, të cilin e konsiderojë edhe si festë për aprovimin e Paketës 1 trilon dollarë të Infrastrukturës nga Kongresi Amerikan, në mënyrë dypartiake”, tha Maloney.

Ajo shpjegoi më tej, se “Pas një ngërçi të gjatë, të gjithë demokratët, u bëmë bashkë, lamë mënjanë ndarjet midis progresistëve dhe centristëve për të miratuar një paketë prej 1 trilion dollarësh mbi infrastrukturën, duke e dërguar ligjin për t’u nënshkruar nga presidenti Joe Biden.”

Më pas kryetari Elmi Berisha, në emër të Federatës PanShqiptare Vatra dhe të komunitetit shqiptari kërkoi kongresistes Carolyn Meloney të marrë në konsiderat kërkesat e shprehura dhe t’ia përcjellë Kongresit dhe Administratës Biden.

“Situata në Ballkanin Perëndimor është tejet e brishtë, dhe veçanërisht në Kosovë, zhvillimet në veri të saj në Mitrovicë dhe kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, është jashtëzakonisht shqetësuese, mbi prezencën e Beogradit, ushtrisë dhe ndikimin e Rusisë”, tha kryetari i Vatrës.

Ai kërkoi nga Kongresi dhe Administrata që të japin një sinjal të fortë publik të mbështetjes së tyre për pavarësinë e Kosovës, njohjen dhe anëtarësimin e saj në BE, NATO dhe instutucionet e tjera ndërkombëtare, duke forcuar edhe më shumë lidhjet e saj me Shtetet e Bashkuara, si një aleat i përjetshëm.

Dr. Naim Dedushaj, veprimtari vjetër i komunitetit, një nga ish-drejtuesit e Degës së LDK-së në SHBA, nga përvoja e tij, tha për gazetën tonë, se i vlerëson si shumë të rendësishme takimet e tilla, me kongresisitë, senatorë, e anëtarë të administratës amerikane, sidomos miqtë e shqiptarve në Washington.

Ai tha se me takime si këto shqiptarët e Amerikës, me lobimin e tyre, duke filluar nga arbëreshi Joe DioGuardi e më pas arritën ta kthejnë Kosovën nga një emër të panjohur për politikën amerikane në një çështje kyçe, duke sjellë deri në çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë.

“Serbia ka përfituar nga një periudhë e gjatë apatie”, tha me këtë rast Vehbi Bajrami. “Takimi me kongresisten Maloney është vetëm një nga hapat e shumta që po ndërmarrim për të ndryshuar qendrimin amerikan ndaj Kosovës dhe rajonit. Na duhet një fillim ri”.

Please follow and like us: