Server: Kosovës i duhet ushtria për mbrojtjen e territorit e sovranitetit
Kosova duhet të reflektojë për rrugën e saj drejt BE-së, pasi që ajo ka humbur një nga mbështetësit e saj kryesor për integrim në Bashkimin Evropian, pas daljes së Britanisë së Madhe nga ky union shtetesh.
Kështu ka thënë ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në një konferencë të organizuar nga ministria që ai drejton, për Brexit-in dhe ndikimin e daljes së Britanisë nga BE-ja, raporton KTV.
Kurse, eksperti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Server, tha se më e mira që do të mund të bënte Kosova pas Brexit-it, është ta plotësojë sovranitetin e saj, të krijojë një ushtri të aftë për ta mbrojtur këtë sovranitet dhe të përpiqet të krijojë vende pune.
Server ka thënë se duhet pasur kujdes si po zgjidhet kufiri me Malin e Zi, pasi që shumë shpejt ai do të jetë kufi i NATO-s.
Kurse, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, tha se pasojat e para të Brexit-it tashmë janë shfaqur, pasi që Serbia po e rimendon pozicionin e saj në bisedimet me Kosovën.
Në këtë konferencë, u tha se do të duhet të kalojnë disa vjet që Britania e Madhe ta marrë veten pas daljes nga BE-ja.