Raundi i katërt i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës që sot nisi online është shty për të martën, për çështje të sqarimeve “teknike” të grupeve punuese. Ndërkohë Rusia ka intensifikuar sulmet në qytet kryesore të Ukrainës.

17:12/Shtëpia e Bardhë diskuton mundësinë e një udhëtimi të Biden në Evropë

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po diskutojnë  mundësinë e një udhëtimi së shpejti, të presidentit amerikan, Joe Biden në Evropë, në mes të intensifikimit të agresionit rus në Ukrainë. CNN cito burime brenda Shtëpisë së Bardhë që thonë se po diskutohet çështja e një udhëtimi tjetër, që do të vinte  pasi atij të zëvendëspresidentes, Kamala Harris dhe sekretarit të shtetit, Antony Blinken. Administrata Biden po përpiqet të përshpejtojë pranimin e refugjatëve, nga Ukraina, përfshirë edhe bashkimet familjare, përderisa sipas OKB-së gati  3 milionë njerëz tashmë janë larguar nga Ukraina.

16:53/OKB konfirmon vrasjen e të paktën 636 civilëve nga sulmet ruse në Ukrainë

Zyra e Komisionerit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka njoftuar sot se ka arritur të  konfirmojë vrasjen e të paktën 636 civilëve dhe plagosjen e mbi 1,120 të tjerëve, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. Sipas OKB-së shifrat nuk janë të plota dhe ka një  rritje prej 40 vdekjesh në ditë  krahasim me raportimet e mëparshme, përderisa numri i fëmijëve të vrarë thuhet se po rritet gjithnjë e më tepër.

16:23/Zelensky mban fjalim  në Kongresin e SHBA

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të mërkurën do të mbajë një fjalim virtual në Kongresin Amerikan. Udhëheqësja e Dhomës së Përfqsuesve në Kongresin Amerikan,  Nancy Pelosi dhe homologu i saj në Senat, Chuck Schumer në një letër të përbashkët drejtuar ligjvënësve amerikane kanë njoftuar se të mërkurën në një sesion të veçantë do të mbaj fjalim presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. “Ne presim me padurim privilegjin për të mirëpritur fjalimin e Presidentit Zelensky në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit dhe për të përcjellë mbështetjen tonë për popullin e Ukrainës në kohën kur ata  po mbrojnë me guxim demokracinë”, thuhet në letrën e Pelosit dhe Schumer.

16:16/Aleati i Putinit pranon se agresioni rus nuk është në rrugën e duhur

Shefi i Gardës Kombëtare të Rusisë, Viktor Zolotov ka thënë se ofensiva ushtarake ruse në Ukrainë nuk do të planifikohet. Reuters raporton se deri më tani ky ishte pranimi më i rëndësishëmn nga një zyrtar i Kremlinit që konfirmon se ka agresioni rus në Ukrainë po has  më shumë rezistencë se sa që pritej. “Jo gjithçka po shkon aq shpejt sa ne do të donim”, ka thënë Viktor Zolotov, ish-truproja – i Presidentit, Vladimir Putin dhe një aleat i ngushtë i tij.

15:53/OKB thotë se më shumë se 2.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina

Agjencia e Kombeve të Bashkuara, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka njoftuar se që nga e hëna e kaluar, më shumë se 2.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për në vendet fqinje, duke përfshirë 127,000 shtetas të vendeve të treta, një agjenci e OKB-së. Në një deklarim të IOM thuhet se “çdo minutë njerëzit vazhdojnë të ikin nga lufta në Ukrainë  dhe ata kanë nevojë për “mbështetje të vazhdueshme”. Sipas OKB-së, lufta në Ukrainë deri më tani ka pasur një “ndikim shkatërrues” në më shumë se 7.5 milionë fëmijë.

15: 27/Raundi i katërt i bisedimeve Ukrainë-Rusi në “pauzë teknike” deri të martën

Pas dy orë bisedimesh, kryenegociatori ukrainas në bisedimet me Rusinë, Mykhailo Podoliak, ka njoftuar se është vendosur për një “pauzë teknike” në bisedimet mes palëve. Sipas Podoliak,  bisedimet do të vazhdojnë të martën ngase nevojitet “një  punë shtesë në nëngrupet punuese dhe sqarimi i përcaktimeve individuale” . Më herët sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi si të “të vështirë”, raundin e katërt të bisedimeve me Rusinë që kësaj here kishte nisur online.

15: 00/Pamjet me dron tregojnë shkatërrim masiv në Mariupol

Qyteti port i Ukrainës, Mariupol, po vazhdon të bombardohet nga sulmet ruse dhe pamjet e fundit tregojnë për një shkatërrim masiv të qytetit. Filmimet e fundit të marra nga një dron mbi qytet. tregojnë dhjetëra ndërtesa të djegura dhe rrugë të mbushura me trupa dhe rrënoja ndërtesash të shkatërruara nga granatimet.

