Vritet në Ukrainë komandanti i batalionit rus “Sparta”
Kiev, 6 mars 2022 – Një komandant lufte i Rusisë, që e udhëhiqte batalionin neo-nazist “Sparta”, është vrarë në Ukrainë. “The Sun” shkruan se Vladimir Zhoga, me nofkën “Voha”, është vrarë të shtunën, gjatë luftimeve në qytetin lindor të Ukrainës Volnovakha. Denis Pushilin, i cili e udhëheq territorin e shkëputur ukrainas të Donetskut, e konfirmoi vdekjen e komandantit. “Sot, komandanti i batalionit të veçantë të zbulimit të Spartës, koloneli i Gardës Vladimir Zhoga, vdiq si një hero në Volnovakha”, shkroi ai. Sipas Pushilinit, komandanti i batalionit “Sparta” është vrarë gjatë një operacioni për evakuimin e civilëve nga Volnovakha, një nga qytetet ku rusët e shkelën marrëveshjen e armëpushimit ditën e shtunë. Zhogu iu bashkua rebelëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014, kur u krijua Batalioni “Sparta”, një milici neo-naziste që e ka mbështetjen e Moskës. Batalioni ka kryer një valë sulmesh vdekjeprurëse kundër trupave ukrainase dhe ka marrë pjesë në luftën e zhvilluar në rajonin e Donbassit, që nga shpërthimi i saj, tetë vjet më parë. Vdekja e Zhogës është një tjetër goditje e madhe për Vladimir Putin, i cili këtë javë i humbi dy shefat kryesorë ushtarakë në Ukrainë. Ushtria ruse nuk po arrin të përparojë në territorin ukrainas, siç kishte patashikuar Putini. Ukrainasit po i bëjnë rezistencë të fortë, përkundër supremacisë së ushtrisë ruse në armatim e pajisje ushtarake.