Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Gjuha që lind art të pavdekshëm

Më 28 janar, është datëlindja e Ismail Kadaresë (1936), shkrimtarit tonë të përmasave botërore. Me këtë rast, postoj për miqtë në fb një fragment nga shkrimi im “Gjuha që lind art të pavdekshëm”. Gjithsesi, nderimi dhe obligimi ynë për të, nuk shterret dhe i mbetet borxh – për gjithë ato visare të çmuara letrare e intelektuale, që ky shkrimtar i shquar, na i ka përcjellë përmes veprave të tij:
Në librin triptik (tripjesësh) Ftesë në studio (1990) të I. Kadaresë, është e përfshirë edhe një nga poezitë e tij me titull: Koha e pamjaftueshme. Këtu pasqyrohen të nënkuptuara pengjet e shkrimtarit në betejat e tij të pandalura me sfidat e letërsisë, për t`u hirësuar prej saj e për t`u ngjitur në shkallaret e larta të saj. Në fakt, koha tregoi se prej Kadaresë, janë të fituara të gjitha këto beteja dhe për më tepër, të fituara aq suksesshëm, si rrallë kush te ndonjë tjetër shkrimtar. Dhe janë fituar në të tëra gjinitë e shumta, ku ai lëvroi e botoi, në një hark kohe – më tepër se gjysëm shekullore.
E pamjaftueshme, apo e pamundur, ndofta mbetet pikërisht ajo, se sa kemi mundur ne, si lexues e studiues t`i jemi qasur interpretimit dhe vlerësimit të kësaj vepre, e plazmuar artistikisht si një univers tejet origjinal e kompleks, me shumë shtresa e domethënie të rrafshit stilistik, estetik, filozofik, historik, kulturologjik, etnopsikologjik…I. Kadare është shkrimtari i prezantuar përpara lexuesit, qysh në fillimet e krijimtarisë letrare të tij, me vokacionin/ligjërimin e spikatur modern dhe ndërkaq, të lidhur fort për nga niveli i saj – me traditat më elitare të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Në krijimtarinë e tij, ai ka dëshmuar se arrin që të zotërojë një laborator krijues tejet të sofistikuar, duke përcjellë nëpër veprat e shumta, në prozë e në poezi, afreske të gjalla e unikale prej realitetesh të afërta dhe ato më të largëtat – nëpër rrjedhat e historisë.
Në veprat e tij, e sidomos ato në prozë dhe eseistikë, I. K. është prezantuar si një eksplorator i thelbeve egzistenciale të individit e të nacionit, në rrafsh vertikal e horizontal, me përsiatje dhe makro e mikrostrukturime stilistike befasuese. Prania e veprës së tij në sistemin e letërsisë shqipe, ka qënë doemos një pikë e fortë referimi dhe një faktor ekuilibri në planin estetik, që kjo letërsi të mos atrofizohej e të mos degradonte – në rrethanat e sistemit totalitar që kaluam. Pra, vepra e tij, duke ndjekur dhe traditat tona më të arrira letrare, shkonte për te lexuesi si një letërsi normale (do të thotë se përcillej si model letrarësie), në rrethanat anormale të asaj kohe, po të perifrazonim një pikëpamje të shprehur nga vet Kadareja.
Të gjitha këto risi potente artistike, që i ka përcjellë dukshëm vepra e tij, e bënë atë prej kohësh, një idhull të autoritetshëm nëpër gjeneratat e krijuesve, tek arti i të cilit, mbeteshin të bjerrura e të sfiduara muret e filozofisë dogmatike të izolatrisë (mbylljes, izolimit) dhe ku ishin hedhur urat e komunikimit me letërsitë e mëdha të traditës shqiptare e asaj botërore. Studime të shumta, që i janë bërë (e do të vazhdojnë t`i bëhen) kësaj vepre nga studiues të kualifikuar, vendas e sidomos të huaj, kanë patur rastin që të vrejnë te kjo vepër shenja epizmi homerik, po kështu surealizmi, egzistencializmi, psikanalize – të niveleve të larta. Këto tipare arti elitar, rezultojnë të jenë tretur në mënyrë origjinale dhe duke u dhënë prestigj të lartë veprave Kadarejane, aq sa janë hedhur paralele për nga niveli i tyre – me vepra të autorëve të formatit botëror si: Kafka, Shekspir, Kamy, Dostojevski… “Kadareja na i kaloi të gjithëve”, do të shprehej për të me vlerësimin e sinqertë e prekës D. Agolli, në një nga takimet me mikun e tij të letrave e të jetës. Ishte ai takim ky, i fiksuar në një kronikë televizive, pikërisht asaj kohe kur I. K., kthehej për herë të parë nga Parisi, qëkurse ishte vendosur atje prej disa vitesh, pas largimit të tij nga Shqipëria më 1990. Doemos një gjest kuptimplotë, që dëshmon se nuk mund të mungojë fisnikëria në vëllazërinë e krijuesve të talentuar e me integritet intelektual.
Te shkrimtari I. Kadare, shquajnë talenti i rrallë/i epërm artistik dhe formati i intelektualit vizionar, të cilat, Zoti ia dha me bujari të pazakontë. Prandaj edhe mund të na kujtohet me këtë rast, një mendim i shprehur vite më parë, prej një studiuesi të njohur të letrave se, kultura shqiptare ishte përgatitur një shekull për ta fituar këtë personalitet të madh letrar (e përtej letrar). Vepra e I.K. ka njohur botime e ribotime në më shumë se 40 gjuhë, ka fituar disa çmime të mëdha letrare dhe jo pak herë, ka qënë në rrethin më të ngushtë të kandidatëve për çmimin Nobel. Diku në librin e tij, Mëngjeset në kafe Rostand me motive nga Parisi (2014), sillet në vëmendje të lexuesit fjala e famshme e Gjergj Kastriotit për lirinë. Për të kujtuar dhe për të dëshmuar me mirënjohje e modesti përulëse, përmes kësaj parabole shkrimtari, se edhe ai, suksesin dhe lavdinë e letërsisë së tij, e gjeti dhe e ringriti/plazmoi artistikisht – prej thesareve shpirtërore të popullit të vet.
Kadare mbetet një personalitet i përmasave të atilla, që tashmë i ka kapërxyer prej kohësh kufijtë nacional, duke hyrë denjësisht në metropolin e letërsisë botërore, për të derdhur atje një art e vlerë të shtuar, të brumosur pikërisht përmes shqipes. E cila, siç e ndeshim të sublimuar në një nga poezitë e tij, është pikërisht:
Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetshme,
Që lindi mes dhembjesh
Art të pavdekshëm.
(“Gjuha shqipe”)
I tillë është edhe vet arti letrar, të cilin, e blatoi aq mjeshtërisht prej magjisë së shqipes, shkrimtari ynë me njohje të përbotshme, Ismail Kadare:
Art i Pavdekshëm!
Please follow and like us: