Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet në Francë si kambanë për luftën në Ukrainë

Lajme jo të mira nga Parisi: Macron dhe Le Pen janë thuajse kokë më kokë në garën për presidencën e Francës, i ndajnë vetëm 4%. ‘Mos u nxitoni, asgjë nuk është e sigurt’, u tha Macron mbështetesve të mbledhur për të festuar fitoren në raundin e parë.
Raundi i dytë pritet të jetë tejet dramatik dhe i pasigurt. Megjithatë shpresat janë për fitore të Macronit. Francezët edhe herë të tjera kanë dëshmuar se kur rrezikohen vlerat demokratike dinë të rreshtohen masivisht, që në balotazh t’i japin fitore bindëse perfaqsuesit progresiv. Shpresat për një fitore të Makronit vijnë e rriten ngaqë dje thuajse të gjithë garuesit e raundit të parë u bënë thirrje votuesve të tyre të mos votojnë Le Penin.
Ahere cili është lajmi i keq? Për një pjesë të konsiderueshme të francezëve kriza aktuale e jetesës, e ashpërsuar nga lufta në Ukrainë, përbën shqetësimin kryesor. Tek kjo krizë e vuri theksin jo vetëm Le Pen, por edhe përfaqsuesi i të majtës ekstreme Mélenchon që mori jo pak por 22% të votave.
Pritet që kriza e jetesës, infalcioni dhe ngritja e çmimeve të vazhdojnë gjatë, të paktën po aq sa do të zgjasë lufta në Ukrainë dhe, me gjasë edhe pakënaqësia popullore do të vijë në rritje, jo vetëm në Francë.
Në këtë klimë pakënaqësie masive politikanët europianë nuk do ta kenë të lehtë të jenë po kaq të unifikuar në mbeshtetjen që i japin luftës heroike të ukrainasve. Shenjat e para janë dhenë tashmë nga Orban në Hungari.
NATO e ka bërë të qartë se do t’i ndihmojë ukrainasit me armatime, por nuk do të ndërhyjë ushtarakisht. Bombardimet barbare të rusëve në Kharkiv dhe Mariuopol të nxisin të dyshosh se Putini mund të përsërisë skenarin e Groznit, ku rrafshoi qytetin dhe la të vrarë mbi 8 mijë civilë çeçenë.
Qëndresa heroike e ukrainasve meriton gjithë respektin dhe solidaritetin e Europës progresiste dhe më gjerë, megjithatë perspektiva e kësaj lufte ngjan të jetë heroike por me tone të forta tragjike.
Please follow and like us: