Forcat ukrainase po rikthejnë kontrollin në disa pjesë të okupuar nga Rusia, përderisa liderët e NATO-s, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, në një samit urgjent në Bruksel, ranë dakord të forcojnë mbrojtjen përgjatë krahut të saj lindor, duke vendosur 40,00 shtesë krahas arsenalit ushtarak.

18:05/Liderët e G7 paralajmërojnë Rusinë që të mos përdor armë kimike

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka diskutuar me  grupin e liderëve të shtatë ekonomive më të mëdha botërore për sanksionet e reja dhe veprime tjera ndëshkuar ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë. Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e G7 paralajmëruan Rusinë se do të ketë pasoja nëse përdor në Ukrainë armë kimike, biologjike ose bërthamore. “Ne paralajmërojmë ndaj çdo kërcënimi të përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore”  thuhet në deklaratën e liderëve të G7 pas takimit në Bruksel. Ata dënuan gjithashtu përpjekjet e Rusisë për dezinformim se kinse Ukraina po përgatitej të përdorte armë kimike ose bërthamore.

17:29/Sulmi rus vret 6 persona që po prisnin për ndihma në Kharkiv

Një sulm rus me raketë ka goditur pasdite një parking në një qendër tregtare në Kharkiv, duke lënë të vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 15 të tjerë. CNN citon guvernatorin rajonal, Oleg Syniehubov që thotë se njerëzit po prisnin jashtë një zyre postare në qendër për të marrë ndihmë humanitare. Videoja e sulmit, e lokalizuar nga CNN, tregon njerëz që po kujdesen për disa viktima të dukshme në parking.

17:21/Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton rezolutën kundër Rusisë

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara  ka votuar sot një rezolutë që i bën thirrje Rusisë që të ndalojë luftën e saj në Ukrainë dhe ndërmarrë veprime që ndërlidhen  me mbrojtjen e  civilëve. Pro rezolutës së sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara kanë votuar 140 vende, 5 kundër dhe 38 abstenuan duke i dhënë sërish një goditje diplomatike Rusisë, me një votë shumice të rezolutës që kërkon ndaljen e agresionit në Ukrainë. Ndonëse jo detyruese, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme vlerësohet se kanë peshë politike.

16: 50/Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia po bllokon evakuimet nga Mariupoli

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka thënë se  forcat ruse po pengojnë civilët që të largohen nga qyteti port i rrethuar, Mariupolit. Në një konferencë për media Vereshchuk nuk specifikoi se si trupat ruse po e pengojnë largimin e njerëzve, por tha se ata nuk po lejohen të largohen. Qeveria e Ukrainës ka njoftuar se kishte përgatitur 40 autobusë për evakuimin e civilëve ka ky qytet juglindor, por forcat ruse po pengojnë evakuimin.

16:40/Samiti i BE-së nuk do të sjellë sanksione të reja ndaj Rusisë

Liderët e Bashkimit Evropian nisin sot një  takim dy ditor në Bruksel për të diskutuar përgjigjen e mëtejshme të bllokut ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Por kryeministri holandez, Mark Rutte a thënë se ky samit, ku marrin pjesë të 27 liderët e vendeve anëtare të bllokut, nuk do të ketë ndonjë ujdi për sanksione të reja kundër Rusisë.  “Nuk pres sanksione të reja konkrete sot. Kemi nevojë për propozime. Kemi vendosur shumë sanksione dhe tani po hyjmë në një terren më komplekse”, ka thënë Rutte.

16:28/Papa e quan çmenduri rritjen e buxheteve ushtarake

Papa Françesku ka kritika vendet për rritjen e shpenzimeve ushtarake, derisa po vazhdon agresioni rus ndaj Ukrainës, duke e quajtur  “çmenduri”, ngritjen e kostos për armë e ushtri. Duke folur sot në një audiencë në Qendrën Italiane të Grave në Romë, Papa fajësoi luftën “e turpshme” në Ukrainë  të zhvilluar mbi “logjikën e vjetër të pushtetit që ende dominon të ashtuquajturën gjeopolitikë”.

16:05/Ukraina thotë se Rusia po dërgon armë në Bjellorusi

Ushtria e Ukrainës thotë se Rusia po transferon armë dhe pajisje të tjera ushtarake në shtetin fqinj, Bjellorusi. BBC citon një deklaratë të ushtrisë ukrainase që thotë se dislokimet janë pjesë e planeve të ruse për një ofensivë që synon rrethimin e kryeqytetit ukrainas, Kiev. Gjithashtu sipas njoftimit të ushtrisë së Ukrainës ,forcat ruse po shtojnë arsenalin në Krime.

16:03/Ukraina thotë se forcat ruse u tërhoqën në disa zona rreth Kievit

Ministria e mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se trupat e saj i kanë zmbrapsur forcat ruse nga disa zona përreth Kievit, por paralajmëroi se Moska shpreson për të pushtuar së shpejti kryeqytetin ukrainas. “Në disa sektorë, armiku u zmbraps me më shumë se 70 km, në disa sektorë armiku është në një distancë prej 35 km” thuhet në deklaratën e  Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

15:35/Zgjatet mandati i Stoltenberg në krye të NATO-s

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s ranë dakord të zgjasin, edhe për një vit shtesë, mandatin e Jens Stoltenberg si sekretar i përgjithshëm, pasi aleanca ushtarake perëndimore po vazhdon t’i përgjigjet agresionit rus në Ukrainë. Duke konfirmuar vendimin në një postim në Twitter, Stoltenberg tha se Perëndimi përballet me “krizën më të madhe të sigurisë të një brezi”, duke shtuar se aleatët e NATO-s ” qëndrojnë të bashkuar për të mbajtur të fortë njerëzit dhe aleancën”. Stoltenberg ka mbajtur këtë pozitë që nga tetori i vitit 2014.

15: 29/Nis takimi i G7-ës

Presidenti amerikan Joe Biden po zhvillon një takim me liderët e grupit të 7 vendeve më të industrializuara për të diskutuar sanksionet e reja dhe veprime tjera për të ndëshkuar Rusinë për agresionin e saj në Ukrainë. Grupi i shtatë ekonomive më të mëdha në botë përfshin: Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

15:06/Udhëheqësit e NATO-s pajtohen për të forcuar mbrojtjen lindore

Udhëheqësit e aleancës ushtarake transatlantike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë sot dakord të forcojnë mbrojtjen përgjatë krahut të saj lindor. Në një deklaratë të publikuar pas një samiti të jashtëzakonshëm në Bruksel, të cilit iu adresua virtualisht edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, thuhet se si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, NATO  ka aktivizuar planet e mbrojtjes. “Kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor”, thuhet në deklaratën e përbashkët. “Ne po krijojmë gjithashtu katër grupe luftarake shumëkombëshe, shtesë, në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki dhe  po marrim të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradë”. Deklarata thotë se masat e aleancës “mbeten parandaluese, proporcionale dhe jo shkallëzuese”.

14:54/SHBA ende refuzon t’i japë Ukrainës avionë ushtarakë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende po refuzojnë t’i japin Ukrainës, avionë luftarakë, pavarësisht se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri sot një thirrje tjetër për liderët e NATO-s. CNN citon një zyrtar të lartë amerikan që thotë se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar për këtë çështje. “ SHBA ende po heziton të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë”. Në një fjalim virtual, Zelensky i kërkoi NATO-s  vetëm “një për qind  e të gjithë avionëve” të saj, duke shtuar  “ju keni mijëra avionë luftarakë, por ne ende nuk na është dhënë asnjë “.

14:42/SHBA përfshin në sanksione mbi 300 anëtarë të Dumës ruse

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallin sot sanksione të reja ndaj më shumë se 300 deputetëve  të Parlamentit rus dhe më shumë se 40 kompanive ruse të mbrojtjes. CNN citon zyrtarë brenda administratës amerikane që konfirmojnë se Bashkimi Evropian dhe Grupi i 7 vendeve më të industrializuara do të shpallin gjithashtu një iniciativë të re për evazion sanksionesh e projektuar për të parandaluar shmangien e sanksioneve.

14:20/Zelenskyy-NATO-s: Na jep vetëm 1% të asaj që ke

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë ndihmë, në takimin  me dyer të mbyllura me liderët e vendeve të NATO-s, duke thënë “na jep vetëm 1% të asaj që keni”. “Mund të na jepni një për qind të të gjithë avionëve tuaj. Një për qind e të gjithë tankeve tuaja. Një për qind!”, ka thënë ai. Ai ka kërkuar liderëve të vendeve anëtare të NATO-s më të ndihmë  madhe dhe më të shpejtë për të mbrojtur qytetarët ukrainas.

