Çfarë është Marrëveshja e Minskut?
Tim Lister, CNN
Diplomatët e fuqive të mëdha po kalojnë ditë të ethshme në tentativën për të shmangur një luftë të hapur midis Rusisë dhe Ukrainës që do të çonte kontinentin ne një drejtim të panjohur. Një nga shtigjet diplomatike më të cituara në ditët e fundit është e ashtuquajtura Marrëveshja e Minskut.
Çfarë është Marrëveshja e Minskut?
Në shkurtin e vitit 2015, liderët e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës u takuan në kryeqytetin bjellorus me objektivin e rikthimit të paqes në territoret e kontrolluara prej një viti nga separatistët pro rusë, në rajonin e Donbas. Ato zona tashmë njiheshin si Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donjetskut, ndërkohë që për Kievin zyrtar ato territore, ashtu si Krimea, ishin thjesht pushtuar nga forcat ruse. Ai takim gjeneroi një etapë tjetër, e quajtur Minsk II, ku u firmos një dokument i rëndësishëm që parashikonte disa pika. Dokumenti u firmos nga Rusia, Ukraina, liderët separatistë dhe OSCE, e “bekuar” edhe nga vetë Kombet e Bashkuara me një rezolutë.
Cilat ishin pikat e marrëveshjes?
Fillimisht armëpushimi, në një moment historik ku forcat ukrainase po fillonin të humbnin terren dhe jetë ushtarësh. Më pas, u arrit marrëveshje për tërheqjen e armëve të rënda nga fronti i luftës në Donbas, rikthimi i institucioneve të Kievit, që bëri të mundur marrjen e pensioneve dhe kontributeve shtetërore në ato zona, si dhe rimarrja e kufirit me Rusinë nga ana e forcave kufitare të Kievit, por që do të monitoroheshin bashkë me vëzhguesit e OSBE-së. Marrëveshja parashikonte edhe dëbimin e mercenarëve që kishin luftuar për të dy palët, si dhe një reformë që do t’i jepte provincës rebele një autonomi domethënëse.
Si u zbatua marrëveshja?
Në fakt, pjesa më e madhe e dyluftimeve përfundoi, dhe OSCE filloi monitorimin e kufijve. Por problemet mbeteshin, dhe ishin të mëdha. Më shumë se 14 mijë persona kishin gjetur vdekjen gjatë konfliktit, dhe më shumë se 1 milion të tjerë ishin larguar nga shtëpitë e tyre, që në pjesën më të madhe ishin totalisht të shkatërruara. Por një nga defektet më të mëdha të marrëveshjes së Minskut qëndronte tek fakti se në asnjë pjesë të saj citohej Rusia si palë e interesuar, por thjesht si vëzhguese e konfliktit midis autoriteteve të Kievit dhe separatistëve, edhe pse mbështetja e Kremlinit me armë, ushtarë dhe financime ne ato zona ishte e dukshme.
Pse implementimi i Minskut shihet si zgjidhje diplomatike?
Autonomia për rajonet separatiste, e premtuar nga Kievi, nuk u aplikua kurrë, sepse do të kishte efekte shumë negative për fushatën e çdo politikani ukrainas ndaj opinionit publik të brendshëm. Implementimi sipas marrëveshjes së autonomisë i intereson Kremlinit, që mund të kontrollonte ato zona pa qenë nevoja t’i pushtonte zyrtarisht. Nga ana tjetër, presidenti Francez Macron pak ditë më parë deklaroi se komuniteti ndërkombëtar është i determinuar në implementimin e Marrëveshjes së Minskut, si mënyrë për të zgjidhur konfliktin, ashtu si dhe sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, që shtoi gjithsesi se zgjidhja nuk vjen vetëm me atë marrëveshje.