14: 25/Rusia e Irani thonë se sanksionet pas agresionin në Ukrainë nuk dëmtojnë marrëdhëniet e tyre

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian dhe homologu i tij rys, Sergei Lavrov do të diskutojnë të martën në Moskë, për programin bërthamor të Republikës Islamike, pasi Tehrani akuzoi Shtetet e Bashkuara se po pengojnë një marrëveshje në bisedimet në Vjenë për rikthimin amerikan në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Autoritetet në Iran thanë sot se pezullimi i bisedimeve të ndërmjetuara nga Bashkimi Evropian nuk sinjalizon ndonjë ngërç, pasi Rusia deklaroi se sanksionet në lidhje me sulmin e saj në Ukrainë nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet e ardhshme me Iranin.

14.35/Zelensky tregon për një raund të “vështirë”  të bisedimeve, Ukrainë-Rusi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky , në një video-mesazh të Tëitter, ka thënë se po vazhdojnë “bisedimet e vështira” me Rusinë dhe më vonë në mbrëmje do ta publikojnë rezultatin e tyre. Zelensky ishte planifikuar të fliste më herët në Këshillin e Evropës, por më vonë u njoftua se ai nuk do t’i adresohet kësaj organizate. Kreu i ekipit negociator të Ukrainës në bisedimet me Rusinë, Mykhailo Podoliak ka njoftuar se sesioni i katërt po mbahet virtualisht dhe i tërë ekipi po diskuton nga Kievi, përderisa bisedimet e mëhershme ishin mbajtur në Bjellorusi.  “Palët po shprehin qëndrimet e tyre specifike. Por komunikimi është i vështirë. Arsyeja e mosmarrëveshjes janë sistemet e ndryshme politike. Rusia është një sistem shtypës i shoqërisë së saj”, ka thënë Podoliak.

14.02/Kremlini konfirmon synimin për marrjen e kontrollit të qyteteve të Ukrainës

Kremlini ka deklaruar se kishte planifikuar të shmang viktimat civile dhe të përmbahet nga sulmet në vendbanimet kryesore, përfshirë edhe Kievin. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë sot për TV Rossiya 24, se lufta urbane “pashmangshëm” shpie te një numër i madh viktimash civile.  ” Duke garantuar sigurinë e popullatës civile, Ministria e mbrojtjes, nuk e përjashton mundësinë e marrjes së kontrollit të qendrave të mëdha të banimit, me përjashtim të zonave të përdorura për evakuime humanitare”. Peskin gjithashtu akuzoi zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së për qëndrim provokues duke thënë se  “po e shtyjnë Rusinë drejt sulmit në qytetet kryesore të Ukrainë me synimin për ta bërë përgjegjëse për viktimat civile “.

13.33/Izraeli thotë se “nuk do të jetë rrugë për të anashkaluar” sanksionet ruse

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, u zotua sot se Izraeli nuk do të përdoret  nga rusët për të anashkaluar sanksionet perëndimore. Duke folur në Sllovaki, Lapid përsëriti dënimin e Izraelit për agresionin rus të Ukrainës, dhe tha se Izraeli “do të bëjë gjithçka për të ndihmuar ndërmjetësimin e paqes”. Komentet e Lapid vijnë dy ditë pasi nënsekretarja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, i bëri thirrje Izraelit të zbatojë sanksionet.

13.03/Një i vrarë nga copat e një rakete ruse Kiev

Zyrtarët në Ukrainë kanë njoftuar se një person është varë  dhe gjashtë janë plagosur në mesditë në një rrugë të Kievit, pasi copat e një rakete ruse të rrëzuar ranë në një zonë banimi. BBC raporton se pjesët e raketës që u kap nga mbrojtja ajrore e Ukrainës ranë duke shkatërruar një autobus dhe dogjën një ndërtesë banimi në lagjen Kurenivka të kryeqytetit. Fotot e shpërndara nga Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrisë së brendshme të Ukrainës, tregojnë mbetjet e autobusit dhe tymi që ngrihet nga ndërtesa e dëmtuar e banimit.

12:52/Dy të vrarë nga sulmi në fabrikën e aeroplanëve

Autoritetet ukrainase thanë se dy persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas një sulmi të forcave ruse në një fabrikë për prodhimin e aeroplanëve në Kiev. Portali i lajmeve strana.news publikoi foto dhe video që tregojnë një re pluhuri nga fabrika Antonov, në veriperëndimi të Kievit. Kompania ndërton aeroplanë për mallra dhe pasagjerë.

12:23/Nisin bisedimet për paqe Rusi-Ukrainë

Një nga negociatorët ukrainas ka ndarë një fotografi nga bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, që tani kanë hyrë në rundin e katërt të tyre, përmes një video lidhjeje. Zyrtari ukrainas, Mykhailo Podolyak tha se të dyja palët i kanë paraqitur pozicionet e tyre. Më herët gjatë javës ai tha se bisedimet e fundit do të fokusoheshin në arritjen e një armëpushimi, tëheqjen e trupave ruse dhe marjen e një garancioni për siguri në Ukrainë.

 

The parties actively express their specified positions. Communication is being held yet it’s hard. The reason for the discord is too different political systems. UA is a free dialogue within the society & an obligatory consensus. RU is an ultimatum suppression of its own society pic.twitter.com/O00fnCd1WP

— Михайло Подоляк (@Podolyak_M) March 14, 2022

12:15/Humb jetën gruaja shtatëzënë dhe bebja e saj pas sulmit në Mariupol

Një grua shtatëzënë dhe bebja e saj kanë vdekur pas sulmeve ruse në një maternitet në Mariupol, aty ku ajo ishte shtrirë për të kryer procesin e lindjes. Ngjarja që kishte ndodhur të mërkurën e kaluar, tregonte gruan e shtrirë në një barelë. Kjo po konsiderohet një prej imazheve më prekëse nga lufta në Ukrainë. Sipas AP-së, gruaja kishte lindur të shtunën përmes një operacioni cezarian, por mjekët konfirmuan të njejtën ditë se nëna, edhe foshnja, kanë ndërruar jetë.

11:48/Kina mohon se Rusia i ka kërkuar ndihmë rreth luftës në Ukrainë

Kina thotë se nuk ka pranuar kërkesë nga Rusia për pajisje ushtarake apo ndonjë lloj ndihme tjetër për ta mbështetur luftën e saj në Ukrainë. Dy zyrtarë amerikanë i kanë thënë CNN-it të dielën se Rusia ka kërkuar nga Kina përkrahje ushtarake, përfshirë dronë, e po ashtu edhe ndihmë ekonomike. Ministri i Jashtëm kinez, Zhao Lijian tha të hënën se SHBA “po shpërndanë dezinformata”.

11:34/Instagrami nuk funksionon më në Rusi

Instagrami nuk funksion më në Rusi, pas akuzave të Moskës ndaj kompanisë bazë, Meta, se po lejon në platformën e saj thirrjet për dhunë kundër rusëve, përfshirë edhe ushtrinë. Ky vendim vjen pasi Facebook dhe Twitter u bllokuan në fillim të marsit, pas tentimeve të autoriteteve ruse për të kontrolluar informacionin lidhur me luftën në Ukrainë. Të hënën, Instagrami shfaqet në listën e burimeve online në Rusi si “i kufizuar”.

11: 10/Nëntëdhjetë fëmijë të vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë ka njoftuar se 90 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë. “Numri më i madh i viktimave është në Kiev, Kharkiv, Donetsk, Chernihiv, Sumy, Kherson, Mykolayiv dhe Zhytomyr”, thuhet në një deklaratë për media. Rusia e mohon se ka për cak civilët në atë që e quan “operacion special” për demilitarizimin e Ukrainës.

11:00/Vazhdojnë luftimet në vende të ndryshme në Ukrainë

Të paktën dy persona janë vrarë, kur predhat goditën një ndërtesë banimi në Kiev të hënën në mëngjes, njoftoi TV shtetëror ukrainas. Sipas këshilltarit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko, edhe disa të tjerë janë lënduar nga predhat. Ndërtesa është kapluar nga zjarri, kurse banorët e plagosur janë evakur nga Shërbimi i Emergjencave të Ukrainës. Autoritetet e Kievit thanë se po grumbullonin artikuj ushqimorë thelbësorë për dy javë për rreth 2 milionë banorët që kanë mbetur në kryeqytet. Ukraina raportoi sulme të reja ajrore edhe në një aeroport në perëndim, bombardime të rënda në Chernihiv në verilindje të kryeqytetit dhe sulme në qytetin jugor të Mykolayiv, ku zyrtarët thanë se nëntë persona janë vrarë. Një video e ngarkuar në rrjetet sociale të dielën nga Garda Kombëtare e Ukrainas tregon sulmet me dron ndaj autoblindave ruse në qytetin e rrethuar Mariupolit.

10:53/Më shumë ndihma dërgohen në Ukrainë

Ministri i Shëndetësisë i Britanisë së Madhe tha se ky vend ka dërguar ndihma humanitare për në Ukrainë, në vlerë prej 400 milionë funtave. Ai tha se këtë mëngjes janë dërguar gjithashtu pajisje mjekësore, në një fluturim të tetë të furnizimeve, me paketa për plagë, e po ashtu antibiotikë. Ministri Sajid Javid i tha BBC-së se këto mund të duken ndihma bazike, por “Ukraine ka kërkuar këto lloj ndihmash”.

10:38/Zyrtari ukrainas: Mbi 2,500 të vrarë në Mariupol

Më shumë se 2,500 banorë të qytetit bregdetar të Mariupolit janë vrarë që nga 24 shkurti, kur filloi agresioni rus në Ukrainës, tha këshilltari i presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych. Ai tha se po i citon këto shifra duke u bazuar në të dhënat e administratës së qytetit të Mariupolit. Ai ka akuzuar forcat ruse për pengim të arritjes së ndihmave humantiare në qytetin e rrethuar. Në anën tjetër, Rusia thotë se nuk i ka cak civilët.

10:25/Kuleba: Duhet ta shmangim Luftën e Tretë Botërore

Ukraina vazhdimisht u bën thirrje vendeve perëndimore që të ndihmojnë më shumë në luftën kundër Rusisë dhe këtë thirrje e ka përsëritur sërish ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. “Ukraina po lufton me sukses”, ka thënë ai, duke shtuar: “Neve na duhet ndihma për të luftuar. Na jepni të gjitha armët e nevojshme”. “Aplikoni më shumë sanksione kundër Rusisë dhe izolojeni plotësisht. Ndihmojeni Ukrainën që ta bëjë Putinin të dështojë dhe në këtë mënyrë i shmangemi një lufte më të madhe”, ka thënë Kuleba.

To those abroad scared of being ‘dragged into WWIII’. Ukraine fights back successfully. We need you to help us fight. Provide us with all necessary weapons. Apply more sanctions on Russia and isolate it fully. Help Ukraine force Putin into failure and you will avert a larger war.

— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) March 14, 2022

09: 52/Polonia: Sulmi rus afër kufirit polak mesazh për NATO-n

Një sulm rus në një bazë ushtarake ukrainase në afërsi të kufirit polak, të dielën, ishte përpjekje për të “kërcënuar” NATO-n, tha zv/ministry i Jashtëm polak, Marcin Przydacz. Të paktën 35 njerëz janë vrarë në një bazë në Yavoriv, rreth 20 km nga kufiri me Poloninë, e cila është anëtare e Aleancës veriatlantike. Przydacz tha për BBC-në se veprimi rus ishte “shumë provokativ”. “Ata e dinë sigurt se kjo bazë ushtarake është në afërsi të kufirit polak”, tha ai.“Ata kanë dashur të dërgojnë një mesazh kërcenues për NATO-n”, tha ndër të tjera Przydacz.

09:30/Dy të vrarë e 12 të plagosur në Kiev

Të paktën 2 persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur, nga një sulm ajror rus në një ndërtesë banimi në Kiev. Zjarrëfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, pas sulmit. 63 persona u evakuuan pas bombardimit të katit të 9-të të ndërtesës në distriktin Obolon.

09:20/Optimizëm për negociata konstruktive

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po shtohen të hënën, pasi negociatorët ukrainas dhe rusë duken të vendosur të bisedoojnë përsëri pasi të dyja palët përmendën përparimin në negociata, edhe pasi Rusia sulmoi një bazë pranë kufirit polak dhe luftime  pati edhe në pjesë tjera. Por shpresat u rritën pasi Rusia dhe Ukraina dhanë vlerësimet e tyre më optimiste pas negociatave të fundjavës. “Rusia tashmë ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive, dhe unë mendoj se do të arrijmë disa rezultate konkrete brenda disa ditësh”, ka deklaruar  negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, në një video në internet. Edhe delegati rus në bisedime, Leonid Slutsky, u citua nga agjencia e lajmeve RIA të ketë thënë se ata kishin bërë përparim të rëndësishëm dhe është e mundur që delegacionet të arrijnë së shpejti projekt-marrëveshjet. Por, asnjëra palë nuk tha se çfarë do të përbëjnë ato, kurse tri raunde bisedimesh mes dy palëve në Bjellorusi, së fundmi te hënën e kaluar, ishin fokusuar kryesisht në çështjet humanitare. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha se delegacionet e vendeve kanë folur çdo ditë me lidhje video dhe një qëllim i qartë i negociatorëve të tij ishte të “bënin gjithçka” për të organizuar takimin e tij me Putinin. “Ne duhet të mbajmë. Ne duhet të luftojmë. Dhe ne do të fitojmë,” tha Zelenskiy në një fjalim video natën vonë. Në një telefonatë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe ai i Francës, Emmanuel Macron nënvizuan angazhimin e tyre për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për pushtimin, tha Shtëpia e Bardhë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, diskutuan gjithashtu përpjekjet diplomatike për të ndaluar pushtimin rus, tha Departamenti i Shtetit.