Ferit Lamaj: Humor Kadarean
Ferit Lamaj
Ç’t’i dojë zemra
(Shkrimtari Kadare dhe botuesi Hudhri)
Në lokalin “Peshkatari”
Kamerieri, për së mbari,
paraqitet te shkrimtari
buzagaz, me gjysmë toni:
– Urdhëroni, ç’urdhëroni!?
Bujari gjithë bujarì:
– Ç’t’i dojë zemra, Zotëri!
Ismaili fjalët cyti:
Ç’të dojë zemra, veçan fyti!
————————–
Bujar Hudhri, botues i veprës së Kadaresë, Onufri.
Paradoks
(Shumë e për lumë)
Një poet me art e sqimë,
i pakfat në publikim,
ftoi miqtë në gëzim;
në mes tyre zotin Is.*
Is trapezën gudulis:
– Sa më pak punoj, për besë,
aq më shumë njoh sukses!
Nis gajasja bash me bis.
Sakaq zonja e shtëpisë
i drejtohet zotit Is:
– Ty të lumtë, byrazer!
Unë tim shoqi qindra herë
i kam thënë “ç’punon kaq shumë,
kur s’qullos, o det e lumë”!
——————-
*Ismail Kadare.
Oportunizëm
(Rrëfen Is)
Pas forumit botëror,
gjatë darkës miqësore,
një poet, zoti Katamba,
piu verë bash me shtamba.
Çakërrqejf ai truplis
sokëllinte në mjedis:
“Jo, nuk shkoj më në Paris;
tym e xixa të qet truri,
atje u fëlliqka burri!
Që ta dini më të renë:
gjysma është me Bosquet-në*;
gjysma tjetër s’e do fare,
e ka palë kundërshtare!
—————–
*Alain Bosquet, mik i Kadaresë.
Modesti Ismailiane
Një Servil aq i pështirë,
që s’lë b… pa lëpirë,
me nder jush, kryelavir,
sytë shndrit si abazhur,
ledha, lavde thur e thur:
– Z. Is, o kryeburrë,
ti je mbret, Mbreti Artur, …!*
Kadareja pas kësaj
kullon djersë si në faj:
– Boll lëpive, ore dajë,
e di ç’ke, më mirë më shaj!
—————–
*Udhëheqës legjendar në shek. V – VI, heroi qendror i Eposit britanik.
E ç’ pastaj?!
Helena bash te kostumi
i gjen një shishkë parfumi:
– Ç’është kjo gjëmë, ç’është ky faj?
Is i qetë: – E ç’pastaj,
pse s’i flet, xhanëm, asaj?
Unë, Helenë, kam gjysmëfaj!
Çifti Kadare mysafirë te çifti Bosquet
Mbi tryezë pjatancat plot,
nga sallata gjer në tortë,
te një pjatë Djathi Roquefort*.
I ka qarë zonja Bosquet.
– Me ç’di unë, – Helena flet, –
ky këtu është Djathi Mbret?!
Zënazik Alain Bosquet.**
– Në fakt, Madame Kadare,
për ju që rroni atje,
Komunizëm demode,
ta llafosim troç e mbarë,
ky është Djathi Komisar!
———————
*Djathi blu nga Jugu i Francës, ndër më të mirët në botë.
**Poet francez, mik i Kadaresë.
Zonjushë Gloria
(Çmenduri)
Dhëndri, skërfyell i gjatë,
shpreh ankimin në gjykatë,
po padit Gjendjen Civile,
“që ia paska bash me hile,
s’ia bën celebrimin kurrë
me zonjushë Glorian* Veturë!”
– Zonja gjyqtare me frak, –
proteston në Gjykatore: –
S’është Benz o Kadillak,
por e gjinisë femërore!
Flet gjyqtarja me idiomë:
– Pse s’puqitesh me Fadromë?!
——————
*Markë veture.
Romë, 1967
Is nga Kina me avion
fluturon drejt e në Romë,
aty takon Dritëronë.*
Çmallen si dy shokë të vjetër:
miq të ngushtë në laps e letër.
Në hotel s’po ndihen mirë,
s’paskan gjumë, çohen pa gdhirë;
xhan-xhin rruga, errësirë.
Flokëkërleshur, sqimatarë,
futen në restorant-bar.
Ç’banakier me zë tenori:
– Buongiorno, cari signori!**
Dritëroi: – Is vëllai,
unë i thashë, “vijmë nga Shangai”.
Me sa shoh, ky buzëpekmez
na ka marrë për kinezë!
Ismaili i vë pikë:
– Eh, symbyllur, more mik,
ngjajmë fiks si aziatikë!
Kuzhinieri skuq patate:
– Ma che lingua parlate?!***
Dritëroit tym kaptina,
kullufit dy aspirina:
– Albanezë, por vijmë nga Kina!
Banakieri me lot qesh:
– Aha, shqiptaro-kinezë!
—————————
* Dritëro Agolli, Shkrimtar i mirënjohur.
**it. Mirëmëngjes, të dashur zotërinj!
***it. Çfarë gjuhe flisni?
Në Kopshtin e Luksemburgut
(Dialog Kadare – Jean Marie B.)
Jean Marie flet zëbilbil:
– More, zoti Ismail,
pse s’banon në këtë lagje:
qetësi, freski e paqe.
Instituti Akadamik
ka pallat këtu, or mik!
– Ta provoj, mos jam me fat!
– Ç’pret akoma, mos e zgjat,
hidhi grepat, peshko, gjuaj,
je edhe anëtar i huaj.
Jep një libër me kushtim,
(është traditë në vendin tim),
merr shtëpinë si shkëmbim…
– Nëse fal një suvenir?
– Aq më mirë, aq më mirë!
Qaset Is në etazher,
kap peshqeshin revolver,
antikuar me aq shumë vlerë,
punuar në filigran,
fijëza ari anë më anë,
dhe e fut në çantë serbes.
“Kikiris” porsi këndes
te personi që e pret,
X-i në Akademi.
X-i qe bash zotëri,
preket thellë nga kushtimi,
por…, ia nisi ndërlikimi.
Is, ekspert për “marifete”,
“erdhi ora” – flet me vete, –
dorën shtrin, për fjalë të nderit,
i prek tytën revolverit.
Tjetri, që gjendej përballë,
ngriu si kufomë e gjallë:
– Jo, ju lutem, zotëri,
po kaloni çdo kufi! –
X-i u bë dyllë, të themi,
“mos u ngjall Avni Rustemi”*! –
Më pas veten e bën hasha,
këput ca mufka të trasha,
“po unë mos jam Esad Pasha”!
Kadareja: – Je me fat,
revolveri është dhuratë.
X-i, i qullur në djersë,
Ismailit i lyp ndjesë:
– Oh, e mora ters, për besë!
Sidoqoftë, tjetër herë
mbase fati ndih në derë,
eja prapë me revolver!
Dhe shkrimtari mençurak
kunjat shkrep si me çakmak:
– Do të vij me antitank!
————————
*Arsimtar shqiptar, që më 13 qershor 1920 i bën atentat në Paris Esad Pashë Toptanit, ish-Kryeministër i Shqipërisë.
Vetmi pranë Pemës së Krishtlindjeve
– Frymëzuar nga Shkrimtarja Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme, f. 486 –
Çifti kish jetuar gjatë
Dashurinë aq të zjarrtë;
nëntëdhjetë vite s’janë pak,
kur dhe gjaku të merr flakë.
Nëntëdhjetë vite s’janë shumë,
Pleqëria – det e lumë,
të rrëmben, të kredh në shkumë,
të vetmon e të përhumb,
të bën hi e të bën shkrumb.
Çifti plak pranë pemës pret,
pret e pret e pret e pret
nipat, mbesat krahëlehtë,
syçkaqeshurit …
Medet,
një minutë zgjatet dhjetë vjet!
Kjo minutë plumb e blind
Çiftin plak dhe gjysh dhe prind,
nga nëntëdhjetë e rrit njëqind.
Qe mesnatë apo agim,
lot që shkasin pa pushim,
Çifti, Zot, ki përgjërim,
u flijua në amshim…
“Komandant Legjioni Nderi”
(Sprapsje ftese)
Mospranimi këtë herë
ishte Çnder bash për një Nder.
Ftesa vjen, e marrtë e mira,
nga Parisi, por çudira
pjell Tirana, vendi im!
Burokrati buratin
kapardisur te një zyrë
ia qep Is sytë në fytyrë,
i qet fjalët germa-germa:
– Të betohem, ç’më ndjen zemra,
nuk përshkruhet dot me penë,
por ma kokoleps idenë
togfjalëshi “Legjion i huaj”,
ç’t’ia vë emrin, si ta quaj?!
Shef zyrtari lëviz nerv:
– Ti je oficer rezervë
në ushtrinë tonë shqiptare.
Ligji e ndal ashiqare
sot e mot e përngahera,
komandant ushtrish të tjera…
Kadareja gjegjen nderi:
– Ftesa është për “Legjion Nderi”,
pra për çështje shkrimtarie,
jo ushtrie, policie…!
Buratini çapëlon sy:
– Jo, jo, janë aty-aty!
Ismaili kunjatar:
– Epo, ti je Komisar!
Hiç!
(Mikrobisedë me Kadrie Kadarenë (Kakunë) pas 6 muajsh, i sapokthyer nga Franca)
Jashtë zheg e përcëllimë,
brenda akull, miku im!
Is, i ftohtë në korridor,
as përqafje, as dhe dorë,
veç një “ç’kemi” aq e gjorë.
– Hiç! – e motra si e ngrirë.
Ismaili: “Dreq o punë,
hiç Kakuja, hiç dhe unë”!
Vizitë në Gjirokastër, 2021
Çifti plak i qetë, i urtë,
shëtit në qytet të gurtë.
– Gjirokastra, – shprehet Is, –
është stolisur kryemiss,
ndihemi si në Paris!
Tezja e Kadaresë
Tezja me gjitonen Shade
që pa gdhirë llafosin sade:
– Biondja që erdhi te ne,
sitë nipit, moj ané
ia ka zënë me sixhadé!
Kafja e Madhe e Shkodrës
(Historizë)
Kamerieri porosinë
e vonoi plot një javë.
Fët klienti ironinë
porsi peshk i bërë në tavë:
– O djalosh, vëthë nja dy llafe:
kur të vish, m’i sill shtatë kafe!
Dy filatelistet*
(Tregti pullash)
Dhelprat zunë tregti:
– Nëm një Çad, të jap Siri!
– Jo, jo, Çadin s’ta jap dot,
mos i mprih dhëmbët më kot,
nëse do, merr dy Koretë!
– Ç’përrallis, qenke e metë,
se ç’zgjedh unë, e di vetë;
dy Koretë mbaji mënjanë,
më fal tre Afganistanë!
– Epo ja, na vaftë mbarë,
të jap Mal, më jep Katar!
– Çfarë mali edhe fushe,
unë të përlaj për gushe!
Na e ndanë globin në mes,
gjithsecila nga një pjesë.
Pas pak ditësh boll me pulla,
Dhelprat tash tregtojnë pula.
————————–
*Frymëzuar nga romani Kronikë në gur, f. 47.
Kundërtekst
(Ftesë imagjinare nga Fayard*)
“Mik i dashur, zotëri,
kam të rrallën lumturi,
që t’Ju çftoj bash në Paris,
i pajisur me mosvizë,
të çfirmosim në parim
një kontratë për çbotim.
Në fund një falenderim!
Në ke mosmirëkuptim,
na nis një mosvlerësim,
porsi miq-armiq të vjetër
të mosshihemi herë tjetër.
Ju pres me fanfarë, bandë,
i mosjuaji, Claude Durand”.
—————-
*Botues i veprës së Kadaresë në Francë.
Gjyshi im
(Rrëfen Helena)
Im gjysh shumë kohë më parë
emërmadh si tregtar.
Teksa shiste vaj ulliri,
Blerësi ikën nga fiqiri:
– Luaj vendit, zotëri,
s’është e njëjta cilësi! –
ia lë botilen në dorë.
Gjyshi bash triumfator
rrëkëllen vajin të tërë,
më tej buzët fshin me llërë.
Blerësi i qesh pas pak:
– U tregove mençurak,
se tashmë, hej, miku im,
mostër s’ka për krahasim!