Agim Aliçkaj: Letra e dytë e hapur për presidentin e ShBA-së, Joseph Biden
I nderuar Zoti President Biden,
Që nga ajo letër, shteti hegjemonist shovinist serb, i mbështetur nga Rusia, po vazhdon sjelljen e tij destruktive, me urrejtje dhe armiqësi të hapur ndaj popullit shqiptar, si dhe destabilizimin e Kosovës, Bosnjës. Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Sunduesit e Serbisë, kriminelët e mundshëm Vuçiq, Daçiq dhe Vulin po ndjekin të njëjtat politika të mentorëve të tyre, kriminelëve të luftës Millosheviç, Karaxhiç dhe Mladiq. Ata po punojnë ngushtë me Rusinë dhe Kinën kundër interesave të SHBA-së dhe BE-së në Evropën Juglindore.
SHBA-të janë shpresa e vetme për një zgjidhje afatgjate të konfliktit. Megjithatë, politika e administratës suaj në Ballkan, edhe pas emërimit të ambasadorëve të fuqishëm në Prishtinë dhe Beograd, si dhe të dërguarit special me përvojë për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, është ende shumë e paqartë dhe e paqëndrueshme.
Ata po përpiqen të bëjnë çdo gjë siç duhet në koordinim të afërt me Perëndimin dhe nuk po vlerësohen. Nga ana tjetër serbët e udhëhequr nga Vuçiq po i bëjnë të gjitha të këqijat në të gjitha mënyrat dhe po konsiderohen normal nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Evropa për 13 vjet, ka dështuar plotësisht. Shumica e 30 marrëveshjeve të nënshkruara nuk zbatohen nga Serbia. Përfaqësuesit evropian po i bëjnë presion Kosovës për të respektuar vetëm një marrëveshje të dëmshme antikushtetuese për formimin e “asociacionit të pastër etnik serb”. Një shtet multietnik me entitete të pastra etnike nuk ka kurrëfarë kuptimi dhe është kundër vlerave dhe politikave amerikane dhe evropiane. Ende ka përkrahje të kërkesës mizore serbe për ndryshim kufijsh dhe ndarje të Kosovës. Praktikisht, Qeverisë së Kosovës po i bëhet presion që të pranojë shkatërrimin e shtetit të vet.
Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë e 4 Shtatorit 2020, e organizuar nga ambasadori amerikan jodiplomatik proserb, z. Richard Grenell, është gjithashtu dështim në mënyra të ndryshme. Kjo e ashtuquajtur “Marrëveshje për normalizim ekonomik” është plotësisht e parealizueshme përderisa agresori serb nuk ia njeh të drejtën viktimës (Kosovës) për të ekzistuar. Për më keq, barazimi në mes të së drejtës së Kosovës për të kërkuar njohje dhe përpjekjeve armiqësore të Serbisë për ti bllokuar ato, ishte i gabuar dhe ofendues. E vetmja gjë e mirë e takimit në Uashington ishte njohja e vonuar e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli. Ndërkohë Kosova ka hapur ambasadën në Jerusalem, ndërsa Serbia nuk e ka as ndërmend ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Realiteti është se zoti Grenell orkestroi marrëveshjen për nevojat e fushatës zgjedhore të ish-Presidentit Trump për ta paraqitur ate si një “paqebërës” të madh.
Të gjithë serbo-amerikanët e mbështetën Trumpin. Pothuajse të gjithë shqiptaro-amerikanët (demokrat dhe republikanë) ju mbështetën juve. Ne fituam dhe ata humbën. Qëllimi i marrëveshjes së Uashingtonit ka përfunduar me zgjedhjen tuaj President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe pa njohjen e pavarësisë nga Serbia, Republika e Kosovës është në rrugë të drejt për t’u bërë një shtet i qëndrueshëm demokratik properëndimor. Pengesë kryesore e cila po vështirëson gjithçka është sjellja destruktive e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Pasi nuk arritën ta ndajnë dhe shkatërrojnë Kosovën, ata kan zbuluar një projekt tjetër për të izoluar dhe dominuar Kosovën, për të krijuar përbindëshin “Serbi e Madhe”, si dhe për të futur Shqipërinë dhe Serbinë në bllokun rus.
Shumica e popullit shqiptar është kundër këtij projekti të errët. Ai ju kujton atyre politikën mashtruese të “kufijve të hapur” midis shteteve komuniste, të shpallur nga komunistët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e cila i kushtoi popullit shqiptar me më shumë se 50 mijë viktima të pafajshme. Ky ishte gjenocidi i tretë serb mbi popullin shqiptar.
Vuçiq, Rama dhe shumë zyrtar tjerë që ju shërbejnë atyre, janë gjithashtu të përfshirë në korrupsion dhe të lidhur me elementë kriminal në të dyja shtetet, të Serbisë dhe Shqipërisë. Ata po e minojnë demokracinë dhe po punojnë drejtpëdrejt kundër interesave të BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan. Ata duhet të ndalen me çdo kusht. Për fillim, ata janë kandidatë shumë të mirë për statusin “non-grata”.
Por, edhe pas shtatë muajsh, nuk ka asnjë fakt të besueshëm të dëshmuar për ta vërtetuar korrupsionin dhe ndonjë sjellje të tij kriminale. Sipas standardeve tona amerikane, çdokush është i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij. Ai ishte jashtë pushtetit për tetë vitet e fundit. Nuk është qëllim i imi të mbroj zotin Berisha. Përkundrazi, vetëm do të doja të theksoja rolin e tij të rëndësishëm në periudhën postkomuniste. Ai e orientoi Shqipërinë tërësisht drejt Perëndimit, duke e anëtarsuar në NATO dhe duke siguruar liberalizimin e vizave. Përkrahësit e tij të shumtë në mbarë trojet shqiptare janë me shumicë antikomunistë dhe proamerikanë. Një pjesë e madhe e tyre ishin të persekutuar dhe të burgosur politikë të cilët humbën edhe anëtarë të familjeve nga kthetrat komuniste në Shqipëri.
Përfundimisht, është fakt i pamohueshëm se shqiptarët e duan dhe e respektojnë Amerikën më shumë se çdo komb tjetër në botë, ndërkohë që të gjithë e dinë se shumica e populllit serb e mban gjithmonë anën e Rusisë para Amerikës. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë.
Për t’i mbrojtur interesat strategjike amerikane dhe për ta përfunduar me sukses investimin amerikan në Kosovë, ka ardhur koha që SHBA-të të marrin pjesë drejtpërdrejt në dialog. Ka ardhur koha që vendi më proamerikan në botë Kosova, të anëtarsohet në NATO, të binden pesë vendet e mbetura të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, të miratohet liberalizimi i vizave dhe të fillojë procesi i gjatë i hyrjes së Kosovës në Bashkimin Evropian. Vetëm Amerika, e udhëhequr nga ju zoti President, mund ta bëjë këtë.
Kombi shqiptar është ndarë padrejtësisht dhe çnjerëzisht i detyruar të jeton në 6 shtete të ndryshme të Ballkanit. Krejt çka dëshiron populli shqiptar është që të mund të ekzistojë dhe të jetojë i lirë në shtëpitë e veta në trojet stërgjyshore, që t’i ketë të garantuara të drejtat e tij njerëzore dhe nacionale kudo, që të mund të komunikojë pa pengesa dhe të merr frymë lirshëm si një komb i të njëjtit gjak, gjuhë dhe prejardhje kombëtare.