Albspirit

Media/News/Publishing

40 Vjetori i Kartës së Zërit të Amerikës


Mesazh i Drejtores së Zërit të Amerikës Amanda Bennett

Zëri i Amerikës shënon këtë javë një përvjetor të rëndësishëm. 40 vjet më parë, më 12 korrik të vitit 1976, Presidenti Gerald Ford nënshkroi ligjin për Kartën e Zërit të Amerikës, duke institucionalizuar kështu standartet e larta të gazetarisë. Që nga themelimi i tij në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Zëri i Amerikës u angazhua të thotë të vërtetën. Përgjatë ditëve të errëta të luftës botërore, trazirave të Luftës së Ftohtë, përballë terrorizmit, apo në krah të përpjekjeve të njerëzimit për të fituar lirinë, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës si shembulli i ruajtjes së parimeve të shtypit të lirë. Karta e Zërit të Amerikës përmbledh tre vlera themelore. Së pari, Zëri i Amerikës shërben si një “burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse”. Ne besojmë se opinionet nuk duhet të jenë pjesë e lajmit. Duke raportuar vetëm faktet, ne i japim mundësinë audiencës të formojë vetë pikëpamjet e saj. Siç e kemi deklaruar që në transmetimin tonë të parë në vitin 1942, “lajmet mund të jenë të mira apo të këqija. Ne do t’jua themi të vërtetën”. Së dyti, Zëri i Amerikës do t’ju japë gjithmonë pamjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. Ne “përfaqësojmë Amerikën dhe jo thjesht vetëm një segment të saj, duke ju dhënë një pamje të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit amerikan dhe të institucioneve të rëndësishme amerikane”. Që nga interpretimi i Kushtetutës amerikane dhe deri tek çështjet e nxehta me të cilat përballen amerikanët, Zëri i Amerikës bashkëbisedon me njerëz nga të gjitha drejtimet e jetës për të përftuar një pamje sa më të plotë të Shteteve të Bashkuara. Së treti, për shkak se ne jemi Zëri i Amerikës, ne shpjegojmë politikat e jashtme dhe të brendshme të SHBA-së, në mënyrë që bota të dijë se çfarë vlerash përfaqëson kombi ynë. Në dallim nga shumë vende të tjera ku qytetarëve nuk u lejohet të sfidojnë qeverinë e tyre, Zëri i Amerikës shërben gjithnjë si platformë për diskutime dhe opinione të përgjegjshme rreth politikave të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mbështesim një parti të caktuar politike, apo ndonjë politikan. Këto janë parimet themelore të shtypit të lirë. Ky është Zëri i Amerikës.

Please follow and like us: