Dritan Demiraj, një kandidaturë dinjitoze për President, propozuar nga “Vatra”
Nga Genci SHTYLLA, Mischigan, SHBA
U nxita të shkruaj këto rreshta, pas lajmin të propozimit të shoqatës “Vatra” për Kolonel Dritan Demirajn në postin e Presidentit.
Para pak ditësh pata rastin që nëpërmjet disa miqëve të përbashkët, të takohem dhe bisedoj me Dritanin.
Fillimisht pata ndjesinë se po bisedoj me një ushtar, kaq i hapur e i drejtpërdrejtë qe me mua. Por pas pak çastesh, kur më tregonte fare qetë e thjeshtësisht, për jetën e tij kuptova se, pavarësisht pamjes së parë, kisha të bëja me një njeri sa ekspert të fushës aq me vlera të spikatura dukshëm, morale e humane.
Pas kësaj e pyeta diçka më thellë dhe ai shumë modestisht më tregoi për titujt e dekorimet e fituara me shumë mund e sakrifica, ku pa dashur t’i përmend të gjitha po veçoj ato të titullit “Doktor Shkencash” dhe dekoratën “Nderi i Kombit”.
Një përshtypje të madhe më bënë edhe librat e botuar prej tij që sipas meje janë diçka e veçantë në bibliografinë shqiptare, pasi zënë një vend të rëndësishëm në fondin e literaturës së mbrojtjes.
Po kaq thjesht Dritani më foli edhe për periudhën kur ishte në detyrën e Ministrit të Brendshëm, ku kishte kontribuar që pavarësisht kohës së shkurtër dhe pengesave pa fund, të kishte rezultate pozitive.
Gjatë bisedës mora vesh se Shoqata ‘Vatra’ i kishte kërkuar disa të dhëna personale sepse të 23 degët e saj në Shtetet e Bashkuara ishin në një mendje që kryesia e shoqatës ta propozonte Kolonel Dritan Demirajn në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Të them të drejtën ky lajm më zuri në befasi, pasi gjithmonë kam besuar se presidenti është produkt i pazareve politike në Shqipëri, por menjëherë kuptova se ky do të ishte një lajm i mirë për shqiptarët e për diasporën në veçanti, që të ndihet më në fund e vlerësuar.
Nuk di pse në ato momente m’u kujtuan vargjet e famshme të Nolit “Mbahu nëno mos ki frikë ..”.
Pas pyetjes sime se kush parti do ta mbështestë ai u përgjigj shkurt se nuk e dinte pasi partia e tij ishte Shqipëria.
I bindur se kjo kandidaturë i bën nder atij posti, por edhe në përshtatje me situatën gjeopolitike e militare në rajon e më gjerë, gjykoj se një ushtarak i sprovuar në misjone brenda e jashtë vendit, ndoshta më i miri që kemi, është i prerë për postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Do të doja me gjithë shpirt që partitë politike, shoqëria civile, por edhe qytetarët e thjeshtë ta mbështesnin këtë kandidaturë sa përbashkuese aq edhe dinjitoze.