Albspirit

Media/News/Publishing

ALARMI, SPIUNËT, KINA: HISTORIA E FSHEHTË E LUFTËS

GUIDO OLIMPO

Vallja e hijeve për rreth Ukrainës është zhvilluar mbi tre pista. Në mezin e nëntorit SHBA lajmëruan drejt për së drejti aleatët mbi planin e mësymjes, drejtoresha e National Intelligence, Avril Haines, erdhi n’Evropë për të shpjeguar. U prit me mosbesim.

Lajmërimi

Muajin tjetër, në fillim të dhjetorit një tjetër lajmërim: me njoftim dhe nëpërmjet një artikulli të Washington Post, që inkuadron përsosmërisht operacionin, duke treguar në mënyrë të saktë përbërjen e forcave të mobilizuara. Mendojnë se ora x do të jetë në ditët e para të vitit. Hollësitë janë të rëndësishme por nuk bindin. Zgjedhja për të dhënë njoftimet, kaq të sakta, përmban katër vështrime: është një hap i pazakontë sepse i zbulon Moskës atë që dijnë në Washington; nënvizon rëndësinë; tregon se CIA ka burime të çmueshme e të nivelit të parë; është një orvatje e dëshpëruar për të shtyrë Putinin të heqë dorë.

Agjensia është e drejtuar nga William Burns, diplomat karriere me një të shkuar prej ambasadori në Rusi. E njeh dosjen. Shkon vetë në kryeqytetin rus për të përballuar çështjen e kush e di nëse ka nxjerrë të tjera letra, për t’i dhënë të kuptonin bashkëbiseduesve se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për atë që është duke u përgatitur. Një skenë gjuetie në Tetorin e Kuq. Ajo e drejtorit është vizita e katërt, duke filluar nga korriku, e zyrtarëve të lartë amerikanë, një tregues i mundimit të vënë në veprim. Përplasen me muret e Kremlinit. Cari është i bindur se ka gjithshka në anën e tij, madje – një tjetër zbulim – don të kalojë Olimpiadën dimërore që zhvillohet në malet kinezë. Dje New York Times ka shkruar se Pekini i paska kërkuar favorin, edhe se nuk ka siguri në këtë lajm. Zbulimi ndjek një tjetër: amerikanët kishin kërkuar prej muajsh ndihmën e Kinës për të ndaluar katastrofën duke paraqitur edhe të dhënat. Por Republika popullore nuk i ka besuar alarmit. Hakerat e Anonymous-it kanë përhapur një dokument të hamendësuar rus, ku thuhej se urdhëri i sulmit ishte parashikuar për në 18 janar, por pastaj ishte zhvendosur. Një datë pranë asaj të caktuar në fillim nga Shtetet e Bashkuara.

Grumbullimi

Zbulimi amerikan paralelisht ka vazhduar vjeljen e prodhimit. Është rritur mbikqyrja e satelitëve dhe ajo elektronike. Është e mundëshme që burimet nga toka ruse të kenë kaluar të tjera hollësi mbi qëndrimin politik e vetiak të Putinit. Nga ana e tij shërbimit të  fshehtë rus i është dashur të mbarështojë tre fronte: 1) SHBA dijnë shumë, kush ka tradhëtuar? 2) Ukraina është e njoftuar, cili do të jetë kundërveprimi i saj? 3) Në rast sulmi si do të përgjigjet bashkësia ndërkombëtare? Simbas New York Times Putini, mbas mësymjes, kishte shfryrë kundër bashkëpuntorëve sepse i kishin paraqitur skenarë ngjyrë rozë. E pohonte këtë një burim i FBI që, nga ana e tij, njeh ndonjë në rrethin e Kremlinit. Një shtjellë e dredhur që duhet të mbrojë grykën e thellë duke e devijuar atë që lexon, por që duhet të mbjellë dyshime në shtëpinë e armikut. Ende më e dyshimtë arena ukrainase. Rusët kanë depërtuar në aparatet e tyre të Sigurisë, pra duhej të luanin si t’ishin në oborrin e tyre. Çfarë kanë treguar miqtë në Kiev? Hamëndje: hyni me njësitë tuaja, Zelenski do të ikë. “Mjegulla” ka çoroditur shikimin e carit? Mos janë helmuar nga lajme të pathemeltë? Filorusët mezi ç’prisnin orën e një goditjeje dhe kanë mbështetur projektet e Ariut. I kish ndodhur amerikanëve në Irak kur u besuan personazheve pa gjasë shiitë. Pastaj nuk ka asgjë më të lehtë se sa të besohet një histori që përputhet me dëshirat. Në mes mund të jenë futur lojra të spiunëve, madje edhe vetë Zelenski, në prag të sulmit, nuk fshihte zëmërimin për lajmet alarmante që dilnin nga Shtëpia e Bardhë. I besonte apo ishte taktikë? Shefi i Shtatmadhorisë i tij, Valerij Zaluzhni, më 18 nëndor, ka patur një bisedë me gjeneralin amerikan Mike Milley, homologun e tij, kushtuar ”veprimtarive të Rusisë në Rajon”. Tre ditë më vonë, shefi i zbulimit ukrainas Kirilov Budanov, në një intervistë Military Times-it, vërteton rrezikun e mësymjes ndërmjet fundit të janarit e ditëve të para të shkurtit. Artikulli është shoqëruar nga një hartë. E dinin. E u a tregojnë të gjithëve që nuk i marrin seriozisht. Sepse ekspertët kanë kuptuar qartë pasojat e një lufte të tillë – është shpjegimi i një komentuesi rus të Russia Council – mendonin se mjaftonin për të ndaluar luftën. “Kemi gabuar sepse nuk kemi gabuar” për të parashikuar katastrofën.

Vrasësit

Një histori aventurore ka treguar më vonë për një operacion për të vrarë pikërisht Zelenskin, që i ishte besuar një grushti çeçenësh. Për t’a zbuluar qe fryrja në vesh e një agjenti rus, thuajse për të vërtetuar artin e lojës dyfishe, në të cilën nuk mund t’i besohet askujt. Gjithmonë nëse edhe kjo përpallje mos të jetë një orvatje për të ushqyer dyshime apo paranoja. Dy shtëpitë mëma të spiunazhit – SHBA dhe Rusia –  gjithmonë kanë patur një frikë të madhe se mos mashtroheshin nga një spiun kundërshtar që ofrohet për të bashkëpunuar. Më të maturit – në ndonjë rast, madje të djemnuar – ishin amerikanët, deri në atë pikë sa të mos i pranonin. Në rastin e presidentit ukrainas, është e pranueshme që Moska do t’a heqë qafe. Ndërsa për vrasësit, pështjellimi i çeçenëve është “ekzotik”, kujton vendosmërinë e tyre të njohur mirë, mban parasysh rolin e tyre në veprimtari të paligjëshme për llogari të shërbimeve të fshehta. Në të njëjtën kohë, duke parë kushtet e tashme, është më e lehtë që të jetë ndonjeri pranë udhëheqësit se sa një “i huaj”. Megjithatë kurrë nuk duhet thënë kurrë. E gjithë historia ukrainase është plot befasi.

“Corriere della Sera”, 4 mars 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Please follow and like us: