Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Katër minuta fim, ndëshkim 40-vjeçar për Viktor Stratobërdhën

Tek po zbrisnim nga autoburgu e po na numëronin përsëri përbrenda rrethimit me tela gjembash e karakollesh, u sajua menjëherë edhe  turma kureshtare e të burgosurve me kapota të murme ushtarësh, përmbi uniformave me vilare dalëboje. Thëllimi i erërave të vjeshtës, trazohej me tymnajën gjigande të rafinerisë së naftës atje poshtë në sytë e zbehtë të atyre kufomave mezi shquheshin. Ne prisnim të na hiqnin “unazat e hekurta” ndër kyçet e duarve, si edhe urdhrin e kapterrit se nga do t’ia mbanim… Të ngujuarit shihnin e kërkonin me ethe ndonjë fytyrë të njohurish, duke krijuar njëfarë syshqyerje të trembur. Pas pak sekondash m’u ravijëzua një fizionomi e njohur, paksa e rrudhur e si e përcëlluar nga dielli. E njoha! Ishte Viktor Stratobërdha, regjisori i parë profesionist i filmit shqiptar, që dukej sikur përsëriste pyetjen e tij enigmatike: “Përse kështu”, “Përse kështu”, “Përse kështu”?! Ai vuri të dyja duart në kokën e qethur. Kapterri bërtiti dhe na shtyu drejt kapanoneve prej pupuliti, ndërsa mua më erdhën nëpër mendje ato katër minuta sekuencash filmike!… Të filmit të parë artistik shqiptar, ku regjisori Stratobërdha, ish partizani i moshës më të re, i sapodiplomuar në Institiutin e Lartë Kinematografik të Moskës, që ishte shprehur me guxim kundër rrymës. Vetëm me kater minuta film, ta marrë dreqi ta marrë! Duke spikatur në gjërat më të thjeshta të etikës qytetare: Përse një burrë i vrazhdët nuk i lëshon vendin një gruaje me fëmijë ndër duar në autobuz? Së dyti, përse një i mitur i afrohet një të moshuari për të ndezur cigaren? Si edhe përse u dashka që njerëzia të shtyhen e të dërmohen se kush të hypte i pari në autobuzin urban?!

O Pikë e zezë! Për këtë film, bardhë e zi, sipas një skenari të Dionis Bubanit  me titullin “Për të qeshur e për të qarë” ku mplekseshin katër skeçe të Estradëe se Tiranës, që Viktori i xhiroi në natyrë dhe i kompozoi thjeshtë e bukur, duke sfiduar kështu sjelljen primitive, të pakulturuar të njerëzve, u ngrit kunder regjisorit të parë shqiptar, asistentit te Sergei Jutkeviçit, regjisoit kryesor në filmin “Skëndërbeu”, një film madhor, me të cilin Stratobërdha mbrojti edhe diplomën si regjisor, një stuhi e tmerrshme, “brenda një gote me ujë”! Satira qe e mprehtë, po e drejtë dhe edukative. Normale. Si një shaka e sipër! Po partiakët u tërbuan dhe e anatemuan ashpër partizanin e vogel beratas, që nuk e kurseu as jetën e vet për idealet qe ëndërronte. Sapo ia kishin vrarë ëndrrën e parë që ofronte arti i tij i dashur! Po ky djalë i ri dhe i kulturuar, që sapo kishte nisur të luftonte për një emancipim të vërtetë shoqëror dhe për etikën qytetare të njerëzve, do ta ngrinte zërin me kurajo qytetare e guxim edhe një herë ballazi, karshi Enver Hoxhës, në Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956, duke shtruar pyetjen tjetër: “Përse media shqiptare nuk publikon gjendjen e vërtetë të njerëzve? Dhe, sa shpenzojnë antarët e Komitetit Qëndror të Partisë në dyqanet e tyre në Bllok”?!

Dallga e zëmërimit u bë edhe më e fortë. Ulëritëse. Dhe menjëherë ra një heshtje e zymtë… Regjisori Viktor Sratobërdha, për të cilin shteti shpenzoi që të bëhej kuadro drejtuese në Kinostudion “Shqipëria e Re”, për zhvillimin e mëtejshëm të Artit Shqiptar, përjashtohet menjëherë nga partia dhe dërgohet në Berat që të merrej me punët kulturore. Si “hapi i parë i syrgjynosjes”! Mirëpo, aty ai do të rrëfentë se ishte, po ashtu një regjisor me guxim e talent bashkë, duke ngritur një trupë estrade të tipit të varieteve gazmore, ku rolin kryesor do ta kishte fjala e muzikuar, parodia e kupleti, si edhe ana vallëzuese e artistëve amatorë. Ai krijoi kështu, me durim, një trupë profesioniste. Shfaqjet e tij kishin karakterin e një vodevili të këndshëm, po edhe me një satirë shpotitëse. Dhe përsëri regjisori i ri do të anatemohej për “mos pasqyrim të realitetit”, nga injorantët partiakë dhe nga çensura e tyre dogmatike, rreth të ashtuquajturës “dominim të anëve pozitive të njerëzve tanë të rinj, të edukuar nga partia,  me frymën e partisë”! Këmbanat e vdekjes po binin! Rrjedhimisht, dërgohet në prodhim dhe prej andej do të burgoset si element anti-parti, me 8 vjet heqje lirie!…

Në ditët e zeza të “riedukimit tonë” do të kisha rastin të takoheshim me Viktorin, vetëm kur ai kthehej nga puna e detyruar, për ndërtimin e pallateve të banimit, në qytetin e ri të Ballshit. Regjisori i filmit “Skendërbeu” dhe i Estradës së Beratit ishte shndërruar në një puntor ndërtimi, duke bërë llaçin e duke transportuar materialet e ndërtimit në katet e sipërme të pallateve që ndërtoheshin atje nga të burgosurit politikë. Duart e tij qenë buhavitur e çarë vende-vende e në ballin e gjerë të tij ravijëzoheshin brazdimet e vuajtjeve. Mundohej të buzëqshte e të thoshte: “Jaa, kështu”, pa e shtytur fjalën më tej, duke parë anash se mos na dëgjonte dikush tjetër, që po flisnim për fatin tonë të mjerë e për “gurët që rrokulliseshin nga mali mbi shpinat tona”… Këtij njeriu i ishte shuar buzëqeshja e atyre ditëve të para, tek xhironte filmat e tij të parë dokumentarë “Pushime të gëzuara” dhe “Urime, shoku student”. Ndërsa titulli i filmit “Përsse kështu” do t’i mbetej në mendje e nëpër buzë, si refreni i një kënge-preludi, që nuk u këndua deri në fund… Kokëqethuri Stratobërdha vihej në rresht që në orët e para të mëngjesit, zbriste nga retë e zeza që “villte” Rafineria e Naftës, ecte me çizmet e grisura nëpër baltovinën e Ballshit, për t’u marrë me “llaç e tulla” gjithë “ditët e Perëndisë”, këtu ku e kishin dërguar atë, mua e të tjrërët, që “flisnim paksa më tepër” se të tjerët që kishin “blerë dryna për mbylljen e gojës”. Nga mbrapa kishim përhere grykat e kallashnikovëve që vinin me bollëk nga vendi ku ky njeri kishte mësuar A.B.C-në e filmit! Një “Fat” i mbrapsht! Kishte lindur në muajin maj në Korçe në vitin 1925, kishte mësuar në Rusi të bënte filma, po vuante skëterrën “riedukuese” këtu në Ballsh dhe do te vdiste në Kanada, po në maj, në muajin e luleve, pasi ishte rropatur i brengosur në vendin e tij e nëpër botë, për 40 vite, për ato katër minuta film në celuloid, si kishte bërë edhe një fotografi me rrobat e burgut, në vitin 1988, në ditën e lirimit të tij dhe, si kishte ikur, “nga sytë këmbët” deri në tokën greke, nëpër përrenj e male, per të qenë i lirë, më së fundi, deri në Kanadanë e largët e aty të vdiste, si njeri i lirë, po në muajin e luleve të pranverës, 22 vite më parë…

Athinë, në ditët e prillit, para pashkëve të vitit 2022!

Please follow and like us: