Miho Gjini: DUKE KUJTUAR ESTRADËN E SARANDËS
Në 60-vjetorin e krijimit
Një botim të rrallë që do ta quaja “të begatë” këtë libër të regjisorit Vangjel Agora, nën përkujdesjen e prof. dr. Josif Papagjonit, ndërkohë që “perdja” e tyre është mbyllur padrejtësisht, një herë e përgjithmonë. Ato lindën e u rritën nën stresin e asaj periudhe shtrënguese, kur e qeshura qe “varrosur” e publiku i donte e i kërkonte me domosdo estradat, si e vetmja kënaqësi çlodhëse, ndërkohë që “litari” i propogandës e i ideologjizmës njëpartiake, shtrëngohej sa vente e më shumë në “fytin” e njerëzve. Dhe errdhi, më në fund, “asfiksia” e tyre, tek Partia i monopolizoi edhe ato, duke i quajtur “Leva të Partisë” e që do të mbylleshin përfundimisht, kur “aguan ditë më të mira”, pas përmbysje së Shtetit të Diktaturës, për të shkuar në varrezat e asgjësë!… Do ta quaja të trishtueshme, për to e për popullin që i pëlqente, si të vetmin dëfrim të kohës, mandej, duke mos lënë mbi sipërfaqe të tokës shqiptare, asnjë syresh, si art e zhanër sintetik, që bashkonte përmes humorit e satirës që të gjitha artet e tjera, në një shtjellim, po kaq të këndshëm problemor e artistik, me kohën që rridhte e ecte, megjithatë, më ngadalë, pa liri krijimi, shoqëruar edhe “me doganë”. Kur, sido që ishin, me kritikën që bënin përnatë e parreshtur, luanin edhe rolin e njëfarë “Opozite”, teksa ajo thuajse nuk egzistonte! Edhe pse nuk kishim të bënim përherë me “zeje ari”!
Ata e kanë quajtur librin e tyre “AROMA E NJË KOHE QË PO IKËN”, sepse vërtetë që kështu qe, si një “aromë” që të vjen në hundë, mësohesh me të dhe befas ajo të ikën e nuk e ke më. Të 15 estradat profesioniste të vendit “mbyllen me urdhër nga lartë”(!?), pa lënë asnjë për “be e për shenjë” si art i veçantë, që duhej të ecte e të lulëzonte në “kushtet e reja” të tranzicionit të shtetit demokratik, kur shtetet e tjera, i kishin ruajtur disa syresh, të përafërta me këtë gjini arti shpotitës e dëfryes njëherësh, sikundër janë: teatrot e komedisë, të varietesë, të Musik Hall-eve, të vodevileve e të operetave gazmore. Vetëm në keyqytetin e një vendi ish komunist (si Polonia), në Varshavë numërohen tani 47 teatro të tilla, ndërsa në një shtet me mbretëri të trashëguar, si Greqia, në kryeqytetin e saj në Athinë, qëndron i hijshëm e madhështor TEATRI KOMBËTAR, qysh prej 150 vitesh, ndërsa nëpër rrugicat e Athinës, ka sot me qindra teatro private, të të gjitha funksioneve e gjinive të tyre! Kur ne nuk kemi asnjë syresh! Kemi vetëm një “projekt” të mbërthyer edhe ai “për fyti” nga politika grinjare! Dhe një LIBËR të shkruar si ky,- si shembëlltyra e vetme e më e qëndrueshme për Estradën e Sarandës, që u krijua në vitin 1962 dhe u “varros” kur digjej shteti përsëri, më 1977-ën! Që na “vjen ndryshe”, pra si libër, atëhere kur nuk e prisnim, në 60-vjetorin e krijimit e në 25-vjetorin e “varrimit”! Me 384 faqe e me 410 fotografi të rralla, 60 prej të cilave janë me ngjyra, e duken si “të gjalla”, në nje botim luksoz të “TOENËS”. Duke ruajtur, jo vetëm rendin kronologjik, po edhe “ngjyrimin kohor”, bile edhe atë analitik, brenda asaj “kornize” kufizuese e përherë shtrënguese…
Dhe tani kemi vetëm një “dëshmi”të spektakleve të saj fort të këndshme, këtë libër të mrekullueshm, që nuk e ka asnjë institucion skenik, me përvojë edhe më të gjatë, sikundër janë ato 6 teatrot e Dramës e ai i “Operës dhe i Baletit”. Si një jetëshkrim artistik e njerëzor! Ndofta edhe nga që botimet e këtij lloji quhen “të tepërta” e nuk financohen, po edhe nga që studiuesit e kritikët e zhanrit në fjalë, numërohen me “gisht” e janë bërë “të papërfillshëm”, nga vetë natyra e një shteti “të varfër” e me “tranzicionin më të gjatë në BOTË”. Tepër të lodhshëm! Çuditërisht brenda e jashtë Europës!? Si edhe me disa drejtues arti e kulture, që vihen në krye të këtyre institucioneve, sipas profileve të politkës, pa le të jenë si “personazhe komedie e estrade”, si ai Ministri i Kulturës që nuk dinte ku ndodhen eshtrat e Ismail Qemalit e do i kërkonte “në hava”, si të ishte me të vërtetë një “personazh estrade”, apo si ai Drejtori i Teatrit Kombëtar, që i vajta unë me 6 botime monografike të artistëve themeltarë e me një libër me 10 portrete të këtij Teatri Qëndror, për t’i promovuar dhe përtonte që të çohej nga “kolltuku partiak”, qofë edhe të më përgjigjej, apo të krrente nga goja një “fjalë falenderimi”, si ajo që e donte Alaksandër Filimoni i komedisë “Njeriu që pa vdekjen me sy”(!), pasi kishte bërë një “gjest filantropik fisnikërie”?! Dhe, sa herë ndërrohej kabineti qeveritar, ndërroheshin edhe drejtorët e Teatrit, mjaftonte të qe dukur ai në ndonjë skenë filmi a të kishte marrë pjesë në ndonjë demostrim partiak “FARSESK”! Që të mos kishim afro 10 drejtorë “kukulla”, po vetëm një e të saktë, gjatë gjithë kësaj “periudhe të lodhshme”, me “ndreqje e prishje”!
Por le t’i “lëmë mënjanë paradokset” dhe të themi dy fjalë për Vangjel Agorën e mikun tim Papagjoni që sapo na sollën, një nga këto libra me vlerë për një “art tashmë të ikur”! Si sarandiot që jam dhe unë, është e pamundur të mos kem ndjesi, nderim e kujtime, për atë grupim artistik të njëhershëm që nuk është më, po që la gjurmë në buzëqeshjen e banorëve të saj. Se kjo natyrësi kishte të bënte me një profilizim interesant, kur ajo po merrte fatlumërisht një drejtim tjetër, ndërkohë që shumica e estradave të rretheve, kishin marrë njëfarë uniformiteti standard të strukturës dhe të fizionomisë së tyre, me një gërshetim të rëndomtë e pa fantazi krijuese midis të ashtuquajturave “gjini të vogëla”, sikundër ishin: skeçet, dialoget, monologjet humoristike, paroditë dhe këngët e të gjitha llojeve (pa asnjë” doganë”)! Ky uniformitet amatorizmi, rëndohej kur ato u politizuan e u ideologjizuan skajshëm , duke kërkur prej tyre, nga “Lartë”që të jenë si “gazeta folëse të partisë”, si edhe të ndjehej më së shumti, nëpër skeçe e kudo, prania e “personazheve pozitiv”, si propogandë direkte, duke e atrofizuar të qeshurën me moralin e tepërt e deklarimet e PPSH-së! Pikërisht në këtë kohë, pas regjisorit të parë amator Taqo Lepuri, errdhi këtu regjisori Thoma Milaj, që kishte mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë dhe që vetë si njeri ishte mjaft gazmor e kishte, jo vetëm nivel artistik, por edhe prirje humoristike. Mandej dhe më një nuhatje bashkëkohëse. Qoftë edhe “vjedhurazi”, nëpërmjet atyre “kanaçeve” që thithnin përnatë emisionet e huaja televizive e të artistëve të tyre që “mallkoheshin ditën”! Thoma Milaj nuk mund t’i shihte aq “seriozisht gjërat”, ndryshimet dhe futjen direkte të propogandës në artin e estradës, duke i dhënë asaj një fizionomi vodevileske, me parodi, skeçe të kënduara , këngë të muzikës së lehtë, në një mbështetje harmonike me ato të dirigjentit Thoma Gjoni, i cili nuk qe vetëm nje fisarmoniçist virtuoz, po edhe kompozitor me një kolorit vendor. Pati kështu, njëfarë “rrëshqitje” të lezetshme, nga trajta deklarative e gjinisë në fjalë. Me mënçuri e artin bashkë!Po edhe me mbështetjen e disa aktorëve me talent e me prirje muzikore të vokalit të tyre , sikundër ishte Theofil Haxhijani në rradhën e parë, me bashkëshorten aktore, -të cilët krijuan duetin e tyre të preferuar nga artdashësit e Sarandës e kudo që venin për të dhënë shfaqje, në krejt vëndin tonë. Po edhe me Polikseni Hajdhin, “shpuzë të gjallë”, vajzën e Lukovës, të lindur si aktore e këngëtare, me vokal e potencë aktrimi që këndonte krejt lirshëm edhe dueto me Masarin, Delvinjotin e këndshëm të ahengjeve. Njëkohësisht, kishin qëlluar po kaq të këndshëm e muzikor edhe aktorët Yllo Martiko, Lekë Mosi, Myfit Braja, Haki Spaho e sidomos dy metroshi Jorgo Nano, të cilët do t’i hijeshonte edhe prania e një aktoreje të mëvonshme si Pranvera Braja, e saktë, me diksion të bukur dhe mjaftë e figurëshme. Me këta artistë, u vazhdua drejtë krijimit të dy komedive muzikore dhe të një operete gazmore.Si edhe me një piktor-skenograf elegant si Lefter Çeko… Po merrte jetë arti i vërtetë i gjinisë së estradës e po gjallërohej i gjithë qyteti i Sarandës. Bile mezi e prisnin atë në gjithë vëndin! Por do të ndodhte si ajo që thoshnin dhe për Hegelin që:”bashkë me ujin e qelbur të govatës, derdhi edhe fëmijën”!
Ndër bisedat e mia me kolegun tim të kritikës, Josif Papagjonin, kemi kujtuar shpesh edhe rolin e tij së aktor, parodist e kitarist, po me von edhe si regjisor i kësaj trupe që në fillimet e saj, kur pati edhe kontributin e rëndësishm Taqo Lepuri, sikundër e thamë më lartë, i cili më pas do të merrej me krijimin e Teatrit të Kukllave, ku do të aktivizohej edhe poeti i ndjerë Valter Qesari,-nip Piqerasiot, të cilin do ta takoja disa dekada më vonë në New York, duke më folur me veneracion për rolin e veçantë të tij me artin e kukllave, me plotë pasion. Do të kujtonim kështu edhe fillimet e Luiza Papathanasit (Xhuvani) si aktore, e cila do të shkëlqente vite më vone në skenat tona të teatrove dhe në kinematografi, si artiste brilante aktrimi, po edhe Irini Qiriakon si këngëtare virtuoze të këngëve tona popullore të Jugut, me të cilën mburemi shpesh herë që është e jona , Sarandiotia, po edhe unë që i kam dhënë mësime aktrimi e kulture në Akademinë e Arteve, ashtu si edhe Sarandiotit tjetër, me profil të mëvetshëm, aktorit nga Mesopotami, Karafil Shena, i cili interpretoi shume vite ne Teatrin “A. Moisiu” të Durrësit e në skena të tjera, si edhe në ato të Athinës, ku dhe emigroi, duke punuar, po edhe duke krijuar e fiksuar në kinematografinë e të dya vëndeve njëherësh role të spikatura, si edhe duke u rrikthyer përsëri po andejë nga u nisë në rininë e vetë , në skenën e Sarandës së tij. Pa e harruar edhe ish nxënësin tim të Shkollës së Mesme të Kulturës, Anastas Nika që ishte e mbeti në Sarandë, pasionant e ëndrrimtar si gjithmonë, me veçantin e tij të spikatur, si edhe me ato interpretime të frymëzuara të fjalës shqipe, në skenë , po dhe ndër Video Clip-e. Si edhe përfundimisht , duke arrdhur në rolin e rëndësishm të Vangjel Agorës, aktor e regjisor njëkohësisht, prezantues dinjitoz dhe folës i intonuar hijshëm në TV “JONI” , i cili e mori se fundi drejtimin e kësaj trupe të suksesëshme estrade, duke vazhduar më tejë edhe punën regjisoriale të Thoma Milajit energjik e me plotë fantazi krijuese, përmes prurjeve të tij të një gjinie gazmore të tipizuar e profilizuar bukur, sikundër qe në kohën e vetë Estrada e Sarandës, e cila la gjurmët e saj në zhvillimet e mëtejshme të kësaj gjinie shume të dashur për popullin tonë, deri në shuarjen e tyre, fort të gabuar në dekadat e mëvonëshme, pak kohë më përpara se të “shuhej “edhe vetë, para kohe, ky regjisor i talentuar nga Gjirokastra, shoku im intim, nga më të dashurit e Shkollës së Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”.
Me nostalgji kujtoj tani triumfin gazmor të Estradës së Sarandës!… Dikur kam shërbyer në Dikasterin përkatës si Inspektor i Përgjithshëm i Teatrove dhe Estradave të Republikës dhe e ndjeja veten më pranë kësaj estrade e të asaj të Vlorës që ngjanin sikur të ishin dy “motërza”. Ato dallohehin nga të tjerat për koloritin jugor, ritmikën, temperamentin, humorin lab të drejtëpërdrejtë dhe muzikalitetin. Këta artistë të qytetit tim sillnin shpesh këtu kompozitorin Agim Prodani, i cili u lidhë me trupën simpatike, për krijimin e dy komedive muzikore e të një operete… Dhe mbaj mënd se, një herë errdha nga Tirana bashkë me të në Sarandë, fjetëm në të njëjtin Hotel dhe në të njejtën dhomë, kur ai “flinte” me partiturat e tij nën jastëk që i kishte muzikuar, përmes një teksti Komedie Muzikore të Enver Isufit, i cili qe i pranishm thuajse në të gjitha tekstet satiro-humoristike të kësaj trupe gazmore… Ajo ka qënë një natë e çuditëshme e pa gjum, si për Agimin, ashtu edhe për mua, sidomos kur ai mbulonte kokën me batanije afër mesnatës që të mos më bezdiste dhe mërmëriste meloditë e këndëshme që kishte krijuar e, befas, e hidhte batanien përpjetë duke thirrur: “E gjeta… e gjeta” , si te ishte Arkimedi në Greqinë e lashtë…
Ja që ndodhte edhe kështu, kur arti i vërtetë i linte ndjeshëm gjurmët e veta tek artista që e donin dhe që ishin gati edhe të vdisnin për të…Po tani ku janë vallë? Pas “mbylljes së perdeve” të estradave, artistët e saj mbetën rrugëve, trishtueshm, disa vdiqën para kohe, pak prej tyre “depërtuan” në emisionet televizive “të çoroditur”, pa drejtues profili e rrallë herë edhe nëpër teatrot dramatike. Po shumica do të”shuheshin”vetiu, bashkë me artin e preferuar që e patën, si ata, edhe publiku i tyre. Katër prej tyre, që i njihja mirë, në afërsi, dhe i vlerësoja si artista të mëvetshëm e me plotë talent të këtij arti të vështirë, po reflektar, me anë të së qeshurës, që nuk e bënin dot kush më mrë e më lirshëm se ata, ndodhen të shpërndarë nëpër BOTË, si në eterin e kohrave. Dhimbshëm…Artisti i mrekullueshm i kësaj estrade, me plot talent si parodist e kupletist, po edh si aktor komedie, vodevili e operete, Theofil Haxhijani, është shndërruar në një Babysitter në familjn e vet, aktori virtuoz Karafil Shena në një servitor i shkathët restauranti, me shkëputje për të interpretuar edhe role, kur e thërresin kineastët Grekë e Shqiptarë, dirigjenti i talentuar Thoma Gjoni,-me të cilin pimë nganjëhere kafe në Athinë, ku ndodhemi që të tre, është i vrarë shpirtërisht e kujton parreshtur kohën kur e çuan edhe atë të “riedukohej”në prodhim, ca administrator profan e partiak të asaj kohe, një soliste e kësaj estrade ,që errdhi këtu, për të përballuar jetën, së cilës nuk po i’a përmend emrin, përfundoi nëpër Buzuqet Greke…Por fatin më të dhimbshëm do ta kishte këngëtaria e Aktoria ,në të njejtën kohë, Polikseni Hajdhi, që do të digjej e gjallë në shtëpinë e saj në Shkodër, -ku vajti edhe ajo, për një jetë më të mirë dhe u martua aty, pa mundur ta gëzonte familjen , fëmijët që pati , po edhe artin e saj shkëlqenjës, prej nje aksidenti krejt të rastësishm , po tepër të zakonshëm të jetës së realitetit në Shqipërinë tonë…Kur të ikën edhe jeta vet, si pa u kuptuar aspak…E që rallë herë, do të ndodhë si me sedrën krijuese të Theofil Haxhijanit, i cili , si një “DADO I MIRË” i mblodhi gjithë “krijesat e veta” në një libër, apo si Vangjel Agora që i ruajti kujtimet e tij, me po ato emocione të fillimeve të tyre të shënjtëruara e i rradhiti në këtë “libër aromatik”!
Gjithsesi, me ikjen e kësaj “arome”, sa vete harrohenn edhe talentet brilante të humorit skenik, sikundër qenë: Koço Devole, Skënder Sallaku e Vasillaq Vangjeli në Tiranë, Tano Banushi, Zylyha Miloti e Zef Deda në Shkodër, Aleko Prodani, Koço Qendo e Zamira Kita në Korçë, Aishe Stari, Spiro Strati e Ramazan Ngjala në Durrës, Leka Kruta e Myqerm Ferra, me parodistët e Vlorës, Luftar Paja me Xhuljanën,Boçin e Lipen në Fier, apo artistët e mëvetshëm e të papërsëritshëm, si Luçi i Estradës së Ushtarit, Cekja i Estradës së Beratit, Agron Llakaj nga Tepelena, Gjosho Vasia nga Shkodra, Hysen Biza nga Elbasani, Theofil Haxhijani nga Saranda e Hajrie Rondo nga Delvina,-“brilante” të rralla, që nuk na vijnë më, kur burimi që i ka sjellur “ka shterrur”me kohë e pa kohën e duhur!
Piqeras, më 5 gusht 2022.
Please follow and like us: