Emil Asdurian: Vlerat kombëtare dhe shqetësimi shqiptar për Erdogan
Vendosa të shkruaj këto rreshta i nxitur nga disa shkrime që kam lexuar aty këtu në disa gazeta, blogje dhe shpesh e më shpesh në Facebook, sidomos në disa qëndrime ndaj kombit, figurave të tij dhe besimit. Pashë këto ditë që shumë shqiptarë u shqetësuan për Erdoganin, ca dolën në sheshe në Prishtinë, ca të tjerë, disa kohë më parë, lëvdojnë sulltanin në mes të Shkodrës martire, ku po ai sulltan u bluante kockat pas rënies heroike të saj (Barleti), a thua se nuk kanë se çfarë të bëjnë për Shqipërinë, aq sa mu duk vetja të dëgjoj Haxhi Qamilin të thërrasë në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, mbrapa po atij Skënderbe që bëri Shqipërinë, “Dum Babën, dum babën”. Aferim iu qoftë, por mos harroni dreqi ta hajë truallin ku lindet dhe ku jetoni, historinë e popullit tuaj.
Dikush më tha që Ismail Qemali bëri Shqipërinë, për të vetmen arsye që Selenicës t’i rritej vlera e tua shiste italianëve. Mbase e pastaj. Amerikanët ikën nga Anglia për të mos paguar taksa, e populli derdhi gjak. Mbase e njëjta histori, e çfarë pastaj? Një miku im shkroi për Nolin, prift i rremë, por figurë me aftësi të shumta, midis të tjerave dhe poet. Kush e bëri të tillë, hidhet ideja e dikujt, e bazuar në disa vargje të tij, hidhet ideja e Moskës bolshevike, e harrohet ç’bëri për kishën shqiptare (atë që kemi humbur sot) që sigurisht si sllavët dhe grekërit do ishin kundër, ç’bëri për gjuhën shqipe dhe për letërsine shqiptare, për krijimin e një republike laike, etj, etj. Ç’rëndësi ka se kush qe, kush e solli, si atë Nolin, si bej Vlorën, se kush qe Isa Buletini, kur dihet që Anglia ndërroi fe, vetëm se mbreti donte ‘t’i ndërronte femrat si mbreti gratë’, kur Franca u bë Francë nga ëndrrat në diell (halucinacionet) e Zhanës. Sigurisht, diktatura i shfrytëzoi për të përligjur veten dhe rrethimin, si dhe mbylljen brenda vetes, por kjo s’do të thotë që s’kanë vlera dhe të mundohemi t’iu çjerrim maskën siç bëhej më parë në diktaturë. Vlera e figurave kombëtare, që kthehen në simbole kombëtare, sa edhe kryeministri ynë i var portretin në zyrë dhe ëndërron të bëhet si ai, jo për paratë që bëri me serrën e Selenicës, por për atë që bëri për Shqipërinë, atë që pas gjithë larjet e shplarjet, fyerjet dhe sharjet, mbetet e pa cenuar mes shekujve. Dhe kjo, jo aq me vlerë filozofike a historike, por për vetë faktin se pa këto gurë themelesh, ne nuk mund të gëzojmë atë ç’kemi sot, ndoshta edhe vetveten, se do t’u faleshim idhujve të huaj, siç ka ca dhe sot, do flisnim gjuhë tjetër, do kishim zakone të tjera, edhe pse “miqtë” tanë u munduan të na i fshinin, siç bëjnë sot me shqiptarët në vendet e tyre. Nuk shkruajta për polemikë, as për të thënë që duhet të bëni siç them unë, kur jam shumë më i paditur se shumë nga ju, por ju lutem t’i vlerësoni të gjorët që s’janë më, jo nga ngjyrat që i vuri diktatura a kushdo tjetër, por me të vërtetën se a përfitoi diçka Shqipëria, a përfituam ne diçka nga bëmat e tyre?
Ah, kush e bëri Shqipërinë, ka shtete si Izraeli që u bënë, do thotë dikush, nga fuqitë e mëdha, bile palestinezët e egjyptianët do thonë arbitrarisht, se toka qe e tyre. Po shko pyeti izraelitët për këtë, të hidhen në fyt dhe një 5 – vjeçar di të japë përgjigje, jo në Izrael por në mes të Amerikës, e jo vetëm kaq por kur të rritet pagezohet atje dhe vete bën shërbimin ushtarak atje, në atdhenë e të parëve, (kur edhe prindërit kanë lindur në SHBA), ku dhe mund të vritet. Kjo bëhet në shekullin e XXI, pse nuk e bëjmë dhe ne? Pse, se ish një popull që derdhi gjak me fjalën dhe ëndrrën e tyre, që i rrëmbeu dhe i bëri për vete. Pyesni francezët për këtë që sa shumë gjak derdhën për Republikën dhe vlerat e tyre njerëzore, pikërisht atë drejtësi, barazi që mundohemi të gjejmë, si ata, edhe sot. Ja pse! Janë idetë që personi sjell, se sa vetë personi, që na duhet ne për ta bërë pjesë e së vërtetës që jetojmë (realitetit).
P.S. Nuk besoj pas rënies së çdo diktature që vlerat kombëtare të përçmohen në emër të lirisë, ishte pikërisht në Athinën e parë demokratike ku dhe lindi kombi dhe patriotizmi që provon të kundërtën, është në liri që mbrojtja e kombit ka më shumë vlere, aq më tepër kur është pjesë e pandarë e lirisë së vetes. Kjo duhet të jetë qendra e përpjekjeve tona ndaj brezave që vinë, jo t’u mësojmë të pavërteta, por se si të zgjedhin mbi të gjitha atë që ata bënë për kombin e tyre dhe të jenë krenarë për të, që kur të vijë koha e nevoja, prapë të parin të zgjedhin atë, kombin, gjakun e identitetit të tyre.