Ismail Xhaferi: Baladë për Adem Jasharin
7 mars 1998, dita e rënies heroike të tij
Të gjithë malet u përulën,
Gjak i kuq çdo gur, çdo plis,
Se po shkon Adem Jashari
Drejt altarit të lirisë.
Sa e panë nëpër beteja,
Bubullimat qiejt drodhën,
Se po shkon Adem Jashari
Që të vdesi për Kosovën.
Shkon të vdesë Adem Jashari
Për kurban e do liria,
Që të marri frymë Kosova,
Ai dha frymën e tij.
Plagë në trup e brengë në shpirt ,
Nuk ka shkja që ta kthejë pas,
“Ah të kisha dhe ca gjak
Që ta dërdhja në Prekaz”!
“Do ta derdhja për Kosovën,
Po të kisha edhe pak”,
Ndaj bozhurët e Kosovës
Fort u shtrydhën, nxorrën gjak.
Heshtur Isa Boletini,
Shtrëngon dorën tek martina,
Rrudhat çanë shtegun e ballit,
U kthyen në vetëtima.
Edhe Vlora kryezonjë,
Prushin prap rindez te gjiri,
Ismail Qemalit mjekra,
Iu drodh si flakë qiriri.
Flamuri i rëndë i kombit
Nga shtiza nisi të zbresë,
Shkoi dhe iu mbështoll në trup,
Si krahët e nënë Zajdesë.
Thonë u vra Adem Jashari
Po nuk vritet ai burrë,
U bë shkëmb e hodhi rrënjë,
U bë shqipe në flamur.
Thonë u vra Adem Jashari
Po ai s’ka vdekje kurrë,
U bë erë në alpet tona,
Që të valviti flamur.
Ai rend nëpër beteja
Nëpët rrugë të sakrificës,
Në damar të tij i rrjedh,
Gjaku i Azem Galicës.
Ranë Jasharajt për lirinë
Sup më sup e dorë përdore,
Pesëdhjetë e tetë dëshmorë
Pesëdhjetë e tetë llogore.
Ranë një nga një të gjithë
Ranë si lisa të prerë,
Por në djepin e Jasharajt,
Prap përkunden djem të tjerë…
Po dha kushtrimin Kosova
Baca prap e braktis varrin,
Se s’ka varr që e mban brenda,
Komandant Adem Jasharin.