Mbi debatin për Xhafer Devën dhe marrëzitë e hajvanëve shqiptarë
Shkojnë sepse të dy janë bashkëpunëtorë të nazistëve. Kaq e thjeshtë është kjo punë. Ka edhe fotografi të tjera ku Xhafer Deva shihet pranë oficerëve nazistë si argat i tyre në viset shqiptare. Të joshur nga regjimi i Benito Mussolinit dhe Adolf Hitlerit disa politikanë shqiptarë u rreshtuan në krahun e nazifashizmit. Mund të kenë besuar se kështu do të siguronin kufijtë e një shteti shqiptar në Ballkan, por rreshtimi qe një gabim i rëndë.
Shqiptarë të tjerë luftuan nazizmin. Disa besonin në komunizëm, disa nuk besonin, por ishin kundërshtarë të ideologjisë vrastare naziste dhe këtu s’bënë kurrfarë gabimi: ata ishin në krahun e Amerikës, Britanisë së Madhe dhe fuqive të tjera antihitleriane.
Kolaboracionistët shqiptarë i premtuan nazistëve se do të mobilizojnë deri në 150 mijë vullnetarë që do luftonin në krah të forcave naziste. Nuk u bënë as 7000. Oficerët nazistë gjermanë ankoheshin për mungesën kolosale të disiplinës të pjesëtarëve të ashtuquajturit “Divizioni Skënderbeu”. Në tetor 1944 ky “divizion” u shpërbë. Ishte themeluar në maj. As 6 muaj nuk veproi. Plani nazist dështoi. Bashkëpunimi me nazistët nuk është kapitull për të cilin duhet të krenohen shqiptarët.
As restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës nuk është kurrfarë vepre patriotike. Institucionet e Kosovës duhet të heqin dorë nga ky projekt menjëherë dhe të distancohen para se kjo çështje të bëhet temë e madhe në opinionin ndërkombëtar. Reagimi i ambasadorit gjerman ishte paralajmërim.
Sa për fillim kushdo që është i interesuar për historinë e bashkëpunëtorëve shqiptarë të nazizmit, mund të lexojë librin e historianes zvicerane Franziska A. Zaugg (Albanische Muslime in der Waffen-SS. Ferdinand Schöningh Verlag. 346 faqe). Ose librin e historianit David Motadel (Für Prophet und Führer. Die islamische Welt und das Dritte Reich. Shqip: Për profetin dhe fyrerin. Bota islame dhe Rajhu i Tretë).
Këto libra do të duhej të ishin përkthyer në shqip. Nuk janë përkthyer, sepse historianët tanë dhe institutet e historisë merren me tema periferike, me rrëfime të sforcuara patriotike ose me glorifikime skandaloze.
Kur Lufta e Dytë arriti kulmin (në vitet 1941-1942) dhe trupat e Hitlerit depërtuan në rajonet e banuara me myslimanë në Ballkan, në Afrikën Veriore, në Krime dhe në Kaukaz dhe po i afroheshin Lindjes së Afërt dhe Azisë Qendrore, në Berlin nazistët filluan ta perceptojnë islamin si diçka që mund të përdoret politikisht – kundër perandorisë britanike, Bashkimit Sovjetik, Amerikës. Dhe hebrenjve. Kështu shkruan historiani David Motadel.
Nazistët pranuan sheriatin, fondacionet islame (vakëfet) dhe medresetë. Krerët nazistë i referoheshin Perandorit gjerman Wilhelmit të II-të, i cili në vitin 1898, pasi vizitoi varrin e Saladinit në Damask të Sirisë, e shpalli veten “mik të 300 milionë muhamedanëve”. Më vonë, në epokën naziste, gazeta “Völkischer Beobachter” shkroi: “Kjo luftë mund t’ia sjellë lirinë islamit”. Në Bosnjë nazistët përkrahën divizionin “Hanxhar”, në viset shqiptare “divizionin Skënderbeu”. Në fillim të vitit 1943 kryemyftiu i Jerusalemit Mohamed Amin al-Huseini vizitoi Zagrebin, Banjallukën dhe Sarajevën. U takua me krerë të komunitetit myslimanë dhe bëri thirrje për aleancë me Adolf Hitlerin.
Disa zëra idiotësh digjitalë nga albanosfera llomotisin në mbrojtje të Xhafer Devës duke thënë se e ka luftuar komunizmin. Në rrjet qarkullojnë “dosje të CIA” me përshkrime gjoja pozitive për Xhafer Devën. Kjo është një tendencë qesharake për të dëshmuar se çdo gjë që thonë amerikanët është moralisht e pastër. Nuk është.
Ta marrim shembullin e inxhinierit gjerman të raketave Wernher von Braun, i cili gjatë sundimit të Hitlerit drejtoi programin e zhvillimit të raketës V2. Pas Luftës së Dytë ai – tashmë shtetas amerikan – punoi për NASA-n dhe dha kontribut thelbësor që më vonë njeriu të zbarkojë në hënë. Nuk ishte inxhinieri i vetëm nazist në shërbim të Amerikës.
Nganjëherë as amerikanët nuk i zgjedhin bashkëpunëtorët. E kanë përdorur edhe Xhafer Devën në betejën e tyre kundër komunizmit. Edhe në Amerikë tema e shfarosjes së hebrenjve një kohë të gjatë është heshtur. Tek në vitin 1978, me shfaqjen e serisë katërpjesëshe “Holocaust”, kjo temë depërtoi te publiku. Më 1979 u shfaq në Gjermani dhe nxiti debat të gjerë publik mbi përgjegjësinë kolektive gjermane ndaj krimeve kundër hebrenjve.
Se edhe amerikanët gabojnë, e tregon shembulli i rrëzimit të presidentit të Kilit Salvador Allende më 1973. Puçin kundër tij e organizoi CIA. Në pushtet erdhi Augusto Pinochet, një fashist. Që rrëzimi i Allendes ka qenë gabim, këtë e pranojnë edhe politikanët amerikanë. Shkurt e shqip: Nuk është patriot, është argat i fashistëve. E keqja është që kështu nuk mësohet në shkollat e Kosovës. Dhe ky është gabim./Koha Ditore