Josep Borrell: Serbia të njohë gjenocidin në Kosovë
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka theksuar se Serbia duhet të pranojë gjenocidin në Kosovë. Sipas tij, avancimi i saj drejt BE-së varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Borrell e bëri të qartë se në BE nuk ka vend për ato shtete që e mohojnë gjenocidin dhe festojnë për kriminelët e luftës. “Kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, ata që festojnë për krimet dhe kriminelët e luftës dhe i mbështesin publikisht, si dhe ata që kërcënojnë stabilitetin dhe procesin e pajtimit në rajon, duhet ta dinë se kjo nuk është në përputhje me vlerat evropiane. Ne i ndamë ato parime me kryeministren e Serbisë dhe jemi të sigurt se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane”, tha Borrell në një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabiç, pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së në Bruksel.
Kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Borrell theksoi se nevojitet të sigurohet përparim i shpejtë në procesin e normalizimit, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë. “Ne presim që Kosova dhe Serbia të arrijnë përparim kur bëhet fjalë për zotimet që kanë bërë dhe ende nuk i kanë përmbushur”, tha Borrell, duke u kërkuar të dyja palëve të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për dialog dhe të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme.