Albspirit

Media/News/Publishing

Friza e Bethovenit – Trini pikturale rreth lumturisë së njeriut!

S. Guraziu – Ars Poetica, D 2019

“Çdo epoke artin e vet, artit lirinë e vet”

“Wiener Secession” u themelua në v. 1897 nga Gustav Klimt dhe një grup artistësh austriakë (që ishin distancuar nga Lidhja e Artistëve të Austrisë). Si lëvizje artistike “Secesioni…” përfshinte piktorë, skulptorë dhe arkitektë. Presidenti i parë qe zgjedhur Gustav Klimt. Qëllimi i “ndarjes” pakashumë ishte kundërshtimi i nacionalizmit artistik, rinovimi i arteve dekorative, krijimi i një “arti total” (duke bashkuar artin piktural, skulptural, arkitektural dhe artet dekorative) si dhe, veçanërisht, duke kundërshtuar dominimin e Akademisë së Arteve të Vjenës dhe të salloneve zyrtare të artit vjenez, të orientuara tradicionalisht më shumë kah historicizmi artistik.

***
Gustav Klimt (1862-1918) – “Friza e Betovenit“, 1902

“Friza e Betovenit” sot konsiderohet si njëra nga veprat kryesore të Klimt, dhe një vepër e spikatur e stilit vjenez “art nouveau”. Sa i përket ikonografisë dhe simbolizmit, sipas M. Bisanz-Prakken (vështrim i v. 2002, në të cilin tekst sot zyrtarisht referohet dhe vetë “Secesioni”), janë “tri risi të rëndësishme që mund të vërehen në ‘Frizën…’ – paraqitja dy-dimensionale dhe izolimi monumental i figurës njerëzore, përdorimi shprehës i linjës, dhe roli mbizotërues i ornamenteve”.

Tema e frizës bazohet në interpretimin e R. Wagner të “Simfonisë nr. 9” të Betovenit, friza i mbulon tri faqe murale dhe pikturat paraqesin narracionin koheziv rreth kërkimit të lumturisë së njeriut – thuhet në tekstin zyrtar.
“Friza e Betovenit” u krijua në v. 1902 për ekspozitën e XIV të “Secesionistëve”. Ekspozita pati qenë konceptuar si tribut për kompozitorin Betoven, sot (pas pothuaj 120 viteve) ekspozita statistikisht ka ngelur si suksesi më i madh në historinë e “Secesionit…”.

“Ideali i ndërthurjes, integrimi estetik i të gjitha disiplinave artistike është vazhduar me sukses dhe vazhdohet dhe sot e kësaj dite” – thonë “Secesionistët…”.
Në rregull, po ashtu dhe motoja akoma është e njëjta “çdo epoke artin e vet, artit lirinë e vet”. Atëbotë, në v. 1902, ekspo-prezantimi për nder të Betovenit duhej t’ishte diç si mishërim i vizionit “secesionistik” rreth sintezës gjithëpërfshirëse të arteve (sipas tyre pikturat, skulpturat, arkitekturat, muzikat duhet t’jenë të “pandashme”). Vetë ekspozita komplet do ishte diç si “vepër arti” në vete. Artistët qenë marrë vesh ta ndërmerrnin një restaurim komplet të interierit (të qendrës së tyre), përkrah Klimt mëngët e kontributit i patën përvjelur dhe rreth 20 anëtarë të tjerë.

Synimi qe deklaruar, qëllimi ishte ribashkimi i arteve të ndara – i arkitekturës, pikturës, skulpturës, muzikës. Qëllimi pra i ishte shpalosur botës, por si do arrihej vallë ky qëllim?
Sipërfaqësisht ndoshta duket si “paradoks” që pikërisht secesionistët e rebelët stilistikë të brengoseshin për artet e “ndara”, pikërisht ata të impenjoheshin për unitetin e disiplinave artistike. Gjithsesi, një vit pas “rebelimit” të tyre, qe themeluar dhe “Secesioni i Berlinit”, natyrisht, kot s’do “ndaheshin” as gjermanët. Apo, në fakt, ata veç paraprinin me “stilet e reja” e me secesionizmat, vetë emri “Secesionistët e Vjenës” ishte diç si kopje e emrit të pararendësve, “Secesionistët e Mynihut”.

Në rastin e ekspozitës në fjalë, bashkimi i arteve do duhej të vinte si rrjedhojë e vetvetishme ndërdisiplinare, si ndërveprim sinergjik mes dizajnit të dhomave (dmth. pjesë arkitekturale – interieri, njësoj si dhe eksterieri), mes pikturave nëpër muret, mes skulpturës së Betovenit punuar nga Max Klinger dhe e cila do zinte vend në “hapësirën qendrore” të ekspo-interierit. Ose më mirë të thuhet gjithçka e interierit, çdo pikturë e skulpturë, gjithçka e ekspozuar me secilin detaj duhej të ndërvepronte në të mirë të sintezës artistike.

“Friza e Betovenit”, Përshkrimi – Simbolizmi

1 (muri majtas) – Genii (Shpirtra, krijesa… hyjnore mbase), Njerëzimi i Përvuajtur, Kalorësi “veshur” me Armorin e Artë* (në sfond Ambicia dhe Dhimbshuria)
…arritja ose gjetja e lumturisë është dëshira e përhershme e njerëzimit, për ta kapërthyer simbolizmin e kësaj Klimt ka zgjedhur figurat-simbole të ashtuquajtura “genii” (shpirtra) – tutje, një grua lakuriq në këmbë dhe një çift i gjunjëzuar sipas Klimt simbolizojnë vuajtjen e njerëzimit, grupi i nudo-figurave i lutet kalorësit të armatosur për ndihmë, në emër të njerëzimit “njeriu i fortë, fisnik i pancirosur” niset në misionin e kërkimit të lumturisë, i nxitur nga dy figurat-femra afër tij, si alegori të Ambicjes e Dhimbshurisë.

2 (muri mes) – Forcat armiqësore (të Njeriut) – Tri Gorgonat (sipër në sfond Sëmundja, Çmenduria, Vdekja) – Tifoni, pranë tij Tundimi Epshëror, Pangopësia (Paturpësia), Mospërmbajtja – Mjerimi i Thellë
…njerëzimi duhet të përballet me rreziqet që vijnë nga “forcat armiqësore”, Tifoni si një përbindësh gjigant (një serpent monstruoz, një nga krijesat më të tmerrshme të mitologjisë greke) shtrihet në gjithë gjatësinë e murit, majtas vajzat e tij, tri Gorgonat (në mes padyshim Meduza e llahtarshme) dhe mbi to shohim figura të shëmtuara si përfaqësime alegorike të Sëmundjes, Çmendurisë, Vdekjes, djathtas përbindëshit femrat simbolizojnë Epshet, Mospërmbajtjen, Pangopësinë (kjo e fundit padyshim do jetë gruaja me barkun e madh), femra ulur tutje me flokët e gjatë sipas Klimt do duhej të simbolizonte Mjerimin…

3 (muri djathtas) – Artet (Poezia dhe Shpirtrat e Gjenialitetit, Kreativiteti Artistik), Kori i Engjëjve, Çifti i Përqafuar (Dashuria)
…dëshira e përhershme e njerëzimit për arritjen e lumturisë përmbushet me artet (me artin e poezisë, në frizë shfaqur si figurë femërore me një lirë në duart). Padyshim Klimt do ta ketë supozuar Poezinë si kryesimbol artistik, meqë poezia dhe është diç si “mbretëreshë e arteve”. Kulmi dramatik i frizes figurativisht na vjen në skenën përfundimtare, sipas Klimt figurat femërore që simbolizojnë artet çojnë drejt sferës ideale artistike, apoteoza e artit të Klimt sikur vuloset me dashurinë, meqë e kemi dhe një çift tek puthen para “korit të engjëjve”, referencë e drejtpërdrejtë për Betovenin – thonë zyrtarët e Vjenës – pasi në “Simfoninë…” e Betovenit (bazuar në “Ode Lumturisë” të Friedrich von Schiller), kori i fundit përmban fjalët “Kjo puthje për gjithë botën”.

Please follow and like us: