Serbia edhe në ‘Ballkanin e Hapur”, por edhe 1.3 miliard dollarë armatim
Vitin e kaluar Serbia kontraktoi prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në vlerë prej një miliard e 318 milionë dollarë amerikanë, që paraqet një shumë më të madhe se vlera totale e të gjitha prokurimeve që nga fundi i vitit 2016, kur filloi procesi i modernizimit të Forcave të Armatosura të Serbisë, raporton agjencia Beta. Sipas portalit të Rrjetit të Sigurisë Ballkanike (balkansec.com), shuma e blerjeve të kontraktuara, thuhet në raportin për veprimtarinë e kompanisë publike Jugoimport-SDPR për vitin e kaluar, pwrfshin 287 kontrata individuale të nënshkruara me 31 shtete. “Të dhënat nuk janë të specifikuara kur bëhet fjalë për pjesën e shumës së atyre kontratave të destinuara për Forcat e Armatosura, por janë të rëndësishme për vlerësimin sepse Jugoimport-SDPR është përgjegjëse për të gjitha blerjet e aseteve me rëndësi strategjike për qëllime ushtarake, dhe lista përfshin praktikisht të gjitha armët dhe pajisjet ushtarake”, thuhet në tekst.
Informacione për pushtimin rus
Portali shton se disa nga kontratat janë nënshkruar për nevoja të prodhimit vendor në fabrikën Combat Complex Systems dhe të tjerat që janë 100 për qind në pronësi të Jugoimport-SDPR. Në mënyrë indirekte, këto janë edhe prokurime për Forcat e Armatosura, sepse, për shembull, mjetet luftarake Lazar 3 dhe Miloš, të cilat janë në prodhim seri për nevoja të brendshme, janë me motor amerikan dhe kanë suspension të pavarur francez. “Rritja dramatike e blerjeve të armëve nënkupton kontrata të reja të mëdha. Një partner i rëndësishëm ishte Rusia, nga e cila porositi katër helikopterë luftarakë Mi-35M, tre transportues Mi-17V-5, dy bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore Pancir-S1M, sisteme për veprime kundër-elektronike dhe luftë kundër dronëve, etj”. Teksti kujton se praktika në marrëveshjet e mëdha është dhënia e një pjese të parave si paradhënie, por nuk ka informacion publik se sa i është paguar Rusisë për armë që nuk mund të merren tani për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe bllokadës së ekonomisë ruse.
Radarët francezë
“Sigurisht, është një çështje e një mbikëqyrjeje të madhe dhe pakujdesi për të kontraktuar prokurimin e pajisjeve me një vend që po përgatitej për luftë dhe ne supozojmë se puna e inteligjencës së Serbisë dha informacion në kohë dhe të saktë për situatën në lindje”, shkruan portali. Kujtohet gjithashtu se zyrtarisht u njoftua se radarët GM400, GM200 dhe GM60 do të prokurohen nga Franca për sistemin e vëzhgimit dhe raportimit ajror dhe për njësitë e mbrojtjes ajrore. “Dhjetë H145M me shumë role janë porositur nga Airbus për VS, përveç pesë njësive të blera më parë në bazë të kontratës së dhjetorit 2016, e cila filloi ciklin e modernizimit. Brenda vendit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave dhe Jugoimport-SDPR kanë kontraktuar prokurimin e armëve të prodhimit vendor me një pjesë të madhe të agregateve dhe pajisjeve të importuara”, thuhet në njoftim.