Mihal Gjergji: GJURMËT
Ndaloj një çast te prag i vjetër
Të gjej ca gjurmë të fëmijërisë
Hëna më zbret nga lart si skeptër
Hedh dritë mbi plagët e shtëpisë
Violin’ e erës ma gris shpirtin
Më shtyn me brryla në sokak
Pastaj nxiton të puth kandilin
Që rri dremitur mbi oxhak
Dikur im At’ trazonte shpuzën
Menduar rrinte, si profet
Çibukut nuk ia ndante buzën
E ne rreth vatrës merrnim jetë
Nën plojë të kohës fle shkretimi
As zogj nuk ka, e heshtur udha
Ca pika loti derdh burimi
Tek më shikon mbushur me rudha
Befas një zë: “U ktheve bir!”
Më verbon terri, ndjej lëngatë
“Ku je, moj nënë, në ç’humbëtirë,
Apo ke zbritur që nga lart?”
Atje ku njerëzit hanë vetveten
Dhe perënditë i zënë me gurë
Një grusht kujtimesh pas do mbeten
Dhe gjysma ime me aq nur!
Më tremb ky qiell pamjenxirë
Ky dimër lufte plot acar
Askush s’më fton si mysafir
Mes malesh mbeta vetmitar
Pas gjurmve rend, si pelegrini
Dhe brenda meje s’di se ç’ngjet
E hapa sot një fletë kujtimi
Që asnjë çast s’më lë të qetë!
Mars 2022.