Frank Shkreli: Gjekë Gjonaj – “E meritojnë nderimin”
Muajt e fundit më kanë arritur në kutinë postale, por edhe me dërgesë elektronike, disa botime me rëndësi historike, kulturore dhe gjuhësore për fushën e studimeve shqiptare në përgjithësi. Një ndër këto libra është edhe një kopje elektronike e veprës së autorit nga Ulqini, me prejardhje nga Trieshi i Malësisë së Madhe, Zotit Gjekë Gjonaj. Përveç përmbajtjes, e përzgjodha këtë libër për t’ia paraqitur publikut, për dy arsye: e para sepse autorët nga trojet shqiptare në Mal të Zi, fatkeqësisht, nuk tërheqin vëmendjen, që meritojnë nga Tirana dhe Prishtina dhe e dyta është solidarizimi im me autorin, për faktin se jemi bashkëvendas dhe vijmë nga një krahinë krenare e quajtur Malësi e Madhe.
Libri i autorit Gjonaj: me titullin “E Meritojnë Nderimin (Figura Shqiptare të Shekullit XX), një monografi dokumentuese, botuar nga Art Club në ULqin, është një kontribut tjetër i vyer i autorit të trojeve shqiptare në Mal të Zi, Z. Gjekë Gjonaj. Është një libër i shënueshëm, që i bashkohet 8 veprave të tjera të botuar më herët nga ky autor i palodhshëm i trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe, por që tani jeton e vepron në Ulqin. Ashtu si edhe librat e mëparshëm me përmbajtje historike, etno-linguistike dhe kulturore, edhe libri më i fundit i Gjekë Gjonajt, “E Meritojnë Nderimin” (Figura Shqiptare të Shekullit XX), është gjithashtu një vepër shtesë dhe një kontribut i shënuar i historisë kombëtare shqiptare, ku pasqyrohen kontributet nëpërmjet profileve të 36 figurave shqiptare të shekullit XX të përzgjedhura nga vetë autori për meritat e tyre, sipas vlerësimit të Z. Gjonaj. Ata janë përfaqësues të denjë, kryesisht, nga trevat e banuara me shqiptarë në Malin i Zi, por nuk mungojnë as personalitete të shquara nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora: të njohura dhe jo aq të njohura për publikun e gjerë.
Në vend të parathënjes, autori shprehet se “Trojeve tona kombëtare dhe etnike nuk i kanë munguar kurrë figurat historike, kulturore, arsimore, fetare dhe atdhetare që kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të Atdheut. Figura të tilla nga trojet tona kombëtare duhet të shkëlqejnë duke zbuluar nga pluhuri i harresës, jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të Atdheut, Kombit dhe Lirisë”,- shkruan ai, duke arsyetuar pikërisht përzgjedhjen e 36 personaliteteve shqiptare, të cilët, sipas autorit Gjekë Gjonaj, “E Meritojnë Nderimin”, për punën e tyre në fushat e veprimtarisë së tyre përkatëse. Në këtë vepër, që është një libër i karakterit publicistik, autori trajton personalitete dhe intelektualë (shumica post-mortem të shekullit të kaluar, por disa që ende jetojnë), të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: akademikë, gjuhëtarë, punonjës të arsimit, mjekë, gazetarë, autoritete fetare, rapsodë popullorë, biznesmenë dhe mërgimtarë shqiptarë, njerëz: që, sipas autorit Gjekë Gjonaj, me jetën dhe veprimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e trojeve shqiptare. Personalitete historike që me potencialin dhe rrethanat e tyre ku kanë jetuar e punuar – në një mënyrë ose në një tjetër – kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të Atdheut”, -shprehet autori.
Është e natyrshme se një përzgjedhje e këtyre 36 figurave të përfshira në këtë libër, që vetë autori i ka zgjedhur si të “merituara” për t’u përfshirë në librin e tij, “E MERITOJNË NDERIMIN (FIGURA SHQIPTARE TË SHEKULLIT XX), mund edhe të ketë ndonjë vërejtës kritik që të thotë se figurat e radhitura në këtë libër përbëjnë një përzgjedhje subjective. Se mund të ketë dhe natyrisht që edhe ka, ndoshta, figura edhe më të merituara, por që mund të jenë pasqyruar nga autorë të tjerë. Por, as vetë autori nuk pretendon se kjo listë është një listë gjithëpërfshirëse dhe se nuk ka të tjerë të merituar nga kjo zonë. Ndoshta ia vlen që Z. Gjekaj të marrë parasysh botimin e një vëllimi të dytë të kësa natyre ku të përfshihen, eventualisht, edhe figura të tjera aktuale dhe nga e kaluara e trojeve të rrethit të Ulqinit e më gjerë. Por në lidhje me përzgjedhjen e këtyre personaliteteve të merituara, Z. Gjonaj shkruan se, “Me rikujtimin e këtyre personaliteteve të dalluara shqiptare, tentova që vepra dhe kontributi i tyre të mos harrohet kurrë”. Janë pra këto figura shqiptare që autori ka vlerësuar se, “Meritojnë Nderimin”, për t’u përfshirë në këtë vëllim, pasi disa prej këtyre figurave të dalluara, mund të jenë hedhur në harresë – me dashje ose pa dashje – nga entet shkencore, kulturore, por edhe nga publicistika aktuale. Kjo është, pikërisht, sipas meje, arsyeja që autori Gjekë Gjonaj ka përzgjedhur për të pasqyruar jetën dhe veprimtarinë e këtyre 36 personaliteteve, përfshirë, për shembull, Dr. Athanas Gegaj, intelektualin e përmasave kombëtare, por i pavlerësuar sa duhet, as nga Shqipëria dhe as nga Kosova.
Në shkrimet e mia modeste gjatë viteve, jam munduar që vazhdimisht të ve në dukje krimet e komunizmit anë e mbanë trojeve shqiptare. Më pëlqen fakti që Z. Gjekë Gjonaj i kushton një vëmendje të veçantë martirëve të diktaturës komuniste në trojet tona, një fakt me të cilin, bota shqiptare ende refuzon të ballaqohet, qoftë me krimet komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri, qoftë me krimet e komunizmit jugosllav kundër shqiptarëve në trojet e veta, përfshirë masakrën e madhe të Tivarit, ku sipas historianëve, kishin gisht dy rregjimet komuniste të kohës, ai jugosllav dhe ai shqiptar. Siç më duket shumë me vend edhe fakti se në librin e autorit Gjonaj, nuk mungojnë së përmenduri edhe kontributet e disa figurave të njohura të diasporës.
Libri i Z. Gjonaj nuk është një libër ku lexuesi mund të mësojë të gjitha të dhënat për jetën dhe veprimtarinë e këtyre figurave të pasqyruara në këtë përmbledhje publicistike, por është një burim kontribues dhe shtesë: si ngacmues për lexuesin e interesuar për të kërkuar informacione të mëtejshme për këta kontribues të shkencës, kulturës, arsimit, traditës, besës e burrërisë, e fushave të tjera. Sidomos për brezin e ri të shqiptarëve në trojet shqiptare në Mal të Zi, që mund ose jo, të kenë dijeni për këto figura të kulturës shqiptare dhe si rrjedhim të ndërmirren hulumtime të mëtejshme rreth tyre.
Libri i publicistit Gjekë Gjonaj, “E Meritojnë Nderimin” (Figura Shqiptare të Shekullit të XX), në vet-vete është një kontribut i vyer ndaj kulturës shqiptare në përgjithësi, përtej trojeve shqiptare në Mal të Zi. Sepse, siç është shprehur, Ernest Koliqi, “Kultura ashtë shpirti i kombësisë. “Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk dinË me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë shka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasvet…atëherë ai veçse ka emnin shqiptar, por sa për tjera ai mund të ndjehet i huaj në rrrethin tonë”. Shqiptarët e trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi janë pjesë e një Kombi të vetëm shqiptar, si të tillë duhet të trajtohen nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, nuk guxojnë të lihen në dorë të fatit “që të ndjehen si të huaj në rrethin tonë”.
Kjo, ndër të tjera, është merita e këtij libri. Se nëpërmjet 36 profileve të këtyre kontribuesve të merituar, në fusha të ndryshme të aktivitetit të tyre, të përmbledhur dhe renditur mjeshtërisht nga Z. Gjonaj në shtatë kapituj. Lexuesi ka mundësi të mësojë diçka më shumë se çka “bluajnë” disa prej mendjeve më të ndritura të bashkëkombsave të vet në rrethin e Ulqinit dhe të Malësisë së Madhe. Ashtu që shqiptarët e atyre anëve të mos ndjehen të huaj në truallin e vet stërgjyshor, sidomos kur është fjala për zhvillimin e kulturës (“shpirtit të kombësisë”, E. Koliqi) dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës shqiptare në trojet tona në Mal të Zi dhe më gjërë.
“Ky libër në vetvete përbën një enciklopedi të figurave shqiptare dhe si i tillë autori ia ka arritur t’i radhisë me një vijueshmëri të ngjarjeve, peshën që zë çdo figurë e shquar e trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Shqipëri”, shprehet recensuesi i këtij libri, Dr. Nexhat Avdiu, intelektuali shqiptar nga Ulqini. Ndërsa, recensuesi tjetër, Msc. Mark Luc Gjonaj vlerëson librin me këto fjalë: “Autori, Gjekë Gjonaj, nuk do asgjë më shumë me këtë libër, thjeshtë t’i nderojë, t’i vlerësojë e t’i vendosë në “Log” para lexuesve e historianëve. Ai do që vepra e sakrifica e këtyre njerëzve mos të harrohet, sepse është i vetëdijshëm se nëse nuk njohim të shkuarën, do të humbasim të ardhmen. Prandaj, autori e vlerëson shumë jetën, veprën e sakrificën e këtyre figurave të larmishme në veprimtari, dhe me gjithë forcën që ka pena e tij, Ju ka kushtuar këtë lapidar”, vlerëson intelektuali shqiptar nga Tuzi.
Libri i autorit Gjekë Gjonaj është një kontribut i rëndësishëm në këtë fushë. Z. Gjonaj nga Trieshi i Malësisë së Madhe, me punën e tij të vazhdueshme, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, vazhdon pa u lodhur, të promovojë dhe të të përhapë përparim kulturor, historik dhe politik, në përpjekje për të ruajtur lavdinë e të parëve tanë në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjërë.
KUSH ËSHTË GJEKË GJONAJ: Jetëshkrim i Shkurtër i Autorit: Gjekë Gjonaj lindi më 20 mars 1958 në Triesh (Malësi), Komuna e Podgoricës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Tuz. Diplomoi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Kosovë. Tetë vjet ka punuar si mësimdhënës në vendlindje. Në vitin 1986 angazhohet si gazetar në Radion e Malit të Zi. Është njëri nga themeluesit e emisionit të parë në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi “Kronika e Javës”. Aktualisht punon si gazetar profesionist – korrespondent i rregullt i Programit në gjuhën shqipe dhe i Programit informativ në gjuhën malazeze në Radion e Malit të Zi dhe ndihmës-kryeredaktor i revistës “Buzuku”. Është kryetar i Këshillit Programor të gazetës “Koha Javore”. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin. Ka qenë redaktor përgjegjës i shtojcës në gjuhën shqipe “Polis” në Podgoricë. Bashkëpunon rregullisht me gazetat “Koha Javore” Podgoricë “Koha jonë” Tiranë, “Bota sot” Prishtinë, “Illyria” Nju-Jork, me shumë portale në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë shtetit. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit, “Ulqini”. Deri më tani ka botuar 8 libra. Po ashtu ka përkthyer, redaktuar dhe korrektuar disa libra të autorëve shqiptarë. Jeton dhe vepron në Ulqin.