Albspirit

Media/News/Publishing

AGRESIONI I RUSISË NDAJ UKRAINËS DHE KRIZA E SHPIRTIT

Xhelal Zejneli

Që në fillim të veprimit politik të vet, Hitleri zhvilloi një propagandë aktive ndër gjermanët për “vuajtjet dhe kushtet jetësore të tmerrshme” të miliona gjermanëve që jetonin në territorin:

– e Çekosllovakisë në Sudet (Sudetenland) që përbënin rreth 90% të popullsisë së rajonit;

– të Sllovakisë dhe të Ukrainës Transkarpate (gjermanët e Karpateve) dhe

– nën shtypjen e popullsisë sllave të vendit.

Gjermanët jetonin në këtë rajon që nga shekulli XIII kur mbretërit çekë i ftuan ardhacakët që të vendosen në zonat e braktisura në kufijtë e mbretërisë çeke.

Situata nisi të përkeqësohet kur Gjermania filloi t’i mbështesë haptas partitë fashiste në Sudet (Sudetenland). Në zgjedhjet e vitit 1935 fitoi partia kombëtare separatiste e Konrad Henlajn (Konrad Henlein, 1898-1945). Veprimet e tij e acaruan atmosferën në Sudet. Për t’i ulur tensionet në rajon, qeveria çekosllovake u detyrua të marrë masa të caktuara: përfaqësimi i gjermanëve në Kuvendin Popullor, përfshirja në qeverisjen vendore dhe arsimimi në gjuhën e tyre amtare. Por, në prill 1935, partia e Konrad Henlajnit (Henlein) doli me kërkesën për autonominë e rajonit. Formacionet ushtarake të Gjermanisë iu afruan kufirit të Çekosllovakisë. Si kundërpërgjigje, me mbështetjen e BRSS-së dhe të Francës, trupat çekosllovake e vunë Sudetin (Sudetenland) nën kontroll. Midis gjermanëve të Sudetit dhe trupave të qeverisë çekosllovake pasuan një sërë konfliktesh. Bisedimet e 7 shtatorit nuk dhanë rezultat. Hitleri reagoi: “Unë dua paqe, por nëse qeveria çekosllovake nuk i tërheq trupat nga Sudeti, do të ballafaqohet me luftën”. 

Më 15 shtator 1935, Hitleri i thotë kryeministrit britanik Çemberlen (Chamberlain): “Territoret në të cilat jetojnë mbi 50% gjermanë, në bazë të së drejtës së popullit për vetëvendosje,  do t’i bashkëngjiten Gjermanisë”Çemberleni (Chamberlain) pajtohet me këtë. Garantues të kufirit të ri të Çekosslovakisë janë Britania, më vonë edhe Franca. Më 21 qershor, deputetët e këtyre dy fuqive të mëdha i paralajmërojnë ultimatum qeverisë çekosllovake. Kundër dëshirës së vet, ultimatumin e pranoi kryetari i Çekosllovakisë, Eduard Benesh (Edward Beneš, 1884-1948). Pas kësaj, u paralajmërua grevë e përgjithshme, protesta dhe ndërrim i pushtetit. U paralajmërua edhe mobilizimi i përgjithshëm. Hebrenjtë, çekët dhe antifashistët gjermanë filluan të ikin nga Sudeti. BRSS-ja u tregua e gatshme t’i ndihmojë Çekosllovakisë, ushtarakisht. Polonia ndërhyri duke thënë se nuk do të lejojë që forcat ushtarake të BRSS-së të kalojnë në Çekosllovaki nëpër territorin e saj. Ndihmën e Moskës e refuzoi edhe vetë Çekosllovakia.

Duke parë mobilizimin e ushtrisë çekosllovake, Hitleri i njoftoi ambasadorët e Anglisë dhe të Francës se është i detyruar të fillojë luftën.

Më 26 shtator 1938, Fyreri (Führer) deklaron në Berlin: “Po qe se Sudeti deri më 1 tetor nuk i bashkëngjitet Gjermanisë, unë do të jem ushtari i parë gjerman që do të marshojë drejt Çekosllovakisë. Pasi të zgjidhet çështje e Sudetit, nuk do të kemi kërkesa të tjera territoriale në Evropë”.

Konferenca e Munihut – Kësaj konference i printe lufta e pashpallur midis Gjermanisë naziste dhe Çekosllovakisë, e intensitetit të ulët, që kishte filluar më 17 shtator 1938. Për ta zgjidhur këtë çështje, më 29 shtator 1938, shefat e qeverive të Gjermanisë, të Italisë, të Britanisë së Madhe dhe të Francës – Hitleri, Musolini (Mussolini), Çemberleni (Chamberlain) dhe Daladie (Daladier) u takuan në rezidencën e Hitlerit – Führerbau në Munih (Münich). Konferenca filloi në orën 12.45 minuta. Përfaqësuesve të Çekosllovakisë, nuk iu lejua të ulen në tryezën kryesore, ndërsa BRSS-së nuk iu lejua pjesëmarrja. Fati i Çekosllovakisë u vendos në bisedimet që zgjatën dy ditë, më 29 dhe 30 shtator 1938. Marrëveshjen e Munihut e nënshkruan në mesnatën e 30 shtatorit të vitit 1938 Hitleri, Çemberleni (Chamberlain), Daladie (Daladier) dhe Musolini.

Marrëveshja e Munihut i mundësoi Gjermanisë ta pushtojë Çekosllovakinë. Duke qenë se në Konferencën e Munihut çekosllovakët u shpërfillën, çekët thanë: “Për ne, pa ne”.

Me t’u kthyer nga Munihu në Londër, në postblloku e aeroportit kryeministri britanik, Çemberleni, deklaroi: “Luftë nuk do të ketë, ia sjell paqen brezit tonë”. (Paqe kohës sonë). Ndërkaq, kryeministri francez Daladie, në aeroportin e Parisit, para të tubuarve brohoriti: E shpëtuam paqen, e shpëtuam paqen!”

Epilogun e takimit të Munihut, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) e vlerësoi krejt ndryshe: “Anglisë i duhej të zgjidhte midis luftës dhe turpit. Për ta fituar luftën, ministrat e saj e zgjodhën turpin”Çerçili i tha Çemberlenit“Mos mendoni se ky është fundi. Ky është vetëm fillimi i konfliktit. Është gllënjka e parë. Gota e parë e hidhët që do të na ofrohet nga viti në vit”. 

Kur Gjermania e sulmoi Norvegjinë, Çemberleni dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. E zëvendësoi Uinston Çerçili.

Për Marrëveshjen e Munihut ka pasur mendime të ndryshme. Disa e kanë arsyetuar duke thënë se e ka shpëtuar Evropën nga lufta, ndërsa të tjerë, Konferencën e Munihut e kanë quajtur Tradhtia e MunihutKomploti i Munihut.

Ka studiues që thonë: Eduard Daladie mendonte se nuk do të ishte e arsyeshme që Evropa të hyjë në luftë, për t’i mbajtur tre milionë gjermanë nën sovranitetin e Çekosllovakisë”.

Shprehja “Marrëveshja e Munihut” është shndërruar në metaforë të përpjekjeve  absurde për të përmbushur aspiratat ekspansioniste të shteteve totalitare, me arsyetimin: të shpëtojmë apo të ruajmë paqen.   

Shkrimtari gjerman, laureat i çmimit “Nobel” më 1929, Paul Tomas Man (Paul Thomas Mann, 1875-1955) sulmoi “Evropën, për gatishmërinë e saj për të pranuar robërinë”.

Më 13 mars 1938 Hitleri aneksoi Austrinë (Anschluss). Më 16 mars 1939, Vermahti (Wermacht) gjerman pushtoi pjesën e mbetur të Çekosllovakinë, ndërsa më 1 shtator 1939 Hitleri i ra edhe Polonisë. Pas dy ditëve, Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Konflikti mori karakter botëror. Por ky akt i Londrës dhe i Parisit nuk ishte veçse simbolik, ngase Polonia duhej t’i bënte ballë armikut vetë. Zhvillimet e mëvonshme dëshmojnë se Konferenca e Munihut nuk e shpëtoi Evropën nga zjarri i luftës së tmerrshme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia më 21 mars 2014, s’ka dallim nga Anshlusi i Austrisë nga Gjermania naziste më 1938.

ShënimAdolf Hitler (1889-1945) udhëheqës i nazizmit gjerman, kancelar i Gjermanisë në vitet 1933-1945;  Benito Musolini (Benito Amilcare Andrea Mussolini, 1883-1945) politikan italian, gazetar, prijës Partisë Kombëtare Fashiste, kryeministër i Italisë në vitet 1922-1943; Artur Neville Çemberlen (Artur Neville Chamberlaine, 1869-1940) kryeministër britanik, Eduard Daladie (Édouard Daladier, 1884-1970) kryeministër francez.

*   *   *

Rusia është shteti me territor më të madh në botë. Me numër banorësh, radhitet në vendin e nëntë. Gjatë gjithë historisë së vet, Rusia ka ndjekur politikë ekspansioniste. Me fjalë të tjera, si në epokën cariste, ashtu edhe në periudhën bolshevike apo sovjetike, Rusia ka ndjekur politikë hegjemoniste. Të njëjtën politikë – ekspansioniste dhe hegjemoniste – Rusia ndjek edhe në periudhën postkomuniste. Në asnjë periudhë të vet, Rusia nuk ka qenë shtet demokratik. Pra, edhe në periudhën postsovjetike, Rusia nuk ka mundur të ndërtojë shtet demokratik. Politika dhe ideologjia ruse, është në anën e kundërt të demokracisë. Që nga periudha cariste, e deri në ditët tona, Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë shtet diktatorial dhe totalitar. Diktatoriale dhe totalitare, është edhe Rusia e kohës postkomuniste. Në shekullin XIX shumë intelektualë rusë, përfshi edhe shkrimtarë të caktuar, janë shkolluar në Perëndim apo i kanë vizituar shtetet e Perëndimit. Megjithëkëtë, Rusia ka mbetur kjo që është – nën standardet perëndimore. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, Rusia e sotme ndodhet në nivelin e Italisë. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik dhe tekniko-teknologjik, Rusia ndodhet poshtë vendeve të Perëndimit. Gjatë gjithë historisë së vet, cariste, sovjetike apo bolshevike dhe postkomuniste, Rusia i ka kushtuar rëndësi kryesisht zhvillimit të armatimit dhe armatosjes së vet. Një Rusi e tillë, nuk është tërheqëse për shtetet që i ka në afërsi të saj. Madje as për shtetasit e vet. Sipas politikës ruse, pakti NATO ekziston kryesisht kundër Rusisë dhe në shënjestër e ka atë, d.m.th. Rusinë. Rusia pandeh se NATO-ja apo Perëndimi kanë për qëllim ta rrethojë Rusinë nga të katër anët. Shtrirjen e NATO-s në ish vendet e Bashkimit Sovjetik apo në vendet që dikur kanë qenë anëtarë të Traktatit të Varshavës, Rusia e shfrytëzon si pretekst për të ndërmarrë ekspedita ushtarake ndaj vendeve të caktuara që i ka në afërsi.

Rusia e sotme është shtet gjysmësovjetik. Qëllimi i Putinit është ta rimëkëmbë perandorinë sovjetike, të shpërbërë si pasojë e ngjarjeve në Rusi në periudhën 19 janar 1990 – 31 dhjetor 1991, pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Kryetari i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS-së, Leonid Iliç Brezhnev (1906-1982) i cili ishte në krye të Bashkimit Sovjetik në periudhën e  viteve 1964-1982, për shtetet anëtare të Traktatit të Varshavës përdorte termin “sovranitet i kufizuar”Putini ndërkaq, ia shkon atij. Ai flet për shuarje të sovranitetit. Sipas tij, Ukraina  nuk mund të ketë kurrfarë sovraniteti.

Pushtimet e Rusisë të viteve të fundit të përkujtojnë pushtimet e Hitlerit në prag të Luftës së Dytë Botërore. Evropa duhet të marrë mësim nga historia. Dikur Hitleri “i çlironte” dhe i aneksonte gjermanët që ndodheshin jashtë kufijve të Gjermanisë. Të njëjtën është duke e bërë edhe Rusia e viteve të fundit, me në krye Vladimir Putinin. Duke “i çliruar” pakicat ruse që jetojnë në shtetet fqinje të Rusisë, Moska në të vërtetë synon të arrijë synimet e veta strategjike me rëndësi gjeopolitike.

“Çlirimin” dhe aneksimin e rajoneve të banuara me minoritet rusë, Putini shpesh e ka krahasuar dhe e ka arsyetuar me shembullin e Kosovës. Që nga Kriza e madhe lindore (1877-78) e deri më sot, Rusia vepron kundër interesave jetikë të shqiptarëve, vepron në dëm të territoreve të shqiptarëve. Gjatë historisë politike të kohës më të re, Rusia ka mbrojtur interesat e Bullgarisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë – gjithmonë në dëm të shqiptarëve. Më 3 mars 1878, midis Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane u mbajt Paqja e Shën-Stefanit. Të dyja palët nënshkruan Traktatin e Shën-Stefanit. Me vendimet e Shën-Stefanit, krijohej Bullgaria e madhe në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Kongresin e Berlinit të mbajtur më 13 qershor 1878, Rusia mbrojti interesat e sllavëve të Ballkanit, në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër të mbajtur më 7 dhjetor 1912 – maj 1913, Rusia përsëri i mbrojti interesat e satelitëve të saj sllavë të gadishullit, gjithmonë në dëm të territoreve të shqiptarëve. Edhe sot, Rusia mbron Serbinë në dëm të Kosovës. Eksponentë të politikës kundër Kosovës, sot janë Putini dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Viktoroviç Lavrov (1950-). 

Shënim: Traktati i Shën-Stefanit u nënshkrua në Shën-Stefan (sot Jeshilkej – Yeşilköy), vendbanim në perëndim të Stambollit.

*   *   *

Sipas ShBA-së, Evropës i kanoset rreziku nga Rusia. Pa Amerikën, kontinenti i vjetër nuk mund të mbrohet nga një invadim eventual rus. Sipas Uashingtonit, prania e ShBA-së në Evropë është e domosdoshme. Franca ndërkaq, dëshiron një Evropë Perëndimore që do të ishte jashtë ndikimit amerikan. Për këtë arsye, Parisi parapëlqen që BE-ja të krijojë një ushtri të veten. Mirëpo, Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore. Fuqi bërthamore është edhe Rusia, e njohur si Federata Ruse. Një konflikt i drejtpërdrejtë midis dy shteteve bërthamore duket i pamundur. Dy fuqi bërthamore mund të përfshihen në konflikt të armatosur, por në territor të tretë, sikundër ishte rasti në SiriIndia dhe Pakistani janë fuqi bërthamore. Ato janë në mosmarrëveshje për Kashmirin. Që kur janë bërë fuqi bërthamore, i shmangen një konflikti të madh. Është e vetëkuptueshme se asnjë fuqi bërthamore nuk do ta lejonte humbjen ushtarake. Duke qenë se Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore, atëherë rezulton se një sulm eventual i Rusisë në Evropën Perëndimore duket i pamundur. Bomba bërthamore është armë e luftës pa fitimtarë.

Si armë ndaj Evropës, Rusia përdor gazin dhe  naftën, por edhe prodhime dhe lëndë të para të tjera. Për sanksionet që dikur ia vendoste Perëndimi Rusisë, Moska përgjigjej me pyetjen retorike: “Ne dëmtohemi prej sanksioneve tuaja, por dëmtoheni edhe ju. Ku do t’i shitni mallrat, nëse jo në tregun e madh rus!?” 

Nuk dihet saktë në është e mundur që Perëndimi t’i japë fund varësisë nga gazi dhe nga nafta ruse dhe të gjejë burime alternative furnizimi. Po qe se një gjë e tillë qenkësh e mundur, atëherë ç’paska pritur Evropa deri më tash. Kjo çështje është dashur të ishte zgjidhur që para 20 apo 30 vjetëve. Dihen raportet historike midis Rusisë, në një anë dhe perëndimit në anën tjetër.

*   *   *

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë është agresion dhe invadim. Është tendencë për pushtim dhe për nënshtrim. Këtë agresion Moska e quan operacion mbrojtës, operacion  vetëmbrojtës, operacion ushtarak special. Invadimin e Ukrainës nga Rusia, Serbia e ka cilësuar si operacion ushtarak. Serbia është ndër shtetet e rralla të Evropës, në mos i vetmi që s’i ka vënë sanksione Rusisë. Gjithë bota e di se nuk ka hyrë ushtria ukrainase në Rusi, ka hyrë ajo ruse në Ukrainë. Në këtë kohë, me Rusinë janë Bjellorusia,Serbia, Koreja e Veriut, Siria, Eritreja. Mbështetës të Putinit në këtë luftë kundër Ukrainës janë: kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko (1954-), kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970-), lideri i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës,  Millorad Dodik (1959-), kryetari i Sirisë Bashar al-Asad (1965-), kryetari i Koresë së Veriut Kim Jong-un (1984-), kryetari prorus i Çeçenisë RamzanKadirov (1976-). Deri më sot, Vuçiqi është takuar me Putinin 19 herë. Meqë Serbia nuk e dënoi sulmin rus mbi Ukrainë, atëherë ajo duhet të hiqet nga lista e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pretendon BE-në.

*   *   *

Kombi shqiptar në këtë luftë, u rreshtua në anën e drejtë të historisë. Sulmin rus ndaj Ukrainës e cilësuan si agresion, si invadim dhe si tendencë për pushtim. Propaganda ruse për pjesëmarrjen e mercenarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në radhët e ushtrisë ukrainase, është rrenë e kulluar. Ukraina ka 44 milionë banorë, ndaj s’i ka ardhur puna për mercenarë. Sidoqoftë, ka vullnetarë të vendeve të caktuara që thuhet se u janë bashkuar radhëve të luftëtarëve ukrainas. Përkundrazi, mercenarë serbë, sirianë dhe të tjerë luftojnë në radhët e ushtrisë pushtuese ruse. A nuk është për t’u habitur që në radhët e ushtrisë ruse të luftojnë të huajt, kur dihet se Rusia ka 146 milionë banorë. Rusia e pushton Çeçeninë që një ditë t’i mobilizojë dhe t’i rekrutojë djemtë çeçenë për të luftuar për interesa të Moskës. Fausti i Gëtes thotë: “Madje edhe ferri i ka ligjet e veta të çuditshme”.

Me këtë agresion ushtarak, me këtë invadim, Rusia ka shkelur parimet e përcaktuara pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pushtimi i një kombi properëndimor është i pajustifikueshëm. Sulmi ndaj Ukrainës përbën shkelje të sovranitetit, të tërësisë së tokave dhe të të drejtave të njeriut.

Është e drejtë e popullit të Ukrainës të zgjedhë orientimin e vet: Lindjen bolshevike ruse apo perëndimin e zhvilluar dhe demokratik. Sipas Putinit, rusët dhe ukrainasit na qenkan një popull. Nëse qenkan një popull, atëherë si është e mundur të sulmosh atë popull me tanke dhe raketa, në këtë dimër të acartë!? Të vrasësh fëmijë, të sëmurë, të moshuar, civilë, ushtarë të rinj, t’i detyrosh njerëzit të strehohen nëpër metro, bodrume, vendstrehime, të detyrosh miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e veta, të rrënosh shkolla, spitale, azile pleqsh, t’i lësh pa ujë, pa sasi të mjaftueshme ushqimi, pa energji elektrike, të shkatërrosh infrastrukturën, t’i goditësh me predha ndërtesat. Pasi qenkeni një popull, atëherë si është e mundur t’i detyrosh prindërit të ndahen prej fëmijëve të tyre të vegjël!?

Këtu kemi të bëjmë me krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe me gjenocid. Është detyrë e Evropës të paguajë çmim për paqen, lirinë dhe demokracinë.

Gjatë gjithë historisë, lufta dhe paqja kanë qenë në duart e fuqive të mëdha. Sot është në duart e ShBA-së, të Rusisë, të Kinës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë. Është turp për qytetërimet e rruzullit që paqja dhe lufta të jenë në duart e magnatëve, të oligarkëve apo të miliarderëve të botës. Fati i miliona njerëzve, në duart e industrisë së armëve!? Të shpërthejë një luftë e përmasave të këtilla, si kjo e Ukrainës, në Evropën e shekullit XXI, nuk ka sesi të mos duket absurde.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës vë në dyshim vlerat e qytetërimeve të sotme. Para këtij invadimi, kanë heshtur filozofia, arti, sociologjia, etika, religjioni. Bota sot, nuk asnjë filozofë si ata të shekullit XIX dhe të mesit të shekullit XX. Sot s’i ke Volterin, Rusonë, Hegelin, Kantin, Shelingun, Fihten, Niçen, Sartrin, Kamynë, Jaspersin, Hajdegerin, Markuzen. Që nga gjysma e dytë e shekullit XX e këndej, romani në Evropë ka vdekur. Sot s’ke një Gëte, Balzak, Hygo, Zola, Dostojevski, Bodler, Xhojs, Beket, Zhid, Sartrë, Kamy, Tomas Man, Hemiguej, Markez. Kuptohet, luftëra ka pasur edhe në kohën e tyre, por ata të paktën e kanë ngritur zërin e protestës. Nobelistë ke sa të duash, por s’u dëgjohet zëri. Madje, ndonjërin prej tyre, askush s’i përfill. Nobelistë ke edhe në lëmin e shkencës, dijetarë, shpikës. Edhe këta kanë heshtur.

Vendin e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj të historisë, e kanë zënë sot do politikanë të Evropës dhe të mbarë botës, që nuk shquhen për burra shteti. Kjo flet se bota ndodhet në krizë shpirti.

Në krye të luftës së përgjakshme në Ukrainë ndodhet Putini, personi me të cilin vite me radhë janë takuar shumë politikanë të botës, burra shteti, kryetarë shtetesh, kancelarë, kryeministra, në mos dhe mbretër e sulltanë. Janë takuar dhe ia kanë shtrënguar dorën, madje edhe janë marrë ngrykë. Karakteri i këtij stalinisti të përbetuar duhet studiuar me metodën psikanalizës. Ç’të mire pret prej një udhëheqësi të një fuqie të madhe i cili s’lë dot konferencë shtypi pa e përmendur Kosovën e vogël, i cili i bie gjoksit se vendi i tij është fuqi bërthamore. Asnjë interes dhe e asnjërës palë, qoftë ekonomik, qoftë strategjik apo gjeopolitik, nuk e arsyeton tragjedinë e Ukrainës.

Burra shteti të botës u takuan me tiranin, despotin, militarin, autokratin, autoritarin, diktatorin Putin, edhe pse ky e kishte sulmuar Gjeorgjinë dhe ia kishte pushtuar Osetinë Jugore dhe Abhazinë; e kishte pushtuar dhe e kishte aneksuar Krimenë; i kishte mbështetur rebelët prorusë në lindje të Ukrainës dhe kishte i krijuar të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckës dhe Republika Popullore e Luganskës. kishte ndërhyrë në Moldavi për të krijuar Pridnjestrovlen, kishte ndërhyrë në Nagorno-Karabah në Azerbajxhan. Në planin e brendshëm, e kishte shuar zërin e opozitës, e kishte vrarë politikanin liberal Boris Njemcov (1959-2015), e kishte burgosur liderin e opozitës ruse Aleksej Navalni (1976-), kishte vënë nën kontroll mediumet …

Putini është shkaktari kryesor i mosmbylljes së statusit të Kosovës. Ai i thotë Vuçiqit: “Për Kosovën mos lësho pe. Kërkoje edhe të pamundurën. Unë qëndroj pas teje. Rusia jam unë”. Rusia e Putinit punoi me të madhe për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të caktuara që tanimë e kishin njohur. Rusia punoi pandërprerë për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vitet e fundit Rusia vazhdimisht e ka armatosur Serbinë, duke rrezikuar me këtë sjellje paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Moska i thotë Beogradit: “Kur mos e prano pavarësinë e Kosovës”. Nga kjo del se dialogu i deritashëm midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel ka qenë punë Sizifi. Një diplomat anglez i tha Putinit me ironi: “Meqë çdo pushtim në afërsi të Rusisë e arsyeton duke marrë si pretekst Kosovën, atëherë përse nuk e njeh pavarësinë saj”.    

Në shekullin XXI, problemet e botës duhet të zgjidhen në mënyrë racionale dhe jo militare.

Kush pëson, kush vritet nëpër luftëra? Vriten njerëzit e rëndomtë, kryesisht shtresat e ulëta të shoqërisë, punëtorët, fshatarët, bijtë e punëtorëve dhe të fshatarëve, pësojnë, vriten të papunët, të varfrit, skamnorët. Të kamurit dhe bijtë e bijat e tyre, me gojën plot atdhetarizëm, zbaviten, argëtohen nëpër vendet ezoterikë të botës. Është rrëqethëse, e dhimbshme të rekrutosh e të mobilizosh djem të rinj 18-vjeçarë dhe t’i dërgosh nëpër fushëbeteja.

Midis paqes dhe agresionit rus askush nuk mund të qëndrojë asnjanës (neutral). Pretendimet imperialiste ruse dhe kursi ekspansionist i Kremlit do të dështojnë. E keqja mbi të mirën s’ka për të fituar. As terri mbi dritën. Diktatura mbi demokracinë dhe robëria mbi lirinë kurrë s’kanë për të ngadhënjyer. Para sanksioneve të botës së lirë, Rusia do të gjunjëzohet dhe do të dorëzohet. Qëndresa prometeane e Volodimir Zelenskit (Volodymyr Zelenskyy, 1978-) do të triumfojë mbi Zotin e luftës.

Putini do të marrë mësim nga gjenerali, i cili, i shoqëruar nga një prift, kishte ardhur në malet e Shqipërisë për t’i mbledhur kockat e ushtarëve të vet të vrarë. I kishte futur nëpër thasë najloni dhe me të mbërritur në vendin e vet, i kishte hedhur para këmbëve të prindërve të trishtuar.

Please follow and like us: