Albspirit

Media/News/Publishing

23 maj 2011/Kur mësuesi i letërsisë rreshtohet grushtbashkuar te radhët e partisë

LUÇIANO BOÇI

Si njeri që përgjatë shumë viteve jam marrë me letërsinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj Kadarenë si kolosin e letrave shqipe, si shkrimtarin që ka magjepsur dhe motivuar breza të tërë dhe kombe me stilin e tij, domethënien e veprës së tij, bukurinë e transmetuar, brenda të cilave ka dominuar gjithmonë një sens unik kërkese lirie dhe mirësie universale. Politikisht, e kam konsideruar si personalitet të angazhuar, i cili e vëzhgon politikën me dashurinë që trajton letërsinë dhe kërkon ta fusë atë në hullinë e shërbesës së interesave të shqiptarëve. Patriotikisht, e konsideroj si ambasadorin më të suksesshëm në promovimin e vlerave të pathëna dhe të patjetërsueshme të kombit tonë.
Dhe, përballë këtij vlerësimi, nuk është e lehtë të retushosh kritikën, e cila, fatkeqësisht, në këndvështrimin e interpretimit politik, duket e domosdoshme dhe imediate. Dhe, tek e fundit, njerëzit e mëdhenj jo gjithmonë thonë ose bëjnë gjëra të mëdha dhe normalisht gabimet stilistiko-politike janë pjesë e udhëtimit të tyre gjigant për të ndjekur madhështinë. Në një këndvështrim të imët, jeta e tyre është e mbushur me të atilla vogëlsira meskine, sa dhe njerëzit normalë (jo gjenitë) do të habiteshin për nga papjekuria, nëse i ballafaqonin ato me qëndrimet apo rrugëtimet e tyre personale. Kjo i ka ndodhur Gëtes, Hemingueit, Balzakut, Dostojevskit e shumë e shumë kolosëve të tjerë.
Dhe letra e hapur e Kadaresë për mua është një stacion i tillë, një vogëlsirë midis malit të madh të vlerave që Kadareja na ka dhënë dhe vazhdon të krijojë. Kërkesa e tij me argumente ekstra politikë, e mbushur me panikun e pasojës para një të marri, bie ndesh me mesazhet e shumta të veprave të tij për sublimen, sakrificën dhe betejën e vazhdueshme ndaj së ligës, së keqes, së shëmtuarës për triumfin e së drejtës, së mirës dhe së bukurës. Nëpër rreshtat e saj është shumë e vështirë të gjesh Kadarenë e kurajës për dritën e lirisë dhe të së vërtetës, është e vështirë të gjesh kalorësin e paepur të betejave të çartura dhe të pabarabarta me forcat e natës dhe të së kaluarës. Shkurt, Kadare aty nuk ka.
E thënë ndryshe, letra e Kadaresë ishte një perifrazim i thënies popullore “Budallait hapi rrugë”. Dhe, meqenëse Basha është i mençuri i kësaj historie, për shkak të këtij atributi, ky i fundit duhet t’ia falë Bashkinë e Tiranës të çmendurit Edi, i cili është gati, për shkak të humbjes së saj, të djegë Shqipërinë. Kjo është logjika primare e kësaj letre, e cila duhet thënë se nuk ka asnjë referencë me mitet apo legjendat e paharruara shqiptare, të cilat shpesh janë bazë frymëzuese e veprës kadareane. Njëkohësisht, kjo thirrje nuk përputhet as me tolerancën myslimane dhe as me mëshirën kristiane. Përpunimi i saj duhet parë nën logjikën e ftohtë të politikës, të ndërtimit të asaj që ne dhe Kadare kemi vite që e kërkojmë, të shtetit ligjor, i cili kërkon të materializojë në një pushtet vullnetin e sovranit dhe jo meqenëse ka një lloj pushteti (sipas letrës) duhet tradhtuar ky vullnet i shprehur qartë dhe taksativisht.
Nëse dikush nuk është dakord me mënyrën e shfaqjes së këtij vullneti, ka hapësirat e nevojshme të shprehë rezervat e tij dhe kërkesat e tij me të gjitha rrugët, qofshin ato ligjore apo ekstraligjore, por gjithmonë të përputhshme me paqen, tolerancën dhe prosperitetin, siç ka bërë dhe vetë Kadare me letrën e tij, por jo të imponojë zgjidhje emocionale që më shumë se zgjidhje, janë yshtje për thirrjen në skenë të mosarsyes.
Por, gjithsesi nuk duhet të harrojmë brenda kësaj kritike të vështirë një aspekt kadarean të përmbajtjes së vetë letrës. Ai mbetet i madh në letërsi, sepse vepra e tij ruan koherencën, është shumëkuptimshme, është shumëdimensionale dhe mbart mesazhe në çdo kohë që e lexon. Në këtë aspekt, letra nuk duhet parë kaq thatë, jo thjesht si thirrje ndaj Bashës për t’u tërhequr, pasi këtu gjithçka futet në terrenin e së pabesueshmes, por si mënyra më e mirë, më e butë, më bindëse për t’u thënë shqiptarëve se lideri i PS është politikani më i marrë, më i çmendur, pas të cilit nuk duhet të shkojë askush. Dhe, përballë këtij konteksti, Basha nuk mund të tërhiqet.
Thirrjes “Budallait (Ramës) hapi rrugë” i kundërvihet thirrja e vjetër, sa vetë era e re “Jepi Cezarit (Bashës) atë që i takon Cezarit”. Dhe, ajo që i takon nuk ka dyshim se është fitorja.
*Deputet i PD

Please follow and like us: