Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA dëbon agjentin rus të zbulimit që punon në OKB

Shtetet e Bashkuara thanë se do të dëbojnë një “agjent rus të zbulimit” që punon për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përveç 12 anëtarëve të Misionit rus në OKB, dëbimet e të cilëve u urdhëruan të hënën për përfshirje në spiunazh.

OKB-ja u informua të hënën se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të dëbuar një anëtar të personelit që punon për Sekretariatin e OKB-së, konfirmoi zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric.

“Na vjen keq që gjendemi në këtë situatë, por po angazhohemi me vendin pritës”, tha ai të martën.

Zoti Dujarric refuzoi të komentonte më tej për arsye të privatësisë dhe ndjeshmërisë së çështjes, por tha se “ajo që e bën këtë vendim pak të vështirë për t’u kuptuar është se anëtari i personelit ishte planifikuar të përfundonte detyrën e tij më 14 mars”.

Misioni i Shteteve të Bashkuara në OKB tha në një deklaratë të hënën se 12 diplomatët rusë “kishin abuzuar me privilegjet e tyre të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara duke u përfshirë në aktivitete spiunazhi që janë të dëmshme për sigurinë tonë kombëtare”.

Një zëdhënës i Misionit amerikan në OKB tha të martën se “Më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara nisën gjithashtu procesin për të kërkuar largimin e një operativi rus të zbulimit që punon në OKB, i cili ka abuzuar me privilegjet e tij të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara.”

Zëdhënësi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe komentoi në kushte anonimiteti.

Please follow and like us: