Odise Kote: AJO STUHI E PRANVERËS…
A ishte dashuri ajo stuhi e pranverës, që erdh’ kalimthi me shtrëngatë,
Dhe iku nëpër qiell të kthjellët, duke lënë petale të rrëzuara pas?
Lulim bajamesh, kërpudha, manaferra, mjedhra, kolumbri të ndezura zjarr,
Rrënqethje gjethesh, pluhur a polen të hirtë, që derdhej gjithkah.
A ishte dashuri ajo ditë e tërbuar vetëtimash, premtime që s’harrohen,
mbi dheun e shkrumbuar nga flaka dhe mërzia,
Në pyll dëshirash kur ngjyrat marin trajta e purpurohen?
Nuk fshehëm dot asgjë nga rrengjet lojcake që na punoi natyra.
A ishte dashuri ajo stuhi e pranverës, që erdh’ nxitimthi me shtrëngatë?
Si një vajzë piciruke, e vogël’th, marruke, me d’lirësi lidhur qafës si shall.
Llamburinte me gjithshka, por më shumë me hiret dhe buzëqeshjen.
Dhimbje shpirti mbështillte përflaktas me krahët rreth vetes.
A ishte dashuri ajo stuhi e pranverës, që erdh’ rrëmbimthi me shtrëngatë,
Dhe iku nëpër qiell të përflakur, duke lënë petale të rrëzuara pas?