Albspirit

Media/News/Publishing

‘Klubi i Poezisë’, pelegrinazh shkrimtarësh në Shkodër për Padre Anton Harapi dhe Dom Ndre Zadeja

 

 

XHEVAIR LLESHI: JO, ASNJËHERË S’KA KOHË TË PËRSHTATSHME!

 

 

Ishte dita e pelegrinazhit në Shkodër. I nxehtë korriku. Shkrimtarë nga Tirana, vise të tjera dhe nga Shkodra, udhëtojnë drejt varrezës katolike të Rrmajit në Shkodër. Organizatorët – ‘Klubi i Poezisë’, Rexhep Shahu, i mbështetur financiarisht nga deputeti i Partisë Demokratikepër qarkun e Kukësit, Flamur Hoxha, janë si në ethe. Në Shkodër në orën njëmbëdhjetë pa dhjetë na prisnin te varrezat katolike. Njerëzit janë në platformën e hyrjes qendrore nën kolonat romake dhe shqiptonin sekretet dhe dëshirat e vuajtura. Nuk di pse më shoqërontenjë ankth sfilitës. Dhe çuditërisht filloi të fryjë një fllad që zbriste nga Alpet e që mbetej mbi rrafshin e liqenit. Ishte fshirë vapa si me magji.

Ulërima e brendshme më ngacmonte si për të vënë në binarë një padrejtësi të tmerrshme mbi jetën e njeriut. Ushtri e sharlatanëve, një ‘modernizëm’ i mykur që dukej sikur vinte prej perëndimit, se këtu duhej përdorur druri, kërbaçi dhuna e paparë, e egër, duke kërkuar vetëm nënshtrim, përulje… E di, Shkodra këtë nuk do ta duronte dot!

Një qivur i thjeshtë, i ngrënë nga era, shirat, po edhe dhimbja. Dom Ndre Zadeja. Një foto e vjetruar, por që nuk na kursente asgjë njerëzore. U tubuan rreth tij shkrimtarët e ardhur nga larg, për të nderuar shkrimtarin martir. A mund ta thoshe këtë dikush kaq ftohtë dhe fare qetësisht?

Mos edhe në këto raste futeshim në hulli ku mund të të mbyste skema dhe klishe të ndryshkura… Por jo, nuk ndodhi kështu. Era e preu buzën. Fjalët dhe thirrjet poetike të Rexhep Shahut dukeshin përbetime të tilla që thoshin gjithçka prej malli, ngutshëm dhe bukur, pa thënë më asgjë të tepërt. Kishte kaluar një jetë e ngrirë, sikur të ishte shtyrë në arktik, shndërruar në një çoroditje, vetmi, frikë, por që ngelën aty përjetësisht. Vetëm ky ritual të bëhej në rregull, se pastaj të gjithë mund të largoheshin me një lloj krenarie të rigjallëruar. Dielli, mesdita e korrikut, frika se mos teprohej as atëherë kur filloi rrëfimin Zija Vukaj, për t’iu gëzuar edhe ndenjes më gjatë, edhe fjalëve të ndjera, po edhe një përbetimi të brendshëm. Sa larg që ndiheshim nga vendi i krimit! Sa afër me shpirtin e këtij burri të rrallë…

Kumti në Shkodër gjithnjë vinte në mënyrën më të çuditshme. As më telefon, as me shkresë të posaçme, as me urdhër për t’u paraqitur urgjentisht në kupolë, ku dihet çfarë të pret. Ata që zotëronin fatin dhe lojën, kumti vinte si e qeshur e zezë. Krejt papritur, në një orë të pa njoftuar, ato do t’i sillte gjithnjë një njëri i rëndomtë. Nuk shtrembëroheshin vetëm fjalët, po edhe ngjyrat, zërat, e përbindshmja, dhimbja e madhe, që i bënin edhe Alpet të ulnin kryet që kurrë nuk e patën ndierë këtë aq thellë. Vinte ajo që kish kërkuar të shembte Dom Ndre Zadeja, njeriu, prelati, njeriu i qeshur e i drithëruar, magjia e së vërtetës. Ai shoqërohej me këdo që ndeshte në rrugë, i shikonte që larg kasnecët që jepnin kushtrimin me gjeste të hatashme, sepse, tek e fundit, e dinin të gjithë që nën zhgunin e komunizmit ishte fundi i botës. Hapeshin portat e shpirtit radhë-radhë, e madhja në fillim, të tjerat njëra pas tjetrës, sikur t’i hapte era, furtuna dhe njerëzit befas ngriheshin në këmbë, me një flakë drithëruese si për të ndezur zjarre të jashtëzakonshëm… Kështu po, mund të largoheshe nga varri i vjetruar i këtij njeriu të madh. Po pse na u duk aq i afërt, aq i bukur dhe i dhembshur? Pse? Edhe Frano Kullit po kështu… Me këtë ndjesi mund të largoheshim edhe ne.

Por nuk di pse të mbetet koka pas! Ai njeri të ngulitej thellë në mendimin tënd, për veprën që ka shkruar dhe për qëndrimin burrëror. Na dukej se edhe Shkodra vetë s’pranonte më pyetje, dukej sikur qe ngopur prej tyre dhe ndihej e gatshme të asgjësonte e të mbulonte në hijet e largëta edhe pamjen e huajtur mjeshtërisht nga e vërteta, herë e ftohtë e pa pikë gjaku, që vjene ngrysur bujshëm, sikur rezervon një ndëshkim të rëndë për këdo, po edhe me një grimë gjesti të tejskajshëm që vë në alarm edhe malet hijerënda përreth dhe, si kurdoherë, qëndron nën një shenjë të llahtarshme, por megjithatë e patrembur. Pikërisht kjo përshtypje të krijohet duke parë me një lloj admirimi të thellë Shkodrën, pikërisht Shkodrën që i mban kurdoherë sytë nga malet…

…Po shkonim në Shirokë. Kujtime të vjetra ekskursionesh, po edhe kërkime intimiteti. Bajram Karabolli më thoshte që t’ia gjeja unë ishullin e tij të vetmuar në liqen, të cilin nuk po e gjente dot më. Si mund të qe zhdukur ishulli i ëndrrave të vjetra rinore, kur ai dhe shoku i tij i shkollës mbaheshin fort te njëri-tjetri, duke ushqyer dëshirën e çmendur për t’u arratisur. E mbante mend në kthimin e trishtuar se i kishte parë të gjithë një për një në fytyrë, kishte pritur të hapnin gojën, po ata më tepër e kishin shtrënguar, në mënyrë që të ndihej në morsë. Do të vinin britma, pezm e tërsëllëm. Kështu, i qenë përgjigjur me shikim të gjithëve, pa u menduar më gjatë. Ai kishte ikur. Mjaftonte mendimi. Dhe kështu do të ndihej gjatë gjithë jetës. Fqinji në autobus belbëzonte, duke sjellë nëpër mend raste të ngjashëm. Dikush komentonte një ngjarje të vjetër në Shirokë. Shprehje të arta të shkodranëve, parabola, anekdota, që edhe më fort godisnin në shenjën e jetës aktuale, me spikatje mërzie, kripe politike dhe ‘hazdisje’ ekonomike. Vetëm krapët e Shirokës s’e prishnin qetësinë! Dhe në atë vërejtje vinte një shenjë e vogël për ta bërë punën e shkodranëve sa më të sofistikuar e tejet të rëndësishme.

Në një moment tjetër Zija Vukaj thoshte: Nën hijen e rrapeve, qetësinë e liqenit dhe të moteve lindi këtu në Shirokë (1888) Pater Anton Harapi, njeriu i madh i Shkodrës dhe një nga të mëdhenjtë e Shqipërisë, me sytë e kthjellët, të shkruar dhe të kaltër si vetë liqeni. Do të vinte dita që t’iu këndonte himn atdheut, të lutej për të bërë vetëm punë të bukura, t’u jepte të gjithëve mungesat, madje edhe të tallej me armikun. Më fort ,më fort, thërriste me një ndjenjë të panginjur dëshire të zjarrtë. Entuziazmi i kësaj rëndësie që fitonte papritur e bënte të ndihej krejt ndryshe. Madje do ta shënonte atë si një sekuencë delikate të jetës, sidoqë edhe dhunshëm bëheshintë ndërlikuara dhe të zbrazëta…

Kolaboracionist, bashkëpunëtor me pushtuesit, e quajtën komunistët, madje duke i ngjitur edhe plot epitete, bashibozuk, spiun, pizeveng. Pa fund. Madje e thanë që ai ishte Marsi vetë. Marsi i Shirokës. Marsi, në luftë, kur armiku pëson disfata të mëdha. O ç’tmerr! Marsi puthej buzë më buzë me një afsh e dalldi jo prej ideali, po prej njeriu, shtoi Bujar Balliu. Kurse poetët me ndjeshmëri të lartë të Lezhës qeshnin nën buzë. E tepruan, vallë? Jo! Afër tyre kumbonte një muzikë rrënqethëse, qiell i pastër veror, fjalë të ëmbla dashurie…

Jo, as tani nuk qenkej koha e përshtatshme! Kjo klithmë e Patër Anton Harapit kumbonte fort. Do ta dëgjonim në kishën e Shirokës, nën gjëmimet e harmonizuara të korit, liqenit dhe Taraboshit me një nxehtësi të këndshme, domethënë që durohej për shkak të flladit që aty në Shirokë kuptohej se vinte nga madhështia e liqenit… Mund të dilje përjashta. Le të psherëtinte salla e kishës. Hijet nuk i ndiqte më njëri.

Buzëqeshja e lehtë e një prej stërnipave të Pater Anton Harapit, ndihej sikur t’i qe kujtuar diçka e këndshme të gjithëve. Aty jashtë të rrëmbente dalldia e liqenit, flladi ledhatues që i përthithte shpirtrat. Aty sikur kërcisteguri i plasur i bardhë i Taraboshtit. Mos ishte dhimbjae gurit për atë njeri të fisëm? Përsëri Zija Vukaj që të thuash të drejtën u kishte kushtuar jetën me nderim të thellë dy korifejve, po edhe trashëgimisë së ethshme të Shkodrës. Një çast u duk sikur fjala e tij u mblodh kruspull, sikur të kishte fryrë acari. Ai po bënte kohë që ta merrte hijen këtej e zemrën ta mbante andej. Andej, nga? I donte ata, njerëzit, edhe shkrimtarët e ardhur, edhe Sokol Pepkolajn e drithëruar dhe aq pranë Alpeve të tij, të cilëve u përkushtonte subjektete romaneve që shkruante pa pra’ e që sikur donin ta korruptonin, ta merrnin më të mirë, t’i sillnin dhurata nga Alpet, ujët e kristaltë dhe dëborën madhështore, po edhe me tradhti të vogël. Le të ishte edhe vëllai i vetëm. Histori të bukura ato të Alpeve dhe të Sokolit. Shumë faleminderit, Zija Vukaj.

Bujar Balliu dukej se aty në Shirokë ndiente shtrëngimin e diçkaje në zemër, një si dhimbje e dashur. Liqeni? Po, tek ai zbriste Pogradeci, liqeri, ai tjetri mes malesh, me pamje tronditëse. Shikonte atë më tepër, atë që s’lëvizte, ndoshta flinte, po edhe mund të qe humbur dhe në kujtimet e luftës së vjetër me në qendër Pater Anton Harapin. Asgjë s’ mund të pipëtinte. Sikur të mos ndodhej njeri në kishë…

E, ndërkohë s’mund të rrinte i mënjanuar Izet Duraku, me zë të shtruar dhe i qetë. Pastaj në fjalët e tij zunë vend bastisjet, përndjekjet, pushkatimet. Këtu u frenuan duartrokitjet dhe shpërthyen pasthirrmat. Entuziazëm i brishtë, po edhe një çlirim i madh. Dielli dhe flladi dukeshin të kënaqur me balancën e motit. A do të ndërronteai? Pse jo. Drejt ndryshimit shkonim. Opingat e grisura të së vjetrës dukeshin të përthyera në shpirt… Aty pranë sogjetonte Njeriu i Kishës dhe i Shpirtit,  Padre Anton Harapi, shkrimtari, politikani, atdhetari…

Përshëndetje, zëra të ngrohtë, shkëlqim mesdite, kumbim i korit natyror e njerëzor në sfondin e përshpirtjes. Të bëhej një lëmsh i madh më të thëna e të pathëna, me gjendje si në jerm dhe me të pathëna, pandehma, që patjetër duhej t’i merrje më mend. Dhe shfaqeja i, Njeriu i Kishës dhe e Shpirtit, me zërin e regjistruar në sfond. Fjala e atij Njeriu! Dashuri, ethe, energji e rrallë, ngrohje shpirti dhe therje dhembshurie… Më në fund u hapën dyert. S’ka më asnjë dyshim, por endet kujdes aty-këtu, por natyrisht që duhet gjakftohtësi… buzëqeshjet e rrugës. Sa rrallë që vjen! Megjithatë po ashtu mund të vijnë edhe ngërdheshjet trashanike që disa herë mund të cilësohen si buzëqeshjet më të jashtëzakonshme. Kështu ndodhi në mesditën e Shirokës, në kishën e saj të mahnitshme. Madje ashtu duhet të ishin buzëqeshjet. Për herë të parë i ndodhte kjo dhe Rexhep Shahut, që thoshte se s’gabonte kurrë. As me këto pelegrinazhet dhe nderimet e merituara, po edhe me përulje të thellë ndaj shkrimtarëve martirë… Dhe gjithnjë nuk harronte kurrë t’i ishte mirënjohës atij që ia mundësonte këtë pelegrinazh, pa lënë asgjë mangët… Flamur Hoxha, deputeti dhe njeriu i veçantë, që dinte t’i respektonte vetëdijshëm krijuesit…

Dukej se ky pelegrinazh ishte një kokëkrisje e vullnetshme, një dashuri tërësore, po dhe një ëndërr e vjetër. Më në fund kishim një mundësi reale të shprehnim nderimin e madh, madje me një timbër prej bronzi dhe ari, si një stuhi e fshehur në shpirtra, që kushdo e shihte me mend e që u mungonte gjithnjë. Më bëri përshtypje të thellë që shkrodranët e dinin që ne do të ishin në Rrmaj e në Shirokë. Ky lajm do të përhapej si fllad i liqenit në qytet. Ai është një qytet i lashtë. Ende i dëgjon të gjalla vërshëllimat e plumbave që pushkatuan martirët. I përmendur për gratë, muzikën dhe elegancën perëndimore. Kështjella,deti, liqeni, tre lumenj dhe Alpet që ia bënin me sy edhe me dëborën e përjetshme. Shtëpitë me porta të mëdha e mure të lartë prej guri ishin të mbushura me lule dhe diell shoqëruar me fllad. Aty kishte pasur gjithmonë poetë të mëdhenj. Dhe aty ku ka poetë ka dhe priftërinj…

Në Shkodrën e muzikës ka gjithnjë dritë, freski e lule. Në Shkodrën e maleve kreshnike gjithnjë ka stuhi. Në Shkodër vjen gjëmimi dhe përkëdhelja e detit. Shkodra e liqenit që dhuron dashuri. Shkodra e Drinit, Bunës e Kirit. Shkodra si një buzëqeshje e rrallë që nuk të largohet kurrë nga mendja. Më në fund njerëzit e hapur, interesimi i tyre i madh, aty ku ariet këndoheshin dhe këndohen në rrugët e mahnitshme të qytetit, aty ku liqeni të dhuron një shpirt përplot dëshirë, mbi të cilin skifterët fluturojnë ulët. Aty dëgjon plot ndjenjë melodi të rralla. Po amatorët e zellshëm shkodranë që i gjen kudo dhe për çdo gjë nuk di pse të bëjnë për vete? Ndoshta për karnavalet, kur del banda në qytet, edhe një gjë e pagdhendur s’di sesi ngrihet në art, saqë nuk i ndjeje fare stonaturat. Stonaturat? E ku ka të tilla, Shkodra?

Po e shikoja në sy Shkodrën, buzëqeshjen e saj, nervozitetin e hijshëm gjithë kohën. Shkodra ishte dhe është kurdoherë në prova të përgjithshme artistike, politike, estradeske, ajo i sheh të gjithë të shkurtër, me vështrim stoik nga malet dhe dashuror ndaj liqenit. Nuk mund të thuash kurrë që Shkodra dhe njerëzit e saj, martirët e saj, të pushkatuarit e mëdhenj nga komunizmi, nuk është kurrë një vend që s’bie fort në sy. Përkundrazi. Shkodra vë partiturat në palitër dhe pret më kokën poshtë të lëvizë baketin dirigjenti. Kushedi si i rreh zemra Shkodrës, tha poeti Sadik Bejko. Sallat e saj dhe stadiumet mbushen plot. Shpirti poetik i Shkodrës gëlon dhe më tej gjëmon. Edhe Patër Anton Harapi është aty, çdo çast. Edhe Dom Ndre Zadeja. Edhe… Eh! E pamundur t’i numërosh, thjesht e pamundur! I shprehur edhe nga vullneti i nderimit që u bëhet shkrimtarëve martirë. Të mëdhenjtë e muzikës janë aty, profesorët me diploma të universiteteve e konservatoreve të famshëm të Evropës, krejt mosbesues dhe të palëkundur në instinktin e tyre për dështimin e plotë të sundimtarëve. Askush në Shkodër nuk merr mundimin të parashikojë një shkatërrim të bujshëm të vlerave, Shkodra nuk t’i thyen hundët kurrë edhe para spektatorit të saj të dashur. Shkodra interpreton me dashuri të rrallë dhe mbetet kurdoherë e mahnitur këngët e saj të kthyera në arie, të ëmbla e të thjeshta… E tillë ka qenë, e tillë do të jetë kurdoherë. S’ka qytet tjetër si Shkodra! Teksa largoheshim me dy shkrimtarët martirë në zemër, e shikonim më me adhurim, sa ajo – na dukej – ndjente një mëdyshje të madhe, hem frike nga dështimi, hem ngashënjimi nga lavdia. Të dyja një strukturë e konsoliduar dhe e rrallë.

Sa më shumë largohemi prej saj na duket se ajo e lë baketin mbi pod dhe iu afrohet me të shpejtë miqve. Mos ikni sot, rrini, mirë se na kini ardhë, ju duam shumë dhe mbi të gjitha ju nderojmë shumë, ju mbajmë në prehër dhe do të jemi në zemrën tuaj të madhe. Sa të madhe do ta ketë zemrën Shkodra?… Qeshim.

Perdja ra. Ishte padyshim një sukses i jashtëzakonshëm. Do të kujtonim në largim e sipër, sa hymë në kafen e madhe të qytetit dhe orkestra do të luante një uverturë mikpritëse. Shkodra shfaqte rubinin e këngëve të saj! Kjo nuk mund të ishte e çuditshme. Populli këndonte me shpirt dashurinë dhe ruante në shpirt historinë. Martirët në zemër e në kujtesë. A nuk qe vërtet një mrekulli? Zot, po tani, a do të vazhdojë gjatë gëzimi? Bukuroshka e Shqipërisë, Shkodra, interpreton jetën e saj me të gjitha pamjet. Shpirti i saj delikat, nuk është asnjëherë i pamundur. Por shpirti shkodran qan ende me ngashërim. Ai t’i merr duart, të shikon në sy me pikëllim. Kohët e Shkodrës për ne janë madhështore.

Edhe pse duke u larguar na dukej sikur po afronte koha e një premiere tjetër, e një pelegrinazhi të ri. Pikërisht kjo e sotmja ishte një ditë shfaqjeje e dashurisë dhe ndjenjës së thellë të respektit. Në kujtesë, e rrethuar nga admiruesit e shumtë, Shkodra dukej tejet e tronditur, sepse asnjë nga miqtë e saj me të cilët kishte punuar për ditët e saj të bukura, nuk ishte nxitur rrëmbyeshëm, as edhe nga një mall i madh. Dhe të panjohurit shpesh pëshpëritin fjalë dashurie.

Shkodra qëndron atje krenare dhe magjepsëse çuditërisht me sytë plot lot. Çfarë qyteti! Ndaj dhe pelegrinazhi ynë s’do të kishte kuptim në një tjetër vend për martirët…

Tiranë, më 28 korrik 2022

https://exlibris.al/wp-content/uploads/2022/07/EXLIBRIS_192.pdf

Please follow and like us: