Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Ringjallja e Kombit

Historia na dëshmon për vdekjen dhe për ringjalljen e kombeve te ndryshme. Kombe të mëdha dhe të fuqishme, perandori që dikur sundonin dhe kishin ambicje të mëdha të pushtonin e të sundonin territore shumë të gjëra, sot nuk u dëgjohet më emri e nuk u ka mbetur më asnjë gjurmë. Nga ana tjetër fise e kombe të vegjël e të dobët dikur janë rritur e forcuar dhe janë bërë sot prestigjozë e shumë të rëndësishëm. Po të shohim historinë e viteve të fundit na bjenë në sy dy kombe të cilat nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore e deri sot kanë qenë në rrezikun e vdekjes po edhe që kanë përjetuar ringjalljen si askush tjetër. Do të përmendim kombin gjerman dhe kombin hebere. Pas humbjes së Luftës së Parë Botërore, Gjermania përjetoi një perudhë rënie e depresioni të pashembullt në historinë e saj. Inflacioni, anarkia e destabiliteti politik që u përjetua në këtë kohë, ishin me të vërtetë pa precedentë për kombin gjerman. Shumë e humbën shpresën, u dëshpëruan dhe bashkë me shpresën shumë e humbën logjikën; dhe ashtu si një person që është duke u mbytur dhe kërkon të gjejë shpëtimin duke u kapur pas fijes së kashtës, shumë u bashkuan me Nazizmin e Hitlerin. Shumica nuk e analizoi se cili ish Adolf Hitleri: Një piktor i dështuar nga Austria, një katolik i cili fliste me admirim për Martin Luterin, po që në fakt ish pjestar i një sekti satanik dhe vendoste besimin në ritualet e errta, gjë që u shpreh qartë në simbolikën e kryqit të thyer dhe në ritualet dhe në fenë e SS. Në fakt shumica, sidomos të rinjtë, nuk e patën mundësinë të mësonin të vërtetën sepse në atë kohë propaganda zyrtare bënte të kundërtën: Ministria e Propagandës Naziste, gazetarët e shitur propagandonin me bujë vetëm fjalët dhe premtimet e mëdha. Me të gjitha mënyrat Adolf Hitleri paraqitej në pamjet filmike dhe në pllakatat gjigande në sfondin e ndërtimeve spektakulare. Oratorë e gazetarët e shkathët e lartonin “politikanin gjenial Adolf Hitler” aq me profesionalizëm saqë shumica e popullit, sidomos rinia u sugjestionua nga ky lumë propagandistik. Pas një kohe edhe ata që e dinin të vërtetën kishin frikë ta thonë hapur; kishin frikë të përmendnin faktet se Adolf Hitleri, në fakt nuk kish asnjë shkollim e arsimim as në fushën e politikës dhe aq më pak në atë të financës. I vetmi arsimim që kish marrë ish në fushën e artit, pikturës dhe në këtë drejtim kish vetëm arsimin e mesëm. Në rininë e tij Hitleri ish krejtësisht i bindur se ish “një piktor shumë i talentuar”. Sipas kësaj bindjeje shkoi në Vjenë për të bërë karrierë, të fitojë famë e para duke shitur pikturat e tij, po dështoi plotësisht. Dy herë kandidoi të futej në Akademinë e Arteve në Vjenë, po që të dyja herët dy herë nuk arriti të plotësojë kriteret e pranimit. Pas disfatës së plotë si piktor u largua nga Vjena dhe shkoi në Mynich ku filloi karrierën e tij politike. Arriti të mbledhë rreth vetes politikanë e gazetarë të korruptuar, persona të cilët më vonë u bënë baza e Ministrisë së Propagandës të shtetit nazist. Me ardhjen në pushtet Hitleri e propaganda naziste reklamonin vetveten me fjalë e ndërtime spektakulare. Në atë kohë përveç të tjerave u ndërtuan autostradat e Gjermanisë “autobanet” të cilat për kohën ishin shpenzime të  tepruara, ndërtime të cilat i shërbenin më tepër ministrisë së propagandës dhe tejkalonin shumë herë plotësimin aktual të nevojave të transportit e të komunikacionit. Përveç “autobanëve” u shpërndanë paga të larta dhe u bënë shumë ndërtime e veprime te tjera financiare jashtë çdo logjike ekonomike, u morën borxhe dhe u ndëruan struktura të cilat ishin të destinuara të shkatërroheshin. E vetmja zgjidhje ishte lufta. Besimi e besnikëria e popullit gjerman, të verbuar nga propaganda e institucioneve shtetërore të Ministrisë së Propagandës dhe të gazetarëve të korruptuar bëri që populli gjerman të pranojë me entuziazëm luftën, sepse kështu thosh Hitleri. Dhe lufta solli shkatërrimin dhe vdekjen. Bilanci në fund të luftës: Më tepër se nëntë milionë të vrarë, më tepër se një e treta e territorit gjerman u humb për gjithmonë, Gjermania u nda në dy shtete. Gjithçka ishte e rënuar dhe gjermanët u bënë kombi më i urryer në botë… Po Gjermania u rimëkëmb. Kombi gjerman rimëkëmbi vetveten. Hapi i parë ishte zgjedhja e politikanëve të ndershëm e patriotë në krye të vendit. U fillua me parimin: Meqë ne nuk na do askush le të duam njëri-tjetrin, meqë nuk do të na ndihmojë askush le të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kështu duke patur dashuri e unitet për njëri-tjetrin u krijua nga Ludwig Erhard sistemi social sipas parimit “Wohlstand für Alle”, “Mirëqënie për të gjithë”. Ndjekja e parimeve të dashurisë e drejtësisë midis pjestarëve të gjithë kombit, krijimi i një sistemi të drejtë social që ka si synim krijimin e një “Mirëqënieje për të gjithë”, zbatimi i kritereve të qarta të transparencës dhe barazisë që mundësojnë moslejimin e ardhjes në pushtet të diktatorëve, etj; e ringjalli kombin gjerman.

Nga ana tjetër hebrenjtë ishin viktima. Që nga koha kur Perandoria Romake e shkatërroi mbretërinë e Izraelit ata kishin mbetur një komb pa atdhe dhe për këtë arsye ishim të përbuzur dhe të urryer. Nuk ish hera e parë gjatë historisë që hebrenjtë masakroheshin, po terrori nazist ish i pashembullt si nga përmasat ashtu edhe nga egërsia. Kurrë nuk kish ndodhur një shfarosje aq e egër e totale. Kurrë më parë nuk kish ndodhur që trupat e njerëzve të përdoreshin si lëndë e parë për të prodhuar produkte industriale. Në këtë kohë hebrenjtë e kuptuan rëndësinë e atdheut dhe të dinjitetit kombëtar. Pas luftës kur aleatët u premtuan, personave të sapo liruar nga kampet e përqëndrimit, t’i çonin në këdo shtet të botës që të dëshironin, kur ju premtuan ndihma sociale e banesa në vendet më demokratike e më të zhvilluara të botës, ata refuzuan dhe kërkuan të shkojnë e të ndërtojnë atdheun dhe shtetin e tyre. Gjithashtu ata asnjëherë nuk hoqën dorë nga kërkesat për të dënuar masakruesit e popullit të tyre, kurrë nuk pranuan të ulen në tryeza bisedimesh e marrëveshjesh me ish kasapët. Para çdo marrëveshjeje politike, para çdo përfitimi ekonomik hebrenjtë gjithmonë kanë vendosur dhe vendosin edhe sot, gjithmonë respektin për viktimat.

Kurrë, asnjë politikan hebre nuk do të ulej në tryezën e bisedimeve me Joseph Goebbels po të ish bërë Bundeskancelar i Gjermanisë, cilado të kishin qënë përfitimet ekonomike, cilado të kishin qënë presionet politike. Edhe për hebrenjtë pati disavantazhe ekonomike dhe presione politike “ta bëni këtë gjë”, po ata asnjëherë nuk u përkulën. Sot çdo politikan i Gjermanisë kur viziton Izraelin shkon e përkulet para viktimave të Holokauastit. Hebrenjtë e kuptuan se në qoftë se do të shpëtosh nga skllavëria, në qoftë se nuk do të jesh vazhdimisht viktimë në radhë të parë duhet të kesh respekt për vetveten, duhet të çlirohesh nga kompleksi i inferioritetit. Ata pas Luftës së Dytë Botërore kurrë nuk lejuan t’i trajtojnë si persona, si popull i dorës së dytë. Luftuan, qëndruan dhe fituan.

Për fat të keq politikanët shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë nuk mësuan nga kjo përvojë. Edhe figura shumë të respektuara, heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës, persona që u treguan trima e heronj në luftë u treguan frikacakë e kompromisaxhinj në paqe. Është një çudi e madhe që persona të respektuar si Hashim Thaçi, etj pranuan të ulen e të hanë e të pinë, të bëjnë marrëveshje me Joseph Goebbels e Millosheviçit, Aleksandër Vuçin, pa i përmendur asnjëherë as atij e as Europës se cili ai kish qenë?!  Vetë Europa dhe Amerika, gjithë diplomacia e pas Luftës së Dytë Botërore u krijua mbi bazën e këtyre parimeve. Përse kanë frikë shqiptarët t’u kujtojnë diplomatëve perëndimorë parimet mbi të cilat është ndërtuar vetë politika e tyre? A nuk i propagandon Perëndimi gjithmonë këto parime?

Politikanët perëndimorë u bënë presione edhe hebrenjve, edhe politikanëve të Izraelit të harrojnë e të bëjnë paqe e marrëvshje me ish kasapët e tyre, po ata nuk u nënshtruan. Nuk u nënshtruan dhe fituan. Sot viktimat e Holokaustit janë të respektuar nga gjithë bota. Kjo ndodhi sepse këto viktima u respektuan fillimisht në mënyrë të vendosur nga vetë hebrenjtë dhe shteti i Izraelit. Kjo rriti respektin në botë për shtetin e Izraelit dhe gjithë hebrenjtë. Kur një popull nuk respekton vetë viktimat e popullit të tij, por shkel mbi varret e tyre për të bërë kompromise politike e për të bërë marrëveshje ekonomike nuk mund të kërkojë që ta respektojnë e ta marrin seriozisht të tjerët. Gjatë gjithë këtyre viteve politikanët shqiptarë kanë patur e vazhdojnë të kenë frikë të përmendin viktimat, shqiptarët e pafajshëm të maskruar barbarisht. Kanë patur frikë të përmendin viktimat se mos na u ofendokan xhelatët. Le të ulemi dhe të analizojmë me qetësi sot: Cilat janë përfitimet ekonomike e politike që i kanë ardhur Shqipërisë  nga gjithë kjo diplomaci mosguximi i përmendjes të viktimave të Çamërisë? Cilat janë përfitimet që i kanë ardhur Kosovës nga mospërmendja e faktit se Aleksandër Vuçiç është në fakt Joseph Goebbels i Millosheviçit. Ai është një nga arkitektët e shkatërrimit e të zhdukjes të shqiptarve të Kosovës, prandaj me atë nuk mund të diskutohet, atij nuk mund ti besohet: ashtu siç nuk mund t’i besohej, Hitlerit, Joseph Goebbelsit dhe Millosheviçit.

Pas gjitha këtyre viteve masakrash, pesekutimesh e shpërnguljesh shqiptarët  duhet të ishin bërë shumë më të ndjeshëm e më të zgjuar. Duhet të ishin shumë më të vendosur për t’i analizuar me saktësi e qartësi politikanët që kanë në krye. Edhe në Gjermani kancelari Helmut Kohl lojti një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e kombit. Po kur u bë fajtor për vjedhje askush nuk u drojt ta quajë skandal e vjedhje atë që ai bëri, madje dhe e dënuan sipas ligjit. Askush nuk i mohon meritat historike të Hashim Thaçit e të personave të tjerë. Po këta persona që u treguan të qartë e të vendosur në luftë bënë gabime të pafalshme në fushën e diplomacisë. Përse nuk guxohet të përmenden dhe të quhen me emrin e duhur këto gabime?

Sot Shqipëria, njësoj si Gjermania në pragun e Luftës së Dytë Botërore, sundohet nga një kryeministër i cili e filloi aktivitetin e tij politik pasi dështoi në karrierën e tij si piktor. Ministria e Propagandës Zyrtare po na e quan si një politikan të shquar, madje të përmasave botërore. Hapur thuhet se atij i takon të marrë pozita në politikën ndërkombëtare, pse jo edhe Kryetar i Kombeve të Bashkuara, njësoj si Kofi Annan nga Ghana. Thonë se këtë ja paska premtuar dhe George Soros. Po ne nuk kemi fakte për këtë gjë prandaj le ta quajmë thashetheme, le të mos e marrim seriozisht. Por ne me siguri e dimë, fakt i sigurt është se edhe Edvin Rama, njësoj si Adolf Hitleri, nuk ka asnjë diplomë as në fushën e politikës e as në atë të financave. E vetmja diplomë që ka është nga Instituti i Arteve në Tiranë. Për të marrë një diplomë të tillë, djalit të Kristaq Ramës e nipit të Spiro Kolekës në atë kohë i mjaftonte vetëm të regjistrohej. Askush nuk do të guxonte ta ngelte në klasë, as në shkollën e mesme e as në atë të lartë. Se sa ka mësuar e përfituar njohuri nga ajo kohë vetëm ai e di. Megjithatë Ministria e Propagandës Shtetërore Shqiptare na e paraqit Edvin Ramën njësoj si e paraqiste Hitlerin dikur Ministria e Propagandës Naziste, si ideatorin e projekteve të mëdha, si politikanin largpamës e të pagabueshëm. A do të verbohet nga kjo propagandë populli shqiptar; a do të verbohet nga pamjet filmike që e paraqitin Edvin Ramën në skena inagurimesh të rrethuar nga grupet ekëngëve popullore që këndojë këngë për të, ashtu si bëhej dikur për Xhaferrin, apo do të jetë në gjëndje të shikojë përtej kësaj propagande? Gjermanët u verbuan për Hitlerin. U verbuan dhe e pësuan. Çdo të bëjnë shqiptarët? Çdo të bëjnë intelektualët e ndershëm të të gjitha partive e niveleve, do të flasin apo do të heshtin?

Përvoja e Gjermanisë, gjithë përvoja historike botërore, na mëson se kur në pushtet vijnë diktatorët vjen vdekja e shkatërrimi për kombin.

Përvoja e hebrenjve dhe Izraelit na tregon se kombi ringjallet vetëm atëhere kur flak tej mentalitetet e skllavërisë e komplekset e inferioritetit. Kombi nuk ringjallet kur politikanët që e përfaqësojnë nuk ngurojnë të shkelin mbi varret e viktimave nga frika se mos na ofendohen e na e zemërohen xhelatët. Gjithë përvoja historike e shoqërisë njerëzore na i tregon qartë këto fakte. A do të mësojnë shqiptarët prej tyre?

Please follow and like us: