Rreth 120 mijë banorë me origjinë greke të ngujuar në Mariupol
Në qytetin e Mariupolit në Ukrainë, ndër më të shkatërruarit nga bombardimet e ushtrisë ruse, jetojnë mijëra banorë me origjinë greke. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendësministri i jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis kërkoi krijimin e një korridori për evakuimin e tyre. Greqia ka përqafuar sanskionet e Bashkimit Evropian kundër Moskës. Por rivali i Greqisë dhe anëtari tjetër i NATO-s Turqia nuk ka vepruar njësoj. Nisur nga qëndrimi i Ankarasë, zoti Varvitsiotis tha se përpjekjet e BE-së janë të kota nëse të gjitha vendet perëndimore nuk bashkërendojnë masat për ndëshkimin e Rusisë.
Rreth 120 mijë banorë me origjinë greke jetojnë në rajonin e Mariupolit, qytetit ukrainas të goditur rëndë nga bombardimet ruse, ku sipas autoriteteve të Ukrainës nga fillimi i sulmeve janë vrarë mbi 2 mijë e 400 civilë.
Zëvendësministri i jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se deri tani ishte e pamundur hapja e një korridori për evakuimin e tyre, ndërsa dita ditës po vështirësohet edhe komunikimi me ta.
Krahas qytetarëve, edhe një numër diplomatësh nga Greqia vazhdojnë të jenë të ngujuar në qytetin e rrethuar prej disa ditësh.
“Ata ndodhen për më shumë se 10 ditë mes luftimesh, nga jugu dhe veriu. Po flasim për një qytet të rrethuar nga forcat ruse, që është sulmuar ashpër. Edhe pse jemi lutur që këta njerëz të lihen të largohen nga Mariupoli, ushtria ruse nuk ka ndërmarrë ndonjë armëpushim”, tha zoti Varvitsiotis.
Në fillim ishte i paqartë qëndrimi që do të mbante Athina zyrtare ndaj agresionit rus në Ukrainë, për shkak të lidhjeve shekullore ekzistenciale, fetare dhe kulturore të shumë qytetarëve grekë me Rusinë.
Një sondazh pas fillimit të sulmit rus në shkurt tregoi se 20% e grekëve janë “më afër” me Rusinë, ndërsa 45% mbështesin Ukrainën.
Vetëm 8% thanë se do të bojkotonin produktet ruse dhe 2% thanë se do të shmangnin kontaktet me rusët.
Rreth 75% e të anketuarve dënuan qëndrimin e presidentit rus Vladimir Putin, por më shumë se 60% ishin gjithashtu kritikë ndaj presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, tregoi sondazhi i organizatës hulumtuese “Kappa Research”.
Por, Greqia është ndër vendet e para të Bashkimit Evropian që ka mbështetur sankionet kundër Rusisë për sulmin e paprovokuar të Moskës kundër Ukrainës fqinje dhe ka hapur dyert për refugjatët ukrainas, ndërsa deri tani ka strehuar rreth 10 mijë persona.
Zoti Varvitsiotis thotë se masat e bllokut evropian nuk do të kenë ndikim në ndërprerjen e luftës së Ukrainës, nëse të gjitha vendet perëndimore nuk bashkërendojnë veprimet e tyre.
“Duhet të sigurohemi se aleatët perëndimorë nuk lejojnë ndonjë shteg të hapur në sistemin e sanksioneve. Këtu po i referohem Turqisë, e cila nuk ka vendosur asnjë sanksion dhe mund të shndërrohet në një korridor për rusët që të shmangin sanksionet që ndalojnë udhëtimet mes Rusisë dhe botës perëndimore, mund të ndihmojë në strehimin e oligarkëve rusë, të mundësojë transferta bankare ose eksportin e mallrave jetike në Rusi. Pra nëse Turqia nuk bashkohet, çdo përpjekje e jona nuk do të ketë vlerë nëse paratë, të mirat dhe njerëzit lëvizin përmes Turqisë”, tha ai.
Anëtarja e NATO-s, Turqia ndan kufirin detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, ka lidhje të mira me të dyja vendet dhe ka ofruar mbështetje si ndërmjetësuese për arritjen e paqes. Ankaraja ka shprehur mbështetjen për Ukrainën, por gjithashtu ka kundërshtuar sanksionet kundër Moskës.
Ky nuk është dallimi i vetëm midis Ankarasë dhe Athinës. Dy vendet kanë marrëdhënie të tensionuara kryesisht për shkak të pretendimeve territoriale në ujërat e Mesdheut Lindor.
Por, kriza e shkaktuar pas sulmit rus në Ukrainë, ndikoi pozitivisht në raportin midis dy vendeve.
Të dielën Presidenti turk Recep Tayip Erdogan priti në Stamboll kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, një takim i rrallë midis dy vendeve fqinje.
“Një bisedë miqësore midis dy ushëheqësish që e dinë se nuk pajtohen. Por janë pajtuar që fillimisht të ulin tensionet dhe e dyta të zhvillojnë një axhendë pozitive të bashkëpunimit biletareal ekonomik, që është vështirë e arritshme pa e lehtësuar barren e kësaj marrëdhënie. Por definitivisht pati sinjale pozitive që në këto momente kritike të mos rrezikohet uniteti i NATO-s duke sjellë tensione të reja në një zonë interesi në lagjen e njëjtë”, tha për Zërin e Amerikës zëvendësministri i jashtëm grek.
Ankaraja dhe Athina ishin në prag të një konfrontimi më 2020 kur Turqia dërgoi anijet për nxjerrjen e naftës në ujërat e kontestuara mesdhetare. Situata u përmirësua pasi Turqia tërhoqi anijet dhe fqinjët rifilluan bisedimet dypalëshe në janar të vitit 2021.
Një delegacion i qeverisë greke ndodhet për vizitë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara. për të diskutuar rreth marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë në këtë periudhë krize mes luftës në Ukrainë.