13:54/Krerët e mbrojtjes ruse refuzojnë thirrjet e homologëve të tyre amerikanë

Pentagoni ka njoftuar sot se krerët e lartë ushtarakë rusë kanë refuzuar thirrjet nga homologët e tyre amerikanë që para fillimit të agresionit në Ukrainë. “Muajin e kaluar, sekretari Loyd Austin dhe gjenerali Mark Milley kanë kërkuar dhe  po kërkojnë bisedime telefonike me homologët e tyre rusë. Por ministri Sergei Shoigu dhe gjenerali Valery Gerasimov deri më tani kanë refuzuar thirrjet” thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Ausxtin dhe ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu kanë biseduar për herë të fundit me 18 shkurt.

13:38/Kremlini thotë se kryeministri Johnson është lideri më aktiv “anti-rus”

Kremlini e ka etiketuar kryeministrin britanik, Boris Johnson, si liderin botëror më aktiv “anti-rus”, duke paralajmëruar se qasja e Britanisë ndaj Rusisë shpie  te një “ngërç në politikën e jashtme”. “Sa i përket zotit Johnson, ne e shohim atë si pjesëmarrësin më aktiv në garën për të qenë antirus”, citohet  të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Kjo do të çojë në një qorrsokak të politikës së jashtme”, ka shtuar Peskov.

13:18/Zelenskyy akuzon Rusinë për përdorimin e bombave me fosfor

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë ndihmë, në takimin  me dyer të mbyllura me liderët e vendeve të NATO-s, duke thënë ” Na jep vetëm 1% të asaj që keni”. Në fjalimin e tij virtual, Zelenskyy raportohet të ketë kërkuar ndihmë më të madhe dhe më të shpejtë për të mbrojtur qytetarët ukrainas. Ai  ka akuzuar sot forcat ruse për vendosjen e municioneve me fosfor, pa dhënë detaje tjera se ku janë përdorur municione të tilla. “Këtë mëngjes u përdorën bomba fosfori. Bomba ruse me fosfor. Të rriturit  dhe fëmijët u vranë përsëri”, u ka thënë ai përfaqësuesve të vendeve të NATO-s. Municionet e fosforit përhapin një pluhur që ndizet kur bie në kontakt me oksigjenin dhe shkakton djegie të rënda.

13:02/Ukraina thotë se një Evropë “e përgjegjshme” injoron kërkesat poshtëruese të Putinit

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka kërkuar Evropës të injorojë këmbënguljen e Rusisë që pagesa për furnizimet e ardhshme të gazit rus të duhet të bëhet në rubla. “Nëse ndonjë vend i BE-së përkulet ndaj kërkesave poshtëruese të Putinit për të paguar naftën dhe gazin në rubla, do të jetë si të ndihmosh Ukrainën me njërën dorë dhe të ndihmosh rusët të vrasin ukrainasit me anën tjetër”,  ka thënë sot Kuleba në një postim në Twitter. Kërkesa e Moskës shihet si një përpjekje për t’i bërë vendet evropiane të mbështesin monedhën ruse, vlera e së cilës ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës.

 

12:44/Më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas janë zhvendosur

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) tha se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas janë zhvendosur. “Një muaj luftë në Ukrainë ka çuar në zhvendosjen e 4.3 milionë fëmijëve – më shumë se gjysma e fëmijëve të popullsisë ukrainase, që vlerësohet të ketë 7.5 milionë fëmijë”, thuhet në një deklaratë të UNICEF-it. Shifrat përfshijnë edhe më shumë se 1.8 milion fëmijë që kanë kaluar kufirin në vendet fqinje si refugjatë dhe 2.5 milionë të tjerë që janë zhvendosur brenda Ukrainës.

12:32/Kremlini thotë se Abramovich ka lujatur rol në bisedime

Kremlini thotë se miliarderi rus që është sanksionuar nga Perëndimi, Roman Abramovich, ka luajtur rol në fazat e hershme të bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, tash procesi është në duart e dy ekipeve negociatore. “Ai ka marrë pjesë në fazën fillestare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Tani negociatat janë në mes të dy ekipeve, ruse dhe ukrainase”.

