Albspirit

Media/News/Publishing

Shkup, akuza për diskriminim ndaj shqiptarëve në mbrojtje dhe ushtri

Nga Isak Ramadani

Reformat në administratën shtetërore të Maqedonisë së Veriut duhet të bëhen duke ndjekur parimet e Marrëveshjes së Ohrit të cilat janë ndjekur në hartimin e ligjeve të vendit. Megjithatë ende ka paqartësi kur është fjala për zbatimin e plotë në praktikë. Së fundmi, disa punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes njoftuan Zërin e Amerikës lidhur me ankesat e tyre për diskriminimi mbi baza etnike. Korrespondenti ynë Isak Ramadani bisedoi me njërin nga ta dhe me një zyrtar të lartë të Ministrisë, i cili i kundërshton këto akuza.

 

Muhaedin Bela, kolonel në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut dhe punonjës i administratës në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar sa duhet në strukturat udhëheqëse ushtarake dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes në përputhje me ligjet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

Ai thekson se shqiptarët në këtë ministri por dhe në ushtri përballen me pengesa për sa i përket përparimit në karrierë. Ndërkohë, ka ngritur padi në gjykatë ndaj tashmë sh-ministres së Mbrojtjes dhe dy zyrtarëve të tjerë për diskrimin.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes nga 15 Këshilltarë Shtetërorë, vetëm 1 është shqiptar. Nga 18 udhëheqës të sektorëve, asnjë nuk është shqiptar. Nga 77 seksione, vetëm një është shqiptar. Nga 20 batalione, ose 13 batalione dhe 7 Qendra, vetëm 3 komandantë janë shqiptrarë. Përqindja në njësitë speciale është shumë e vogël; më duket tani është bërë rreth 4 për qind. Unë jam autor i Planit për përfaqësim të drejtë dhe të përshtatshëm të hartuar në periudhën 2012-2015 që parashikonte deri në v.2015 të përfundojë gjithçka”.

Zoti Bela thotë po ashtu se në armatë, nga nëntë seksionet apo ndarjet specifike të Shtabit të Përgjithshëm si J-1 deri në J-9, siç njihen në terminologjinë ushtarake, vetëm një është shqiptar.

Por, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, në një bisedë me Zërin e Amerikës, thotë se pretendimet e zotit Bela janë të nxitura politikisht.

“Numri i Këshilltarëve (shtetërorë) nuk është 15 por është 5 në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nga këta pesë, njëri është i njejti person, i cili na akuzon për gjoja diskriminim. Nga 16 udhëheqës të sektorëve 15 janë të plotësuar, të autorizuar dhe katër prej tyre janë shqiptarë”.

Megjithatë, duket se ka paqartësi rreth numrit të drejtuesve të sektorëve në MM. Në faqen e internetit të Ministrisë nga 18 emra që figurojnë, dy duket të jenë shqiptarë, teksa shumica e tyre në këto poste janë të autorizuar, që nënkupton ushtrimin e përkohshëm të detyrës. Zoti Bela thotë se është vepër penale emërimi i personave të autorizuar në krye të sektorit përderisa ka drejtues të pezulluar nga këto poste.

Zëvendës-ministri Hasani thotë se plotësimi i këtyre vendeve nuk varet vetëm nga vullneti politik, i cili ekziston, por edhe nga respektimi i rregullave dhe ligjeve; se Rregullativa ligore nuk lejon diskriminimin në baza etnike, ngaqë gjatë hapjes së konkursit, një mekanizëm për balancimin mbi baza etnike përcakton se sa prej konkurruesve shqiptarë duhet pranuar në punë dhe sa nga komunitetet tjera.

“Në konkursin e fundit për administratorë këtu në Ministrinë e Mbrojtjes, nga pesë të pranuar në punë, dy janë shqiptarë, dhe jo vetëm që janë shqiptarë, por janë edhe të përgatitur”, thotë ai.

Zoti Hasani shton se integrimi i suksesshëm i Maqedonisë së Veriut në strukturat ushtarake të NATO-s flet për përkushtimin e vendit, sepse parimet e Aleancës, sipas tij, nuk lejojnë diskriminimin e çfarëdo lloji.

Ndërkohë, zoti Bela thotë se Ministria po bën pengimin e avancimit të personelit dhe ngritjet e gradave ushtarake të oficerëve. Ai i referohet Planit të miratuar në Parlament, i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit e që parashikon ngritjen në 35% të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, përkatësisht në 25% të shqiptarëve në Mbrojtje (MM) dhe ushtri:

“Sipas Kushtetutës, Ligjit të Mbrojtjes, Ligjit për Shërbim në Armatë, Strategjisë për Mbrojtje, parashihet që lëvizja, avancimi i etnive joshumicë të bëhet jo vetëm në mënyrë horizontale dhe kuantitative, por edhe në mënyrë vertikale dhe kualitative. Dhe ne kemi kuadër, ndoshta jo të mjaftueshëm, por shtrohet pyetja pse kjo nuk është bërë deri tani?”

Por, Zëvendës-ministri Hasani thotë se në bazë të strukturës dhe organizimit të Armatës shqiptarët në hierarkinë ushtarake përfaqësohen me 50 përqind dhe veç kësaj janë të përgatitur dhe të përgjegjshëm:

“Gradën gjeneral nuk ta jep as Ministri i Mbrojtjes, as dikush tjetër në Ministri, por e jep Kryetari i shtetit. Në hierarkinë ushtarake janë të radhitura katër komanda dhe atë: Baza e Logjistikës, e cila udhëhiqet nga një shqiptar (Muharrem Muharremi), Komanda e Operacioneve, një nga Top-1 në kierarkinë ushtarake udhëhiqet nga gjeneral Besnik Emini dhe janë dy njësi dhe komanda të tjera të cilat udhëhiqen nga ushtarakë të tjerë”.

Zoti Bela ka ndjekur në rrugë institucionale ankesat e tij, ndërsa ka njoftuar një sërë institucionesh të vendit dhe zyra ndërkombëtare për atë që ai i konsideron padrejtësi dhe diskriminim. Edhe punonjës të tjerë duke folur në kushte anonimiteti me Zërin e Amerikës, ankohen për parregullsi, diskriminim; për mosvlerësimin e kontributit të tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, teksa kanë ngritur ankesa në Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Koloneli Bela ka hedhur në gjyq tashmë ish-ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska dhe dy përfaqësues të tjerë të Ministrisë. Padia është ngritur gati dy vjet më parë, por gjykatat nuk e kanë proceduar lëndën. Zyra e Avokatit të Popullit e cila është interesuar për rastin, ka marrë përgjigjen nga Gjykata Themelore se “zvarritja e procedimit të lëndëve që kanë të bëjnë me të drejtat në vendet e punës po bëhet për shkak të mungesës së gjykatësve”.

“Për dy vjet më janë caktuar katër seanca përgatitore (në gjykatë); asnjëra nuk është mbajtur, e nga ana tjetër më janë ndërruar pesë gjykatës”.

Zëri i Amerikës i kërkoi zonjës Sheqerinska që të prononcohej deri sa ajo ishte në detyrë, por nuk mori përgjigje nga zyra e saj.

Megjithatë, gjendja në armatë dhe në mbrojtje nuk mund të krahasohet me atë të një dekade më parë, kur shqiptarët vështirë arrinin deri tek gradat e larta në ushtri.

Ka pasur dy mininistra të Mbrojtjes në vitet 2011 – 2014, të cilët kanë qenë shqiptarë.

Zbatimi në praktikë i Marrëveshjes së Ohrit ka marrë kohë dhe jo gjithkund respektohet. Por nga ana tjetër, ka ngritur dukshëm shkallën e përfaqësimit të komuniteteve në institucionet shtetërore dhe publike, ndonëse nuk përjashtohen raste të padrejtësive. (VOA)

Please follow and like us: