Agresioni rus në Ukrainë – Dita 28
Rreth 100 mijë civilë kanë mbetur në qytetin e rrethuar të Mariupolit pa ushqim, pa ujë, pa ilaçe dhe nën bombardime të vazhdueshme, thotë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Presidenti amerikan Joe Biden i është bashkuar sot liderëve të vendeve perëndimore në Bruksel për të diskutuar me aleatët e BE-së dhe NATO-s një samit të jashtëzakonshëm të aleancës Veri-atlantike për agresionin rus në Ukrainë.
15:14/Ndihma e parë ushtarake amerikane mbërrin në Ukrainë
Dërgesat e para me ndihma ushtarake në vlerë prej 800 milionë dollarë janë dorëzuar në Ukrainë. Ndërkohë që zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se së shpejti do të bëhet transferimi edhe e i pjesës tjetër të paketës së ndihmave që javën e kaluar u aprovua nga Kongresi Amerikan. CNN citon zyrtarët që thonë se dërgesa përfshin, ndër të tjera, 800 sisteme anti-ajrore Stinger dhe 100 dronë të armatosur që konsiderohen si thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës.
14:46/Biden thotë se lufta kimike në Ukrainë është “kërcënim real”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden paralajmëroi sot se kërcënimi i përdorimit të armëve kimike nga Rusia në luftën e saj ndaj Ukrainës është “real”. “Unë mendoj se është një kërcënim real”. Në udhëtimin e tij në Evropë, që po cilësohet si thelbësor për të forcuar unitetin perëndimor dhe mbështetjen për Ukrainën, Joe Biden
14:41/Nestle pezullon markat e saj në Rusi, përfshirë KitKat dhe Nesquik
Gjigandi i ushqimit Nestle ka njoftuar se pezullon markat e tij të ushqimit përfshi edhe KitKat dhe Nesquik në Rusi pas kritikave gjatë fundjavës nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për lidhjet e tij me Rusinë. “Ne pezullojmë markat e njohura Nestlé, KitKat dhe Nesquik, ndër të tjera. Kemi ndalur importet dhe eksportet brenda dhe jashtë Rusisë, kemi ndaluar reklamat dhe kemi pezulluar investimet. Jemi plotësisht në përputhje me të gjitha sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë”, thuhet në një deklaratë të Nestle.
14:28/Shkatërrohet laboratori i monitorimit të rrezatimit në Çernobil
Autoritet në Ukrainë kanë njoftuar sot se forcat ruse kanë shkatërruar laboratorin afër termocentralit të braktisur bërthamor të Çernobilit që përdorej për të monitoruar mbetjet radioaktive. Vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë, që ndodhi në vitin 1986, ra në duart e rusëve javën e parë të agresionit të Rusisë në Ukrainë, duke rritur frikën se standardet e sigurisë brenda zonës së tij mund të komprometoheshin. Laboratori ishte një përpjekjeje për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve radioaktive përmes analizave të mbetjeve.
14:15/Forcat ruse shkatërrojnë urën kryesore në Chernihiv
Forcat ruse kanë bombarduar dhe shkatërruar urë kryesore mbi lumin Desna në qytetin e rrethuar Chernihiv. CNN citon kreun e këtij qyteti, Viacheslav Chaus që thotë se ura e shkatërruar që lidhte këtë qytetet me Kievin ishte përdorur për evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave humanitare. Chaus u zotua se shkatërrimi i kësaj ure nuk do të pengojë që ndihma të arrijë në Chernihiv. “Ne do t’i sigurojmë qytetit ushqim dhe gjithçka që nevojitet” ka thënë tha ai në një mesazh të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram.
14:01/Polonia dëbon 45 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh
Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, thotë se Varshava ka dëbuar 45 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh. “Polonia ka dëbuar 45 spiunë rusë që dyshohet se shërbejnë si spiunë nën petkun e diplomatëve”, shkroi Kaminski në Twitter. Ministri i Brendshëm polak ka thënë se po çmontojnë një rrjet të shërbimeve speciale ruse që funksiononte në Poloni.
13:52/Presidenti i Këshillit Evropian thotë se Putini duhet të mposhtet
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se aleatët perëndimorë duhet të sigurohen që të mposhtet Vladimir Putin. “Duhet të jetë qëllimi i përbashkët. Kjo është një çështje sigurie, për të ardhmen e Evropës dhe për të ardhmen e botës”, i ka thënë Michel CNN. Ai shtoi se Këshilli Evropian ishte asambleja e parë që ftoi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky për fjalim pas fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt. Takimi i Këshillit Evropian ku do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Joe Bide, është planifikuar të zhvillohet me 24 dhe 25 mars dhe Ukraina do të jetë pika e vetme e rendit të ditës.
13:38/Forcat e Ukrainës rikthejnë kontrollin e 80% të territorit në Irpin
Kryebashkiaku i qytezës , Irpin që është periferi e kryeqytetit, Kiev, ka njoftuar se forcat e Ukrainës, kanë marrë kontrollin e 80% të këtij qyteti. “Qyteti ynë po bombardohet vazhdimisht nga sistemet GRAD. Shumë masivisht. Ata po godasin zonën e banimit, ndërtesat shumëkatëshe”. Duke folur në televizionin ukrainas, Markushyn tha se pavarësisht evakuimeve masive në javët e fundit, rreth 6. 000 njerëz janë ende në Irpin dhe se grupe të vogla po evakuohen çdo ditë.
13:15/Zelensky paralajmëron pilotët rusë se do të japin llogari për vrasjen e civilëve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë sot se herët a vonë pilotët rusë do të mbahen përgjegjës për vrasjen e civilëve. “Dëshiroj t’ua përsëris këtë përsëri të gjithë pilotëve rusë ngase ata nuk po mendojnë për urdhrat që po përmbushin. Vrasja e civilëve është krim, dhe ju do të jeni përgjegjës për këtë, qoftë sot apo nesër, kjo është e pashmangshme” ka thënë Zelenskyy në një fjalim të postuar në faqen e qeverisë ukrainase në Facebook. “Sidomos po flasim për një aeroplan bombardues mbi Mariupol, dhe kjo do t’i ndodhë kujtdo që po vret civilët tanë, në tokën tonë paqësore”, tha ai. Ndonëse nuk ka ofruar shumë prova, Zelensky deklaroi se forcat e Ukrainës rrëzuan një aeroplan rus pranë Chornobaivka, në Kherson.
13:00/Biden në Bruksel për të diskutuar me BE-në dhe NATO-në për Ukrainën
Presidenti amerikan Joe Biden i bashkohet sot liderëve të vendeve perëndimorë në Bruksel, për të diskutuar me aleatët e BE-së dhe NATO-s një samit të jashtëzakonshëm të aleancës Veri-atlantike për agresionin rus në Ukrainë. Presidenti Biden dhe homologët e tij evropianë do të shpallin sot sanksione të reja kundër Rusisë, si dhe masa të reja për të forcuar sanksionet ekzistuese. Ndërsa kreu i NATO-s Jens Stoltenberg ka njoftuar se liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë gjithashtu forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes së NATO-s”. Samitit të liderëve të NATO-s në Bruksel do t’i drejtohet virtualisht edhe presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenskyy ku pritet të përsëris thirrjen për ta ndihmë më të madhe për Ukrainën.
12:52/Zelensky kërkon nga Japonia më shumë sanksione ndaj Rusisë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga Japonia që t’i rrisë presionet ndaj Rusisë me një embargo tregtare, në një kërkesë direkte para parlamentit të vendit. “Ju ishit vendi i parë në Azi që filluat presionin ndaj Rusisë për të sjellë paqe, që përkrahët sanksionet kundër Rusisë dhe po kërkoj që ju të vazhdoni ta bëni këtë”, u ka thënë Zelensky ligjvënësve japnezë, gjatë një adresimi përmes një video-lidhjeje. Kryeministri japonez, Fumio Kishida tha se ai planifikon të shpalosë më shumë masa mbështetëse për Ukrainën dhe të forcojë sanksionet e Japonisë kundër Rusisë.
12:45/Zyrtari ukrainas: Faza e aktive e pushtimit rus përfundon në prill
Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych ka thënë se ai pret që faza aktive e pushtimit rus të përfundojë kah fundi i prillit, me pretendimin se avancimi rus veçse ka hasur në pengesa në shumë fusha. Duke folur për një televizion ukrainas, ai tha se Rusia veçse ka humbur 40 përqind të forcave sulmuese dhe gjithashtu ka minimizuar mundësinë që Rusia të zhvillojë një luftë bërthamore.
12:32/Gjermania kundërshton sanksionet e plota kundër burimeve ruse të energjisë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se një emargo e plotë kundër furnizimeve ruse të energjisë do të duhet të përjashtohet, pasi ndikimi i saj do të ishte shkatërrues për Evropën. Ai tha se Gjermania është në process të pavarësimit nga burimet ruse të energjisë, por “për ta bërë këtë me hapa të shpejtë do ta shtynte vendin tonë dhe gjithë Evropën në recesion”. Ai paralajmëroi se “e gjithë industria do të kollapsonte” dhe se sanksionet ekzistuese kundër Rusisë veçse po ndikojnë mjaft te qytetarët gjermanë.
12:20/Kina refuzon thirrjet për përjashtim të Rusisë nga G20
Kina ka thënë se asnjë vend i G20-ës nuk ka të drejtë “të përjashtojë një vend tjetër”, në kohën kur po flitet se SHBA dhe aleatët po bëjnë një vlerësim për mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga ky grup. “Rusia është një vend i rëndësishëm i G20”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashteme kineze, Wang Wenbin. Ai shtoi se Rusia i përket ekonomive më të mëdha botërore, të cilat “kanë bashkuar” G20-ën.
12:10/Kremlini: Dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë do të ishte i rrezikshëm
Dërgimi i një misioni paqësor të NATO-s në Ukrainë do të ishte veprim “shumë i pamatur” dhe “shumë i rrezikshëm”, thotë Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të mërkurën se çdo kontakt i mundshëm në mes të ushtrisë ruse dhe ushtrisë së NATO-s mund të çojë në pasoja që do të ishin vështirë të riparueshme.
11:25/Pentagoni: Ukraina po mbrohet mençur
Raportohet se trupat ukrainase po rimarrin territor nga Rusia. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, u ka thënë gazetarëve se Ukraina po mbron vendin “shumë, shumë mençur, në mënyrë shumë kreative”. “Kemi indikacione se Ukraina po shkon në ofensivë më shumë tani”, ka thënë ai. Kirby tha se forcat ukrainase po planifikojnë kundër-sulme dhe tani po “lëvizin në atë drejtim”.
10:58/Kryeministri italian kërkon nga Kina që mos ta përkrahë Rusinë
Kryeministri i Italisë, Mario Draghi ka kërkuar nga Kina që të mos e mbështesë Rusinë pas pushtimit të saj në Ukrainë dhe të bashkohet me përpjekjet për të arritur paqe në Ukrainë. Duke folur në parlamentin italian, Draghi gjithashtu tha se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duket se është i interesuar në arritjen e një armëpushimi që mund të çonte në përfundimin e konfliktit.
10:46/Marrëveshje për nëntë korridore humanitare
Është arritur marrëveshja për nëntë korridore humanitare për të evakuuar civilët në qytete të ndryshme ukrainase, ka thënë zëvendës kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk. Por, ajo tha se nuk kanë arritur të dakordohen me Rusinë për një kalim të sigurt nga Mariupoli. Iryna Vereshchuk tha se shpreson që njerëzit që duan të ikin nga qyteti të arrijnë në Berdyansk, ku mund të sigurojnë ndihma humanitare. Ajo tha se 24 autobusë ndodhen në afërsi për të transportuar njerëzit.
10:36/Tre të vrarë në Luhansk, dy prej tyre fëmijë
Tre njerëz, dy prej të cilëve fëmijë, janë vrarë gjatë një sulmi në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhnes, ka thënë kreu i ushtrisë në Luhansk. “Tragjedia ka ndodhë në mbrëmje, kur ushtria ruse ka shpeshtuar sulmet. Një bombë shpërtheu në katin e pestë”, tha Serhiy Haidai. Ai tha se më shumë se 60 civilë janë vrarë në këtë rajon, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
10:25/Kryqi i Kuq do të ngrisë çështjet urgjente humanitare në Moskë
Kreu i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar do të ngrisë “çështje urgjente humanitare” që kanë të bëjnë me situatën në Ukrainë, gjatë një vizite në Moskë, ka njoftuar Agjencia. Peter Maurer ndodhet në Moskë për bisedime dy-ditore me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, të cilin pritet ta takojë të enjten. “Zotëri Maurer planifikon të flasë për çështje urgjente humanitare, për të shmangur vuajtjet e njerëzve të ndikuar nga konflikti në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë të Kryqit të Kuq.
09:50/Marrëveshje për armëpushim lokal në Luhansk
Guvernatori i rajonit Luhansk në lindje të Ukrainës tha se një marrëveshje është arritur për një armëpushim lokal, për të evakuuar civilët, në kohën kur luftimet po vazhdojnë. Guvernatori Serhiy Gaidai tha në Telegram se armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 09:00, sipas kohës lokale.
09:40/Zyrtare: 121 fëmijë të vrarë, 167 të lënduar nga pushtimi rus
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë tha se që nga fillimi i pushtimit rus, në Ukrainë janë vrarë 121 fëmijë dhe janë lënduar 167 të tjerë. Një vajzë nëntë vjeçare dhe një djalë 14 vjeçar janë në mesin e viktimave të fundit; ata raportohet se janë vrarë në rajonin e Donetskut. Në njoftim gjithashtu thuhet se më shumë se 220 shkolla dhe 155 kopshte janë dëmtuar nga bombardimet.
09:23/Rusia po lëvizë për t’i rrethuar trupat ukrainase në lindje
Ministria britanike e Mbrojtjes, në të dhënat e fundit, ka thënë se trupat ruse po lëvizin nga veriu në jug për të “rrethuar forcat ukrainase në lindje të vendit”. Trupat po avancojnë nga Kharkivi për në Mariupol. Ndërkohë, luftimet në veri – që kanë për qëllim kapjen e kryeqytetit Kievit – vazdojnë të jenë statike, ka thënë ministria. “Forcat ruse janë duke u marrë me riorganizim përpara se të ndërmarrin operacione të një shkalle më të gjerë”, thuhet në njoftim. Rusia gjithashtu duket se po bën përpjekje që të kalojë përmes Mykolaiv në drejtim të qytetit jugperëndimor të Odesës.
09:13/Shqyrtohet mundësia e përjashtimit të Rusisë nga G20
Zëdhënësi kryesor i Putinit refuzoi të përjashtonte përdorimin e armëve bërthamore, në një intervistë që ai dha për CNN-in, duke thënë se ato do të përdoren vetëm në rast të një “kërcënimi ekzistencial” për Rusinë. Pentagoni i ka quajtur komentet bërthamore “të rrezikshme”, por ka thënë se SHBA nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj parandalues. SHBA dhe vendet e tjera perëndimore po shqyrtojnë një lëvizje, për të përjashtuar potencialisht Rusinë nga G20, ka raportuar Reuters. Agjencia e lajmeve tha gjithashtu se Polonia të martën u kishte sugjeruar zyrtarëve amerikanë që të zëvendësojnë Rusinë në grup dhe se ata morën një “përgjigje pozitive”. Një shtytje e tillë do t’i shtonte sanksionet ekzistuese ekonomike kundër Rusisë nga Perëndimi. Por, ka të ngjarë të vihet veto edhe nga vende të tjera kyçe të G20-s, përfshirë Kinën, Indinë dhe Arabinë Saudite, sugjerojnë analistët. Si rezultat, disa parashikojnë se aleatët perëndimorë të G7 mund të bojkotojnë takimet e G20 këtë vit. Rusia gjithashtu ka qenë pjesë e G7, e cila u zgjerua në G8 në vitet 2000 për të akomoduar Moskën, por ajo u përjashtua pasi aneksoi Krimenë në 2014.
09:05/Zelensky: Rreth 100 mijë civilë të ngujuar në Mariupol
Presideti i Ukarinës, Volodomyr Zelensky ka thënë se se më shumë se 7000 banorë arritën të arratiseshin nga Mariupoli të martën . Ai gjithashtu pretendon se një kolonë humanitare u kap nga forcat ruse dhe punonjësit e qeverisë ukrainase u kapën rob. Mariupol ka qenë objektiv i sulmeve të vazhdueshme nga forcat ruse për shkak të pozicionit të tij strategjik përgjatë kufirit jugor të Ukrainës. Prej javësh tashmë, qyteti është granatuar pothuajse pa dallim. Një raport i Human Rights Watch i lëshuar të hënën e përshkroi qytetin si “një peizazh ferri i ngrirë, i mbushur me trupa të vdekur dhe ndërtesa të shkatërruara”. Zyrtarët perëndimorë thonë se forcat ruse po përballen me mungesa serioze të ushqimit dhe karburantit.