12:18/Zelensky: Samiti do të tregojë se “kush është vend mik”

Në një video të lëshuar më herët të enjten, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se nga samitet e NATO-s, BE-së dhe G7-ës, do të mësoet se “kush është vend mik” i Ukrainës. “Politikanët duhet ta përkrahin lirinë. Të gjithë. Ata duhet t’i përkrahin përpjekjet për jetë. Ne po presim hapa kuptimplotë. Nga NATO, BE dhe G7”, tha Zelensky. “Ne e dimë që rusët veçse kanë filluar lobimin për interesat e tyre. Ato janë interesa lufte”, tha ai.

 

12:05/Vlera e aseteve të sanksionuara në Zvicër rreth 6 miliardë dollarë

Qeveria e Zvicrës ka njoftuar se deri më tani ka pranuar raporte që tregojnë se vlera e aseteve ruse të prekura nga sanksionet në Zvicër arrinë në rreth 6 miliardë dollarë. Sipas një zyrtari zviceran, kjo vlerë pritet të rritet edhe më shumë. Asetet përfshijnë një numër të pronave në resorte, ka thënë gjatë një konference zyrtari , Erwin Bollinger.

11:56/Britania njofton për sanksione të reja ndaj Rusisë

Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur sanksione të reja ndaj 65 individëve dhe organizatave ruse, përfshirë ‘banka, kompani dhe oligarkë”. Në njoftim thuhet se veprimi ka për qëllim që “t’i presë industritë vitale që e mbajnë gjallë makinerinë e luftës së Putinit”. Njëri nga oligarkët, Eugene Shvidler thuhet se ka “lidhje të ngushta biznesore” me pronarin e klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich. Në mesin e individëve tjerë janë edhe Polina Kovaleva, vajza e gruas së ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

11:21/Rusia thotë se ka pushtuar Izyumin

Rusia thotë se ka marrë kontrollin e qytetit të Izyumit, në rajonin e Kharkivit në lindje të Ukrainës, raporton media ruse Rossiya 24. “Forcat e armatosura ruse vazhdojnë misionin e tyre special ushtarak.Njësitë speciale të ushtrisë ruse kanë marrë nën kontroll të plotë qytetin Izyum në rajonin Kharkiv”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov. Izyum është rrugë kyçe për në rajonin lindor të Donbasit.

10:55/Britania: Rusia planifikon të ftojë mercenarë

Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se Rusia po planifikon të angazhojë trupa mercenarësh në terren, për të mbuluar humbjet që ka përjetuar deri më tani në Ukrainë. “Rusia ka të ngjarë të ketë pësuar humbje të mëdha gjatë luftës dhe planifikon të thërrasë rekrutë, e po ashtu edhe mercenarë të huaj, për të mbuluar humbjet në Ukrainë”, vlerëson Ministria britanike e Mbrojtjes. Kjo ministri thekson se “është e pasigurt se si këto grupe do të integrohen në trupat tokësore ruse dhe çfarë ndikimi do të ketë”.

10:50/Ukraina thotë se Rusia ka humbur mbi 15 mijë ushtarë

Një muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka humbur rreth 15,800 ushtarë, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Sipas shtabit, rusët kanë humbur gjithashtu 530 tanke, 1,597 mjete të blinduara, 108 aeroplanë, 124 helikopterë dhe 50 dronë. Në një postim në Facebook, thuhet se këto të dhëna po përditësohen dhe nuk mund të verifikohen plotësisht, për shkak të luftimeve intensive.

 

10:38/Gazprom eksporton ende gaz në Evropë përmes Ukrainës

Gjiganti i madh rus i energjisë, Gazprom, thotë se ende është duke e furnizuar Evropën me gaz natyral, përmes Ukrainës, në linjë me kërkesat e konsumatorëve evropianë. Kompania tha se kërkesat qëndrojnë në 104 milionë metër kub për 24 marsin, nga 106.5 milionë metër kub nga dita paraprake.

10:30/Liderët e NATO-s arrijnë në Bruksel

Liderët e NATO-s kanë arritur në Bruksel, për të diskutuar rreth hapave të radhës në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë. Para fillimit të Samitit për Ukrainën, grupi u mblodh për një “foto familjare” tradicionale, e cila është përshkruar si një prej më të rëndësishmeve në historinë e aleancës, në kohën kur lufta në Ukrainë po hyn në muajin e dytë, raporton BBC.

10:18/Johnson bën thirrje për “shtrëngime ekonomike” ndaj Putinit

Boris Johnson thotë se presidenti rus, Vladimir Putin është “haptazi i vendosur ta dyfishojë rrugën e tij të dhunës dhe agresionit” në Ukrainë. Kryeministri britanik tha se aletatët duhet ta rrisin mbështetjen për Ukrainën dhe të ndërmarrin “shtrëngime ekonomike rreth Putinit, duke sanksionuar më shumë njerëz”. Ai shtoi se duhet parë se çfarë mund të bëhet për ta “ndaluar Putinin në përdorimin e rezervave të arit”. Britania e Madhe gjithashtu ka sanksionuar Grupin Wagner, një organizatë paramilitare që shihet si ushtri private e Putinit.

09:48/Stoltenberg: “Po përballemi me krizën më të madhe të sigurisë”

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përshkruar luftën në Ukrainë si “krizën më serioze të sigurisë në një gjeneratë”. Stoltenberg tha se presidenti i Ukrainës, Zelensky, do të adresohet para liderëve të NATO-s gjatë ditës së enjte. Ai theksoi nevojën që aleatët e aleancës ta adresojnë krizën bashkërisht. “Aleatët duhet të bëjnë më shumë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se pret që liderët e NATO-s të pajtohen për të përshpejtuar investimet në mbrojtje”. “Takimi i sotëm do të demostrojë rëndësinë e qëndrimeve të përbashkëta të Amerikës Veriore dhe Evropës në përballje me krizën”, tha ai.

09:40/Shkatërrohet një anije e madhe ruse

Ushtria e Ukrainës thotë se një anije e madhe ruse është shkatërruar në afërsi të qytetit detar, Berdyansk. Marina ukrainase, në një postim në Facebook, thotë se një anije e madhe e quajtur “Orsk” është goditur dhe ka marrë zjarr, mëngjesin e sotëm në detin Azov. Mediat ukrainase thonë se anija ruse është fundosur, ndërsa dy të tjera kanë marrë zjarr. Rusia ka pushtuar Berdyanskun para disa javësh dhe është duke e përdorë portin për furnizim me karburant.

09:28/Borrell: Rusia nuk do armëpushim

Qeveria ruse nuk ka interes që të negociojë një armëpushim në Ukrainë tani për tani, përderisa ushtria e saj nuk i ka arritur qëllimet e saj ushtarake, ka thënë të enjten kryediplomati evopian, Josep Borrell. “Tani, Rusia nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë asgjë: çka don është të pushtojë vendin”, tha Borrell në një intervistë për televizionin spanjoll, TVE. “Dëshiron ta rrethojë bregdetin deri në kufi me Moldavinë dhe të izolojë Ukrainën nga deti”, ka thënë Borrell.

09:15/Ukrainasit po rimarrin territor

Grupet monitoruese dhe agjencitë e inteligjences nga Britania e Madhe dhe SHBA kanë thënë se forcat ukrainase kanë filluar të rrimarrin kontrollin e pjesëve të territorit, të cilat ishin okupuar nga ushtria ruse. Sipas njoftiomeve, ukrainasit kanë arritur të largojnë forcat ruse nga disa prej paralagjeve të Kievit, si dhe nga qytetet Irpin dhe  Makariv, përderisa janë duke tentuar të rrimarrin kontrollin e rrethinave të qytetit Kharkiv, i cili është njëri prej qyteteve më të goditura nga sulmet ruse. Megjithatë, situata në MAriupol mbetët e keqe, luftimet për kontrollin e qytetit po vazhdojnë, përderisa forcat ruse vazhdojnë me sulme ajrore dhe artilerike kundër lagjeve civile të Mariupolit. Ndërkohë,NATO ka thënë se do të rris edhe më shumë prezencën në vendet e Evropës indore. Në samitin e NATO-s, i cili do të mbahet nesër, krerët e alenacës do të njoftojnë për vendimin për krijimin e 4 grupeve të reja luiftarake në Hungari, Bullgari, Sllovaki dhe Rumani, të cilat do të shërbejnë si “mburojë” në rast të ndonjë rreziku të ardhëshem.

09:08/Vereshchuk: U dakorduam për evakuimin e banorëve të Mariupolit

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk thotë se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shtatë korridore humanitare, për të lejuar evakuimin e civilëve, në ditën e enjte. Banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit, ku rreth 100 mijë njerëz janë të bllokuar pa ushqim dhe ujë, po dërgohen në Berdyansk, qytet aty pranë, njoftojnë mediet ndërkombëtare. Ndërkaq, nuk ka informacione për gjendjen e tanishme në qytetet tjera.