Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: CAFO BEG ULQINI

CAFO BEG ULQINI
(1873 – 1977)

 

Shkodra dallohet per dy rryma të ftohta ernash, per veriun që vjen prej Stom Golemit, e pershkohej nepër lagjen Rus dhe, murrlanin e Rrencit, që vinte e shkapetej tek Dugajt’ e Reja të Shkodres per gjoksin e një burri të njohun dhe shumë të Nderuem me Emnin Cafo Begu, e, që të dyja ktheheshin mrapa… Ishte burrë me të vërtetë i thinjun, por trupi i madh sportiv gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun, i veshun me pardysy ngjyrë qumështi apo kostume kafe e krem, të tërhiqte vëmendjen. Ishte mjaft i pashëm, me sy shqiponjë gjithmonë vrojtues, nofulla të gjana që ngërthehëshin kur nxirnin çdo tingull të ambël të fjalës së tij joshëse. Për pak kohë shihej se edhe klientët e Tij ishin të zgjedhun…

E njoha nga viti 1961, tek dyqani i Tij si cingareshitës. Fliste një Shqipe të bukur dhe shumë terheqëse. Cafo Begu kishte një histori interesante të jetës së tij. Ai jetonte tek disa miqë të tij dikund kah stadiumi. Nuk kishte familje as të afërm, mbasi ishte detyrue me i lanë në anën e Jugosllavisë, që në ditët e para mbas luftës së Dytë Botnore, kur andej edhe këndej në pushtet erdhën komunistët. Në Shqipni kërkohej se ishte Anëtar i katërshes së Regjencës në periudhën e okupacionit gjerman me Maliq Beg Bushatin, At Anton Harapin dhe Lef Nosin. Ndërsa, nga jugosllavët paguhej me napolona ar koka e Tij, mbasi kishte deklarue botnisht se: “Trojet e mija janë Tokë Shqiptare!”.

Kjo deklaratë nuk ishte thjeshtë e një pronari apo çifligari tokash, po ishte: “Një shtytje mandej e piramidave të vume në vitit 1913, në Tokën Shqiptare!”

Në vitin 1968 u njoha ma afër me Té. Ai më tregoi se kishte njohë edhe Babën tem dhe se kishte pasë edhe ky hobi për hipizëm. Kishte disa foto ndër plantacionët e veta me kuaj. Ruente si relike fotografi të grues së vet dhe të vajzave, të para vitit 1945.

Me largimin e trupave gjermane kishte shkue në trojet e veta dhe, aty ishte strehue, madje, edhe ruejtë kokën ndër miqë e besnikë të vet.

Kishte provue jetën e shpellave, gropave, të skamit dhe të vuejtjes për disa vite deri me rastin e “amnestisë së bame për faljen e jetës së atyne që dorëzohën në Shqipni” dhe që, nuk do të dënohen me vdekje nga gjykatat komuniste. Kishte kalue hetusitë speciale dhe ishte dënue me shumë vite burg i përfshimë në nenet e “krimëve të luftës”. Mbasi u lirue, erdhi në Shkoder ku mbylli edhe jeten e Tij larg Familjes së Vet të Nderueme.

Në dhjetorin e vitit 1968, hapi me mue bisedën për At Anton Harapin: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit 1944 po kthehej nga Gjermania, ishte ndalue në Podgoricë dhe në një hotel, Ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po largoheshin nga Shkodra. Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dëshronte At Antoni, për mos me ra në duert e komunistëve, që me 28 Nandor do të hynin në Shkoder.

At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po kjé nevoja do të pranonte edhe vdekjen për të cilën, Ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, “largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe jo, me 28 që kishin planifikue ata”, mbasi i kishte shpjegue që “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Festёs sё Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”.

Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjerman janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkoder, ndonse edhe Cafo Begu, e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai, nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi, “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët e malazezёt…”.

Cafo Beg Ulqini e përfundonte bisedën me një konkluzion per At Antonin: “Shërbimi i At Antonit, për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi, mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton në Historinë e Popullit Shqiptar!”.

Kujtoj, që më thonte njëditë i Ndjeri Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974 se, tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa fallsifikime dhe shtrembnime, madje as, edhe vetë aktin e Pavarësisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue këta!”.

Falsifikatorët e historisë së lavdishme të Shqipnisë, ishin e mbesin bijtë e pandreqshëm të baballarve të vet!

 Melbourne, 27 Nandor 2021.

Please follow and like us: