Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Fli i qetë miku im, Kurt Kola!

Sot në ora 4 të mëgjesit, u nda nga jeta Kurt Kola, një hero i rezistencës antikomuniste në Shqipëri.
Kurt Kola rridhte nga një familje patriotësh të mëdhenj dhe heroikë, në luftën e tyre patriotike në shekuj, por që spikati me heroizmin kombëtar edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore; dhe, sidomos, në vijimin e saj pas vendosjes së regjimit tiranik të Enver Hoxhës. Bilal Kola, i ati i Kurt Kolës, bashkë me të dy djemtë e tij, u hodh në luftë drejt kundër regjimit komunist në Shqipëri.
Me formacionin e tij ushtarak, Bilal Kola luftoi deri sa rezistenca antikomuniste u shua në Shqipëri.
Bilal Kola ishte trim dhe patriot i madh; dhe me të dy djemtë e tij kaloi në Jugosllavi, ku serbët, me kërkesë të Enver Hoxhës; e vranë; bashkë me të dy djemtë e tij: Gani dhe Hamit Kola, 19 dhe 17 vjeç secili.
Kurse Kurt Kola nuk kishte ende moshë për luftë.
Por, edhe Kurt Kola e vijoi luftën kundër regjimit tiranik të Enver Hoxhës; kudo ku ka qenë: në burgun e gjatë komunist, mbi 25 vjet; para burgut gjithashtu, dhe, në të gjithë periudhën pas burgut, për të kërkuar drejtësinë shoqërore dhe demokracinë në Shqipëri.
Që nga viti 1991, e gjithmonë në tridhjet vjet, Kurt Kola ishte një zë i madh për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Ishte njeri me personalitet të lartë; i drejtë dhe humanist.
Ai jetoi me nder; luftoi si luftëtar me guxim absolut, njëlloj si i ati i tij.
Kurt Kola nuk ka gabuar asnjëherë në politikë, asnjëherë në parimet humaniste dhe, asnjëherë në zgjedhjen e tij në angazhimin e drejtë kundrejt popullit të vet.
Do të na mungojë; por ka lënë mbrapa tij historinë e vet të veçantë të njeriut që kurrë nuk u mposht dot nga ligësia tiranike; që kurrë nuk e pranoi kompromis me të keqen që i kanosej familjarisht, me dekada në Shqipëri; dhe, që, gjithmonë me sjelljen e tij humaniste, luftoi dhe punoi për atdheun e vet dhe për të gjithë shqiptarizmin.
Fli i qetë miku im, se historia që ke lënë mbas vetes, do të të japë përjetësinë.
Please follow and like us: