Albspirit

Media/News/Publishing

John Kerry paralajmëron Turqinë: Kujdes me insinuatat kundër SHBA

Ruben Avxhiu

SHBA e ka mbështetur me deklarata Presidentin Erdogan, gjatë puçit të djeshëm, por nuk ia përtoi një përgjigje të fortë sot, kur zyrtarët turq filluan të përfshijnë Amerikën në paranojat e tyre “të armikut të jashtëm”.
“Insinuatat publike, apo pretendimet për ndonjë rol të Shteteve të Bashkuara në përpjekjen e dështuar për grusht janë tërësisht pathemel dhe të dëmshme për marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha ndër të tjera Sekretari i Shtetit John Kerry gjatë një bisede telefonike me homologun e tij turk, sipas Departamentit të Shtetit.
Mbyllja e hapësirës ajrore turke, për shkak të grushtit, gjithashtu po pengon operacionet amerikane kundër ISIS-it në Siri dhe Irak.
Në fakt, moll e sherrit mund të jetë Fethullah Gylen që jeton si mërgimtar në Pennsylvania, ish-aleati i ngushtë i Erdoganit, tani kundërshtarë të vendosur. Gylen ka një rrjet shkollash e bamirësish që promovojnë një formë mistike të Islamit, si dhe rëndësinë e arsimit, shkencës dhe dialogut ndërfetar.
Erdogan e ka akuzuar Gylenin se ka qenë organizator i grushtit të shtetit, duke hutuar pak median e huaj që priste që oficerët të përshkruheshin se kemalistë, adhurues të Ataturkut dhe jo të bamirësit të strehuar në kantundet e Pensilvanisë.
Nuk ka dyshim që Gylen dëshiron që Erdogani të humbasë pushtetin, sidomos tani që rrjeti i tij i shkollave dhe organizatave në Turqi ka pësuar hakmarrjen e presidentit turk. Mirëpo, ai e dënoi të premten në darkë grushtin ashtu si bëri edhe organizata e tij.
Sot, ata kanë thënë madje që grushti mund të jetë sajuar nga vetë Erdogani.
Duke folur në TV, sot, Erdogani tha Turqia nuk i ka refuzuar ndonjë kërkesë ekstradimi për terroristë Amerikës, prandaj, “nëse jemi partnerë strategjikë, atëhere ju duhet t’i përgjigjeni kërkesës sonë”, tha ai.
Analistët dyshojnë që Erdogan do të vijojë të mbajë të papërdorshme bazën e Inxhirllëkut që është e rëndësishme për operacionet amerikane në Lindjen e Mesme për të dëtyruar dorëzimin e armikut të tij personal.
Suleyman Sojluja, ministër i punës, iu dha roli i atij që duhet të thotë atë që ata që kanë mend nuk e thonë, se SHBA mund të ketë qenë mbas grushtit të shtetit.
Sigurisht që po të kishte qenë SHBA mbrapa grushtit të shtetit ai nuk do të kishte mbaruar për pak orë, po në Washington janë mësuar që akuzohen për çdo gjë.
Gjatë një takimi të mëparshëm me gazetarë. Kerry tha se Turqia duhet të bëjë së pari një kërkesë ekstradimi, pastaj të SHBA do të ketë mundësinë për të marrë vendim.
Deri tani nuk është paraqitur ndonjë kërkesë e tij dhe as ndonjë evidencë që dëshmon se si e bëri Gyleni nga Pensilvania grushtin në Turqi. Kërkesat në fjalime televizive nuk janë kërkesa ligjore, janë thjesht tym për miletin.
Dëshmia ka rëndësi në rastet e ekstradimit, që janë praktikisht procese gjyqësore, po e vërteta ka pak rëndësi për militantët për të cilët fjala e udhëheqësit është urdhër i pakundërshtueshëm. Shkollat dhe zyrat e organizatës Hizmet të Gylenit janë sulmuar në një numër vendesh të Europës Perëndimore ku turqit pro-Erdogan u mobilizuan për hakmarrje.
Në një intervistë për median, në SHBA, imami i moshuar tha se kishte 15 vjet që nuk e vizitonte më Turqinë. Ai tha se nuk e di se kush e quan veten gulenist më në Turqi, po tha se ai as mund të bëjë grushte as nuk i pranon grushtet e shtetit si mjet.
I pyetur e pse u bë ky grusht, ai tha se “ka plot arsye që mund t’i kenë shtyrë njerëzit që të organizojnë grusht të tillë”.
Në SHBA, është e ndaluar me ligj që të organizosh grusht shteti në një vend tjetër. Nëse Gylen do të provohej fajtor, ai do të rrezikonte burgun edhe në SHBA, përveçse ekstradimit në Turqi. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: