Albspirit

Media/News/Publishing

Imre Kertesz: Stili komunist i tërbimit të skllavit që shpërthen pa fre

Imre Kertesz (1929 – 2016). “Spekatori” (”A Néző” në origjinal), është pjesa e fundit e trilogjisë së ditarëve dhe shënimeve të nobelistit hungarez me origjinë hebreje. Pjesa e parë, “Ditar i burgut”, është një dëshmi e tridhjetë vjetëve të izolimit në Hungarinë socialiste 1961-1991; pjesa e dytë, “Streha e fundit”, mbulon vitet 2001 dhe 2009; “Spektatori” përfshin shënime e skica të viteve 1991 – 2001.  

30 prill 1999

Sa deklarata e pakuptimtë në lidhje me luftën në Kosovë! Gjendja e “intelektualëve” është krejtësisht e njëjtë me atë si ishte në vitet tridhjetë: një përvojë turbulluese. Ligeti merret vazhdimisht me luftën – edhe ai është i merakosur, për të njëjtat arsye si edhe unë. Do të isha i gatshëm ta duroja gjenocidin e diktatorit bukur më mirë se sa mënyra se si i kundërvihen atij – në fund do ta quaja një qëndrim akoma më njerëzor, ose të paktën një qëndrim politikisht korrekt. E kuptoj vetëm pjesërisht mërinë që kanë ndaj Shteteve të Bashkuara, në të cilën një pjesë e ka edhe antisemitizmi i nënvetëdijshëm; bëhet fjalë për atë antisemitizmin preventiv që disi si duke i paraprirë provimit të ndërgjegjes dhe ndjenjës së fajit (për vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve) preferon “ta dënojë” të ashtuquajturën dhunë “kundër një shteti sovran që është anëtar i OKB-së”. Megjithatë, ky “shtet sovran” po i shfaros qytetarët e nacionalitetit shqiptar, por askush nuk skandalizohet nga kjo dhe kjo gjë është interesante, sepse nuk janë të gatshëm ta imagjinojnë gjenocidin në të njëjtën mënyrë si janë të gatshëm ta kuptojnë ndëshkimin si ndëshkim; arrijnë të shohin vetëm pajisjet e mahnitshme luftarake dhe bombardimet, çka nuk i mbush me atë turbullirën që lind nga dhembshuria, përkundrazi rizgjon te ta frikën që vjen nga ndjenja e fajit që e mbajnë të fshehur…

Bremerhaven. Kemi folur gjatë për luftën. Duke dalë nga hoteli gjeta veten në mes të një manifestimi politik: përposh një tende të madhe, të hapur ndaj shiut dhe erës, një politikan i njohur komunist, i mbijetuar i së kaluarës, po e mban një fjalim pacifist; njëzet-tridhjetë veta janë ndalur në shesh ta dëgjojnë. Ky hebre i vockël i shogët, gjatë fjalimit, në një pikë të caktuar merr flakë me një ecuri autogjene dhe nis të përdridhet, si gjarpër ose, thënë edhe më mirë, si një skra që e kanë shkelur. Dikush bri meje bën me dije se ato gjeste janë imitim i Karl Liebknecht-it. Çfarë surrat qeni i pështirë! Stili komunist i tërbimit të skllavit që shpërthen pa fre; lloji më i keq është tërbimi i skllavit, i intelektualëve të veckël të rënë që bëhen tebdil si proletarë. Janë ata që i gjen në çfarëdo forme, janë ata nazistët por edhe pacifistët vrasës, prore ata minjtë që luzmojnë në anijen e qytetërimit modern, që i brejnë litarët mbajtës, kabllot ku lidhen gjërat, gjithë atë që mund të brehet dhe shkatërrohet, derisa të fundoset anija. (A nuk qenë pikërisht ata, të krishterët e parë, mbi të cilët, mbi atë masë mishi, më vonë politikanët e shkathët dhe themeluesit e kishave e ndërtuan pushtetin? Po jo ore, në ato ngjarje sidoqoftë kishte njëfarë kreativiteti për të qenë, ndërsa këta të sotmit, me ideologjitë e tyre, s’dinë të bëjnë tjetër pos të shkatërrojnë). Një ikje e përgjithshme dhe inatçore, në çdo drejtim, nga përgjegjësitë e të rriturve kah duartrokitjet e hareshme të infantilizmit. Tipi që gjykon dhe është “i drejtë”, që vendos, me gjykim të palëkundur, kundër kulturës së vet, qytetërimit të vet, shumë shpesh vetëm për të mos u detyruar ta pranojë të qenit e vet hebre.

Më kanë ardhur maje hunde këto figura cinike dhe budallaqe, që vihen pas çdo gjëje për ta kërkuar realitetin e madh, natyrisht duke e lënë në harresë çdo lloj të motivimit moral mbi bazën e parimit stalianin që pyet: “Sa trupa të armatosura i ka papa?”. Mirë de, papa ka bukur shumë trupa të armatosura. Unë përherë e kam vënë besimin tim te këto trupa të armatosura, kurrë s’e kam pranuar të ashtuquajturin realitet, ndërkohë që ata jetonin në lloje të ndryshme të diktaturës, të zhytur deri në fyt…

/Marrë nga Imre Kertesz: Lo Spettatore, Bompiani, 2018

Please follow and like us: