Shaip Kamberi, i vetmi shqiptar në parlamentin serb
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përfaqësohen në parlamentin serb nga Shaip Kamberi. Kryetari i koaliconit të Shqiptarëve të Luginës, pas rivotimit në Tërnoc të Bujanocit ka arritur të sigurojë 13 mijë e 697 vota, duke fituar një mandat deputeti në Kuvendin e Serbisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale Kamberi ka shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve që kanë mundësuar përfaqësimin e shqiptarëve në parlament. “Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë.Faleminderit edhe subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc e të cilat ndëgjuan drejtë nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar. Bashkë ia dolëm të gjithë. Unë do të vazhdojë të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim. Përtej çdo bindje politike janë shqiptarët”, shkruan Kamberi.
Kamberi, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi sipas tij procesi u karakterizua nga një përqindje e ulët e shqiptarëve, për shkak të problemeve me adresat e shqiptarëve.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë vetëm 1 deputet, nga tre që ishin në parlamentin prej 250 vendesh të Serbisë. Shkak për këtë rënie të përfaqësimit u bë dalja në zgjedhje të ndarë e jo të bashkuar.